Insajderi
Lajme

Dështon seanca ndaj biznesmenit pejan, i dëmtuari arrestohet nga policia brenda objektit të Gjykatës

Insajderi
18 December 2025 - 14:31
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Dështon seanca ndaj biznesmenit pejan, i dëmtuari arrestohet nga policia brenda objektit të Gjykatës
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Seanca gjyqësore në Gjykatën Themelore të Pejës ndaj biznesmenit pejan, Burim Zeka, i akuzuar për veprën penale “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”, ka dështuar të mbahet mes rrethanave të pazakonta.

Ndonëse palët ishin ftuar për shqyrtim kryesor, vëmendjen e mori arrestimi i të dëmtuarit në këtë rast, Denis Mahmuti, i cili u prangos nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës brenda hapësirave të Gjykatës.

Sipas procesverbalit të siguruar nga Gazeta Insajderi, te seanca e udhëhequr nga gjyqtarja Blerta Kelmendi, i dëmtuari Denis Mahmuti kishte pranuar ftesën rregullisht, por nuk arriti të ulej në bankën e të dëmtuarit. Gjyqtarja konstatoi se i njëjti është arrestuar brenda objektit të gjykatës nga policia, duke e bërë të pamundur pjesëmarrjen e tij në proces, por nuk u dhanë detaje për arsyen e arrestimit.

Përveç arrestimit të të dëmtuarit, seanca u karakterizua edhe nga mungesa e dëshmitarëve kyç, të cilët gjykata kishte tentuar t’i sillte përmes urdhëresave për verifikim të adresave:

Babai i njërit nga dëshmitarët ka njoftuar gjykatën se djali i tij ndodhet në Suedi për trajtim mjekësor. Ndonëse janë dorëzuar raporte mjekësore, ato ishin të papërkthyera, duke mos u pranuar si dokumentacion i rregullt në këtë fazë.

Sipas raporteve policore një tjetër dëshmitar ka lënë territorin e Kosovës më 28 gusht të këtij viti përmes pikës kufitare në Kullë, ndërsa familjarët kanë deklaruar se nuk kanë kontakt me të.

Biznesmeni Burim Zeka po përballet me drejtësinë nën akuzën për veprën penale nga neni 367 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Në seancën e sotme ishin të pranishëm Prokurori i Shtetit, Dorjan Juniku, dhe mbrojtësja e të pandehurit, avokatja Aurora Mulhaxha.

Meqenëse kushtet ligjore për mbajtjen e shqyrtimit nuk u plotësuan për shkak të arrestimit të të dëmtuarit dhe mungesës së dëshmitarëve, seanca është shtyrë për një datë tjetër.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark