Halil Krasniqi ishte në mesin e emrave të ushtruesve të detyrës së drejtorëve të menaxhmentit të Telekomit të Kosovës përgjatë Qeverisë Kurti I që ushtronte jashtëligjshëm detyrën për muaj me radhë. Për të u raportua se dha dorëheqje kinse për shkak të pakënaqësive, përbrenda një periudhe të shkurtër kur u dorëhoqën sa ishin u.d. edhe kryeshefja ekzekutive Burbuqe Hana dhe Drejtori i Financave Feim Kelmendi. Ai më pas u kthye sërish si u.d. në të njëjtën pozitë në Telekom, ku ushtroi sërish jashtëligjshëm detyrën deri në momentin e emërimit të tij. Për emërimin e tij, u deshën dy konkurse…
Gazeta Insajderi ka hulumtuar rastin e dy konkurseve, në të cilën ka vërejtur se konkursi i parë është anuluar për shkak të neglizhimit të testit me shkrim.
Në konkursin e parë të shpallur në janar të këtij viti për drejtor të Departamentit Teknik nga Telekomi, është i përzgjedhur vetëm Krasniqi për intervistim.
Në një e-mail që ka siguruar Gazeta Insajderi nga Departamenti për Relacione me Publikun të datës 20 shkurt të këtij viti, procesi i rekrutimit prezantohet si “transparent” dhe i “rregullt”.
“Bordi i Drejtorëve të Telekomit të Kosovës ShA konstaton që i gjithë procesi i rekrutimit për pozitën e Drejtorit në Drejtorinë Teknik dhe TI ka qenë transparent, i rregullt dhe në bazë të Ligjit, Kodit të Etikës dhe Qeverisjes Korporative”, thuhet ndër të tjera në njoftimin për përzgjedhjen e Krasniqit drejtor.
Vetëm tri orë më pas, i njëjti departament dërgon një email përmirësues duke e larguar pjesën e lartcekur. Kjo, pasi që, siç ka bërë të ditur një burim për Insajderin, paragrafi u shkrua pa aprovimin e bordit të drejtorëve të Telekomit.
Pas këtij veprimi, themelohet një komision i brendshëm i cili konstaton se nuk është respektuar baza ligjore në përzgjedhjen e Krasniqit, konkretisht është anuluar faza e testit me shkrim.
Për t’ia mundësuar emërimin Krasniqit, Telekomi i Kosovës hap konkurs disa muaj më vonë për pozitën e njëjtë. Kësaj radhe, siç mëson Insajderi, Telekomi ndryshon rregulloren duke mos e përfshirë testin me shkrim në rekrutim.
Më pas, Departamenti për Relacione me Publikun njofton për emërimin e Halil Krasniqit drejtor për herë të dytë.
Përveç kësaj, Krasniqi është pa përvojë pune ne pozitën e nivelit drejtues. Në biografinë e tij që ka parë Insajderi, figuron që ai ka shërbyer në Telekom si inxhinier i telekomunikimit për gati 24 vite.
Mbajtja e pozitës me ushtrues detyre në institucione publike më gjatë së gjashtë muaj konsiderohet si e jashtëligjshme. Dy herë më gjatë se gjashtë muaj si ushtrues detyre kishte qëndruar Halil Krasniqi në pozitën e drejtorit të Departamentit Teknik.
Nga departamenti ku udhëheq Krasniqi u raportua dje një prishje të rënies së shërbimeve të telefonisë mobile.
Telekomi në komunikatë për media e arsyetoi duke thënë se kjo ka ndodhur për shkak të vjetërsisë së pajisjeve.
“Sot në mëngjes, në orën 8:48 minuta, për arsye të vjetërsisë së pajisjeve, të cilat edhe ashtu sipas planit do të ndërrohen shumë shpejt, pati një rënie të përgjithshme të shërbimeve të telefonisë mobile në tërë vendin. Ekipet teknike po punojnë që shpejt ta sanojnë gjendjen dhe të rikthejnë shërbimet”, u tha në njoftimin e Telekomit.
Insajderi të hënën ka raportuar për “valën e dytë” të dënimeve nën menaxhimin e Hanës. Arsyeja e dënimit të valës së dytë është e njëjtë: Anulimi i testit me shkrim, me qëllim të favorizimit të “të përzgjedhurve” të kryeshefes së vendosur nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.
Ankuesi Isuf Mehmeti, njëri nga kandidatët për menaxher në pozitën e Burimeve Njerëzore, e fitoi rastin ndaj Telekomit të Kosovës, për çka ndërmarrjen publike Inspektorati i Punës e ka dënuar me tre mijë euro.
Në vendimin që e siguroi Gazeta Insajderi, Telekomi i Kosovës shpërfilli raportin zyrtar që iu dorëzua nga inspektorati dhe pas tre muajsh u dënua për anulim të testit me shkrim për konkursin e lartpërmendur me 1.500 euro dhe 1.500 euro të tjera për mos-dhënie të përgjigjes brenda afatit nga komisioni ankimor ankuesit Mehmeti.
“Komisioni duke mos e mbajtur intervistën me shkrim ka vepruar në kundërshtim me nenin 10, paragrafi 1, 2 dhe 3 i Udhëzimit Administrativ (MPMS) Nr.07/2017 për Rregullimin e Procedurave të Konkursit të Sektorit Publik.
Komisioni duke mos i dhënë përgjigje ankuesit brenda afatit të përcaktuar ka vepruar në kundërshtim me nenin 13 [Procedura Ankimore], paragrafi 3, i Udhëzimit Administrativ (MPMS) Nr.07/2017, për Rregullimin e Procedurave të Konkursit në Sektorin Publik”, u tha ndër të tjera në vendim.
Insajderi po ashtu raportoi se Telekomi u dwnua edhe me tre mijë euro të tjera për shkak të degradimit pa asnjë procedurë nga pozita e zëvendës-drejtoreshës së Marketingut ankuesen Merita Krasniqin.
Dënimi erdhi dy muaj pasi që nuk u zbatuan rekomandimet e inspektoratit nga raporti zyrtar.
Gazeta Insajderi në vazhdimësi ka raportuar për skandalet në Telekomin e Kosovës. Në muajin e kaluar është raportuar edhe për avancimin e vëllait të Burbuqe Hanës, Burim Hanës, në pozitën e menaxherit në Departamentin “Analiza, Strategjia e Marketingut dhe Planifikimit”.
Po ashtu ka raportuar edhe për avancimin e Violeta Namanit, mikeshë e Burim Hanës, në pozitën e Menaxherit të Departamentit për Shitje dhe Kujdes me Konsumator Individual. /Insajderi.org/
Pritjes i erdhi fundi- Burbuqe Hana në heshtje e avancon vëllain në Telekom
Telekomi ia “sheh sherrin” Burbuqe Hanës, dënohet 10 mijë euro nga Inspektorati i Punës- DOKUMENT
“Dasmë” në Telekom- tash merr pozitë të lartë mikesha e vëllait të kryeshefes ekzekutive të VV-së
Pritjes i erdhi fundi- Burbuqe Hana në heshtje e avancon vëllain në Telekom