×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Detoksifikimi i efektit të teknologjisë

    Insajderi
    24 December 2020 - 15:16
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Nëse nuk ndalemi të detoksifikojmë efektin që jep teknologjia në sferën shoqërore dhe politike, ajo që dikur mendohej që do të na bashkojë dhe do ta përmirësojë demokracinë, do të vazhdojë të na ndajë deri në atë nivel sa ta bëjë sistemin tonë të organizimit politik jofunksional dhe marrëdhëniet tona shoqërore toksike

    Omer Ajdini

    Funksionimi efikas i demokracisë varet në masë të madhe nga informimi i drejtë i qytetarëve si dhe participimi aktiv dhe masiv i tyre në proceset demokratike.

    E informimi i drejtë dhe objektiv i qytetarëve po ashtu varet edhe nga ekzistenca e narrativave të kundërta të cilat krijojnë instanca të përballjes me informatat e padëshirueshme (që na bëjnë shpesh t’i rimendojmë e zbusim qëndrimet tona), e poashtu krijojnë një set të përbashkët të informatave dhe dijes e cila shërben pastaj si eksperiencë e përbashkët e cila është e nevojshme për mirëkuptim të ndërsjellë, diskurs më konstruktiv por edhe tolerancë më të madhe shoqërore.

    Mirëpo, zhvillimi i teknologjisë që pritej të bashkojë njerëzit dhe të përmirësojë funksionimin e demokracisë siç duket po jep efekt të kundërt, edhe atë kryesisht përmes dy mekanizmave të cilat siç duket po çojnë në thellimin e hendekut të mendimit dhe po vështirësojnë çdo ditë e më shumë krijimin e eksperiencave të përbashkëta.

    Mekanizmi i parë është filtrimi i pafund që na lejohet të bëjmë në rrjetet sociale. Dikur kur televizioni, radioja dhe gazetat ishin të vetmet mediume përmes së cilave informoheshim, donim apo nuk donim përballeshim me lajme apo informata të cilat shpesh ndoshta edhe nuk do të kishim dashur t’i dëgjonim, mirëpo ata lëre që ndihmonin në dhënien e anës tjetër të medaljes, por edhe krijonin në një far mënyre sferën e përbashkët të diturisë apo informatave me të cilat informoheshin të gjithë, me çka mundësohej tolerancë më e madhe dhe diskurs më i butë shoqëror.

    Me rënien e popullaritetit të mjeteve konvencionale të informimit dhe me ngritjen e popullaritetit të rrjeteve sociale kjo ka ndryshuar.

    Sot ne mund të zgjedhim cilët njerëz i kemi shokë në Facebook apo Tuitter dhe postimet e cilëve na dalin në mur, cilët “influencërs” i lexojmë apo edhe nga cilët portale dhe media marrim lajme në murin tonë.

    E duke qenë që ne si qenie jemi të predispozuar të konsumojmë informata të cilat na i ushqejnë bindjet veçmë të krijuara dhe i ruhemi përballjes me informata të cilat mund të na i sfidojnë ato bindje, atëherë secili nga ne bën një lloj filtrimi të informatave të cilat nuk na pëlqejnë, pra nuk i ndjekim njerëzit, portalet apo mediat të cilat mund të flasin keq për ideologjitë apo grupet tona. E gjithë kjo falë mundësisë së filtrimit që na lejohet në rrjete sociale.

    E kjo sado që na bën të ndihemi mirë, na e zvogëlon sasinë e përballjeve të padëshirueshme (të cilat me shumë gjasë do të na kishin bërë t’i rikonsideronim shumë nga bindjet tona të gabuara), me çka ne vazhdojmë të betonohemi në llogoret tona të të menduarit duke konsumuar informata që çimentojnë ato bindje. Kjo na e ulë nivelin e tolerancës ndaj të tjerëve sot, gjë e cila vështirëson arritjen e konsensusit apo kompromisit nesër.

    Rritja e ekstremiteteve të djathta dhe të majta politike të cilat në disa vende kanë çuar edhe në atrocitete deri në një nivel është vërtetues i kësaj që po themi.

