×
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    Dhuratat e Albin Kurtit si kryeministër

    Insajderi
    10 November 2020 - 19:52
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Eros Klaiqi

    Albin Kurti ka deklaruar nëntë dhurata të pranuara në cilësinë e Kryeministrit. Insajderi ka siguruar regjistrin e dhuratave të deklaruara nga Zyra e Kryeministrit përgjatë një periudhe më të gjatë se një vjetore.

    Në javën e fundit të muajit shkurt të këtij viti, Albin Kurti pranoi një lodër treni të markës gjermane “Marklin” në formë të dhuratës. Atë ia dhuroi nënkryetari i Parlamentit Evropian, Rainer Weiland.

    Gjatë vizitës që Weiland realizoi në Kosovë, nënkryetari i Parlamentit Evropian ia dhuroi shefit të ekzekutivit një lodër treni të markës.

    “Marklin” është një kompani gjermane e lodrave, e cila më së shumti është e njohur për prodhimin e lodrave të trenit dhe hekurudhave. Çmimi i një lodre treni të prodhuar nga “Marklin”, sipas një kërkimi të thjeshtë në internet, varion nga 100 deri në 400 euro.

    Por, ish-kryeministri Kurti nuk e ka deklaruar vlerën e dhuratës që pranoi nga Weiland në regjistrin e deklarimit të dhuratave të pranuara nga personat zyrtar, ndonëse kështu parashihet me Ligjin për Deklarimin e Pasurisë dhe Dhuratave.

    Përveç kësaj dhurate, Insajderi ka gjetur se gjatë kohës sa mbajti pozitën e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti pranoi edhe tetë dhurata të tjera.

    Insajderi, përmes kërkesës për qasje në dokumente, ka siguruar qasje në regjistrin e dhuratave të deklaruara nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës (ZKK) përgjatë periudhës së vitit 2019 dhe gjashtë mujorit të parë të vitit 2020.

    Bazuar në dokumentacionin e siguruar nga gazeta, vlera e përgjithshme e dhuratave të pranuara nga Albin Kurti si kryeministër është 124 euro. Kurti nuk e ka deklaruar asnjë vlerë për pesë nga nëntë dhuratat e pranuara.

    Nëntë dhuratat që ka pranuar nga diplomatë të vendeve të huaja në Prishtinë e zyrtarë të institucioneve shtetërore që i kishte pritur në vizitë në cilësinë e shefit të qeverisë, janë deklaruar si “dhurata protokollare”.

    Me vlerën më shtrenjtë, sipas regjistrit që Zyra e Kryeministrit ka paraqitur pranë AKK-së, janë deklaruar disa mansheta për këmishë të cilat Kurti i ka pranuar si dhuratë nga Jean Luis Servais, shef i Zyrës Diplomatike të Belgjikës në Kosovë.

    Katër ditë pasi pranoi detyrën e kryeministrit, më 6 shkurt, Servais i dhuroi Kurtit “mansheta për këmishë” si urim për marrjen e detyrës së re. Vlera e dhuratës, bazuar në dokumentet që ka siguruar Insajderi, është deklaruar nën 50 euro.

    Katër ditë më vonë, si pjesë e urimit për detyrën e re si kryeministër, Albin Kurti pranoi një dhuratë nga Ambasadori i Turqisë në Kosovë, Çagri Sakar.

    Sakar i dhuroi Kurtit një pjatë dekoruese, tregojnë dokumentet zyrtare. Pjatat janë vlerësuar në shumë prej 26 eurove nga Zyra e Kryeministrit.

    Ndërkaq, Ambasadorja e Finlandës në Kosovë, Pia Stjernvall, gjatë një takimi të mbajtur në ambientet e qeverisë, në formë të dhuratës i dhuroi Kurtit një vazo. Vazoja është vlerësuar në shumën e 23 eurove nga Zyra e Kryeministrit.

    Kurti si kryeministër nuk pranoi dhurata vetëm në zyrën e tij. Ai u kthye me një dhuratë nga vizita e vetme zyrtare që realizoi në cilësinë e kryeministrit.

    Nga vizita zyrtare e realizuar më 11 shkurt në Shqipëri, Kurti u rikthye me një dhuratë të pranuar nga Lulzim Basha, lideri i opozitës në Shqipëri.

    Basha ia dhuroi Kurtit një “shqiponjë në ram” me rastin e vizitës në selinë e Partisë Demokratike në Tiranë, thuhet në formularin e paraqitur nga Zyra e Kryeministrit pranë AKK-së. Vlera e dhuratës nuk është deklaruar.

    Më 27 shkurt, Kurti pranoi një emblemë të KFOR-it në formë rami nga Michele Risi, Komandanti i KFOR-it në Kosovë.

    Gjatë vizitës së një delegacioni të Odës Ekonomike të Maqedonisë së Veriut në fund të fillim të marsit, Kurti pranoi dhuratë një ram, brenda së cilit ishte e pikturuar Ura e Gurit në Shkup, tregojnë dokumentet.

    Sipas regjistrit të dhuratave të Zyrës së Kryeministrit, dhurata është cilësuar si “formale” dhe është deklaruar në vlerë prej 25 eurove.

    Ndërsa, dy dhuratat e fundit që iu dhanë kryeministrit Kurti janë një ram guri dhe një pikturë në ram. Ramin prej guri, Kurtit ia dhuroi Magbule Elezi, kryetarja e Shoqatës së Mamive të Kosovës më 11 mars, ndërkaq dy ditë më vonë pranoi edhe një pikturë në ram nga Ambasadori i Japonisë në Kosovë, Akira Mizutani.

    Zyra e Kryeministrit regjistron dhuratat e pranuara nga personat zyrtar në regjistrin e institucionit dhe dorëzon kopjen e regjistrit tek Agjencia, deri më datë 31 mars të secilit vit kalendarik.

    Dokumentet zyrtare tregojnë se një dhuratë në cilësinë e zëvendëskryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti ka pranuar një dhuratë, ndërsa tri dhurata tjera i ka deklaruar t’i ketë pranuar Haki Abazi, zëvëndësi tjetër i Albin Kurtit.

    Insajderi do të raportojë veçmas edhe për dhuratat e pranuara nga zëvëndësit e ish-kryeministrit Kurti. /Insajderi.org

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark