Një rast i rëndë ka tronditur qytetin e Istogut. Policia e Kosovës e ka kapur në flagrancë një 54-vjeçar duke dhunuar një të mitur 12-vjeçare në fshatin Dubravë.
Pas arrestimit, të dyshuarit i është caktuar ndalim 48 orësh me vendim të prokurorit.
Prokuroria Themelore e Pejës ka bërë të ditur se për 54-vjeçarin, prokurori i rastit është duke përgatitur kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit.
Zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi, tha se në vendin e ngjarjes janë kryer të gjitha ekzaminimet e nevojshme nga Policia e Kosovës.
“Dje Policia e Kosovës ka kapur në flagrancë një person duke kryer veprën kriminale dhunimi ndaj një të miture, me ç’rast në vendin e ngjarjes ishin edhe prokurori i shtetit, mbrojtësi i viktimave dhe të gjitha organet relevante, përfshirë edhe institucionet tjera. Personi i përfshirë është ndaluar për 48 orë me urdhër të prokurorit dhe njëkohësisht po përgatitet kërkesa për masën e paraburgimit për veprën penale dhunimi”, theksoi Nikçi.