
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar se arrestimi i Luan Latifit, kryeshefit të Komisionit të Pavarur të Mediave, ndërlidhet me rastin e marrjes së dyshuar të ryshfetit për të cilin u arrestua të martën drejtori i Administratës dhe Financave të KPM-së, Arben Bilalli.
Në një njoftim për media, Prokuroria ka deklaruar se Latifi dyshohet se mban përgjegjësi për rastin e dyshuar të marrjes së ryshfetit në të cilën është përfshirë Bilalli.
“Personi me inicialet L.L., është intervistuar në cilësinë e personit të dyshuar në prezencën e avokatit mbrojtës dhe pas argumentimit të ndërlidhjes, është vlerësuar dyshimi i bazuar se, si person me përgjegjësi ekzekutive në KPM, ka qenë në dijeni të qartë për kushtëzimet”, ka bërë të ditur Prokuroria.
“Më këto veprime personi i lartcekur dyshohet se ka kryer veprën penale ‘Marrja e ryshfetit’, nga neni 421 të KPRK-së në bashkëkryerje me të dyshuarin A.B., të arrestuar më 29.06.2021, nga Policia e Kosovës, dhe veprën penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’, nga neni 414 të KPRK-së, pasi të njëjtit dyshohet se nuk kanë përmbushur detyrën e tyre zyrtare me këtë rast duke keqpërdor pozitën apo autoritetin zyrtar kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme”.
Prokuroria ka njoftuar se Latifi, me aktvendim të prokurorit të shtetit është ndaluar në kohëzgjatje prej 48 orësh.