Ish-ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi ka dal me një letër publike për sfidat dhe të arriturat sa ka qenë në krye të kësaj ministrie, për 10 muaj e gjysmë.
Latifi përmes letrës thotë se kur ka ardhur në krye të kësaj ministrie ka gjetur keq menaxhim, buxhet të vogël si dhe mungesë të ekipeve profesionale të menaxhimit dhe zbatimit të projekteve kapitale që kanë filluar në të kaluarën.
Në njërën prej pikave të rënditura, të titulluar ‘të gjeturat’, Latifi ka akuzuar menaxhmentin e administratës si toksik në raport me kabinetin e tij.
Siç duket nga letra publike, Latifi nuk paska pasur aspak raport të mirë me punojësit në administratë. Ish-kreu i Shëndetsisë shtoi se ata kishin edhe mungesë të profesionalizmit.
Në pikën 11, ish-ministri thotë: Mungesa e profesionalizmit administrativ në Ministrinë e Shëndetësisë, të shtresuar ndër vite, që për rezultat ka sjellë keq menaxhime të mëdha dhe procedura arkaike të dizajnuara për të penguar zhvillimin e shëndetësisë së Kosovës dhe menaxhim diktatorial i administratës, që ka krijuar një atmosferë toksike në raport me kabinetin tim.
Kujtojmë se Latifi nuk kishte raporte të mira me njeriun e dytë në ministrinë e Shëndetësisë, Sekretarin e Përgjithshëm Naim Bardiqin.
Latifi për disa muaj rresht kishte kërkuar nga shefi i tij Albin Kurti që ta largoj nga puna Bardiqin.
Por, kërkesa e tij nuk u realizua.
Në media u raportua se Latifi e Bardiqi nuk flisnin me muaj.
“Ka më shumë se dy muaj që Naim Bardiqi nuk komunikon me ministrin Latifi”, kishte thënë një burim për Blicin.
Bardiqi ka mandat katërvjeçar për të ushtruar pozitën e sekretarit në Ministrinë e Shëndetsisë.
Propozim-vendimi është bërë nga ish-ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ndërsa është aprovuar në mbledhjen e Qeverisë në muajit gusht të 2021-ës.
“Propozim-vendimi për vazhdimin e mandatit të z. Naim Bardiqi si sekretar i përgjithshëm i Ministrisë, bazohet në përformancën e shkëlqyer të tij në të gjitha aspektet e menaxhimit të mbikëqyrjes administrative. Ka treguar përformancë edhe në menaxhimin e mbikëqyrjen e vaksinimit dhe të luftimit të pandemisë në përgjithësi. Riemërimi i tij në pozitën e sekretarit krijon stabilitet e qëndrueshmëri institucionale që janë jashtëzakonisht të nevojshme në këto momente”, kishte thënë ish-ministri Vitia.
Ndryshe, Bardiqi njihet edhe si njeri i afërm i Arben Vitis, ish-ministër i Shëndetësisë, i cili u largua për shkak të garës për kryetar të Prishtinës.