    Mekanizmi i dytë i cili poashtu kontribuon në polarizim dhe betonimin e bindjeve janë edhe algoritmat perverse, të cilat përdoren nga rrjetet sociale, të cilat duke synuar që të rrisin kohën që ne shpenzojmë në rrjete sociale dhe interaksionin që bëjmë aty, na servojnë gjithnjë e më shumë përmbajtje me gjërat të cilat i pëlqejmë.

    Për shembull, nëse keni dëgjuar fjalime të një politikani apo filozofi të majtë, me shumë gjasë do t’u sugjerohen video e materiale tjera të cilat janë të përafërta me ideologji majtiste dhe kështu ju mund të filloni rrugëtimin drejt revolucionit pa lexuar asnjë faqe të shkruar nga Karl Marksi.

    Pra edhe përmes algoritmeve ne ushqehemi me materiale që na forcojnë edhe më shumë argumentet tona në bindjet ekzistuese, gjë e cila rritet dhe forcohet pastaj me krijimin e komuniteteve virtuele me çka edhe më shumë i fryhet krijimit të bindjeve ekstreme apo mendjeve të ngurta dhe përjashtimin e të tjerëve të cilët mund të mendojnë pak më ndryshe.

    Rënia e popullaritetit të televizioneve dhe gazetave si dhe aktivizmi i shtuar nëpër jete sociale çdo ditë e më shumë pakësojnë përballjen me informata që mund të na bëjnë më të informuar me anën tjetër të të menduarit apo thjeshtë më “tjetrin”.

    Polarizimet më së shumti vërehen në çështjet politike, fetare si dhe etnike ku gjithnjë e më shumë hapësira e përbashkët dhe konsumimi i informatave të njëjta që do të çonin në mirëkuptim zvogëlohen.

    Sot ne shpesh “nuk kemi nerva” ta dëgjojmë tjetrin më ngaqë bindjet tona janë aq të çimentuara, saqë edhe argumentet logjike më nuk bëjnë sens nëse vijnë nga “tjetri”. Pra ne jemi më pak të gatshëm të dëgjojmë tjetrin, ndërsa elementi i dëgjimit të tjetrit është parakusht për diskurs konstruktiv dhe funksionim normal të demokracisë.

    Kur Ministrin i Digjitalizimit të Taiwanit Audrey Tang e kishin pyetur për të ardhmen e demokracisë, ai ishte përgjigjur: “Për mua, e ardhmja e demokracisë bazohet në kulturën e të dëgjuarit”; e kjo kulturë e të dëgjuarit pra gjithnjë e më shumë po tkurret përderisa ne po filtrojmë dhe po ndjekim atë që na sugjerohet.

    Nëse ne synojmë krijimin e një shoqërie, e cila është më pak paragjykuese, më tolerante dhe e cila është e gatshme të kyçet në diskurs konstruktiv dhe kompromis, atëherë është imperativ i kohës që mënyra e funksionimit aktual të teknologjisë të ngrihet si shqetësim në nivel të politikbërësve, të cilët e kanë për obligim të kujdesen për krijimin e eksperiencave të përbashkëta të qytetarëve dhe informimin e tyre të drejt.

    E kjo deri në një masë bëhet duke e rregulluar mënyrën e funksionimit të teknologjisë dhe botës virtuele, jo vetëm për të luftuar lajmet e rreme siç mendohet tani, por duke shkuar edhe një hap më tej dhe duke siguruar që teknologjia të vihet në shërbim të mundësimit të funksionimit më efikas të demokracisë duke siguruar ngritje të participimit (për shembull votimi online, apo participimi buxhetor sikur në Madrid të Spanjës) si dhe mundësimi i përballjeve të padëshirueshme, p.sh. duke e bërë ndoshta të detyrueshme që për çdo dy-tri faqe që ndjek të një ideologjie/partie të caktuar automatikisht të ndjekësh edhe një faqe të anës së kundërt.

    Në të kundërtën, nëse nuk ndalemi të detoksifikojmë efektin që jep teknologjia në sferën shoqërore dhe politike, ajo që dikur mendohej që do të na bashkojë dhe do ta përmirësojë demokracinë, do të vazhdojë të na ndajë deri në atë nivel sa ta bëjë sistemin tonë të organizimit politik jofunksional dhe marrëdhëniet tona shoqërore toksike.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark