×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Keqmenaxhim i Fondit të Sigurimeve dhe mungesa e buxhetit, çka gjeti Dr. Latifaj për dhjetë muaj si ministër

    Insajderi
    08 October 2022 - 13:02
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Rifat Latifi përmes një letre të gjatë ka treguar se çka gjeti për dhjetë muaj si ministër i Shëndetësisë, zbuloi sfidat, por edhe disa nga të arriturat. Doktori që erdhi nga Amerika, dha para dy ditësh dorëheqje, duke e konsideruar këtë vendimin më të vështirë në jetën e tij.

    Gazeta Insajderi

    Dy ditë pas dorëheqjes, tash ish-minsitri Latifi, tha se ky veprim erdhi si rezultat i një reflektimi në muajt e fundit.

    Që nga ardhja e tij në krye të Ministrisë së Shëndetësisë më 16 nëntor 2021, ai ka arritur të konstatojë 13 gjetje, në mesin e të cilave e ka përmendur “buxhetin e vogël” dhekeqmenaxhimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore”, shkruan Gazeta Insajderi.

    Si pasojë e gjetjes së fundit, në muajin korrik të këtij viti, Bordi i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore në mbledhjen konstituive me shumicë votash ka votuar për suspendim të përkohshëm të drejtorit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, Fatmir Plakiqi.

    Kështu bëri atë ditë të ditur në një konferencë për medie, zëvendësministrja e Shëndetësisë, Dafina Gexha-Bunjaku, e cila tash do ta ushtrojë postin e ministrit, pas dorëheqjes së Rifat Latifit.

    “Në këtë takim me shumicë votash u vendos që të suspendohet apo largim i përkohshëm i drejtorit të Fondit për Sigurime Shëndetësore, Fatmir Plakiqi”.

    Ajo tregoi edhe arsyen e largimit të përkohshëm të drejtorit të Fondit për Sigurime Shëndetësore.

    “Koha e suspendimit ashtu siç parashihet me legjislacion do të respektohet, mirëpo do të mundohemi që sa më shpejt edhe si Bord të marrim edhe vendimin përfundimtar. Arsyetimi që është dhënë për largim të përkohshëm nga detyra e drejtorit të Fondit për Sigurime Shëndetësore është që të kemi një siguri ne si Bord në këtë fazë në sigurimin e informacioneve dhe raporteve të ndryshme që na duhet t’i analizojmë për një periudhë kohore”, tha ajo, shkruan Gazeta Insajderi.

    Dafina Gexha-Bunjaku, e cila është edhe kryesuese e Bordit të Fondit për Sigurime Shëndetësore, tha sejanë në dijeni për problemet që ka Fondi e që sipas saj pjesa më e madhe buron nga mënyra e drejtimit të këtij institucioni.

    “Fondi nga qeveritë e kaluara i është dhënë kompetencë kryerja e një funksioni siç është trajtimi i rasteve jashtë institucioneve shëndetësore publike, qoftë brenda vendit, qoftë edhe jashtë vendit. Kryerja e këtij funksioni nga ky institucion më së pakti mund të quhet haptazi se nuk është pjesa me çfarë dikush do të mund të krenohej. Jemi në dijeni për tepër shumë probleme. Të gjitha do të adresohen. Një pjesë e tyre e madhe burojnë nga mënyra e drejtimit të Fondit dhe pjesa nga konceptimi paradoksal i këtij institucioni”.

    Kush është Fatmir Plakiqi?

    Drejtori i suspenduar i Fondit për Sigurimet Shëndetësore, e kishte marrë këtë pozitë në dhjetor të vitit 2017.

    Atë e kishte emëruar ministri i atëhershëm i Shëndetësisë, Uran Ismaili, i cili pati thënë se “tashmë çështjen e sigurimit shëndetësor e kanë shndërruar në prioritet kombëtar”, derisa kishte thënë fjalë të madha për njeriun që e kishte vënë në krye të një institucioni me rëndësi jetike.

    “Zotëri Plakiqi vjen në këtë pozitë pas një përvoje shumë të madhe dhe të pasur institucionale. Ai ka zhvilluar dhe ka transformuar disa prej institucioneve më të rëndësishme të vendit, nga pika fillestare në institucione të fuqishme, kredibile dhe shumë të suksesshme. Për pesë vite ka qenë drejtor i Thesarit dhe anëtar i Bordit të Bankës Qendrore. Para saj ai ka shërbyer edhe si drejtor i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa në Policinë e Kosovës dhe drejtor i administratës në Agjencinë Kosovare të Inteligjencës”, kishte shkruar Ismaili.

    “Sigurimet Shëndetësore tashmë i kemi shndërruar në prioritet kombëtar, në mënyrë që të zbusim varfërinë e qytetarëve tanë, për realizimin e të cilave po angazhojmë kuadrot më profesionale që ky proces të përfundojë në afatin e duhur”, pati thënë ish-ministri i Shëndetësisë, shkruan Gazeta Insajderi.

    Për pesë vjet, Plakiqi ka vazhduar ta drejtojë Fondin e Sigurimeve, ndonëse puna e tij është përshkaur me shumë parregullsi, siç ishte ky i fundit me keqpërdorimin e fondeve për pacientët e trajtuar jashtë vendit.

    Si pjesë e këtij skandali, Gazeta Insajderi, ka raportuar ekskluzivisht rrëfimin e sinjalizuesit kryesor mbi këtë çështje.

    “Unë jam Alban Pozhegu kam qenë ish-zyrtar i prokurorimit në Ministrinë e Shëndetësisë për 17 vite, pastaj kam kalu në Fondin për Sigurime Shëndetësore si sinjalizues i kam paraqit disa raste së pari për shkak të një tenderi, një artikullin të cilin e kanë publiku në ëeb faqe të KRPP-së si tender për me u nënshkru kontrata në Ministri, të cilën tender unë nuk e kam pas aprovu apo nënshkru, apo ndonjë vlerësim për shkak se çmimi ka qenë jo normalisht i lartë për atë produkt, për barna po… kështu që pasi e kam vërejtur që është publiku, ka dalë njoftimi për nënshkrim kontrate kam njoftu zyrtarët më të lartë në MSH dhe ju kam shkru një imell, ku i kam njoftu për parregullsitë edhe mënyrë se si është bërë ky njoftim për kontratën pasi që ka qenë jo ligjërisht i publikuar. Si përgjigje ose rezultat i kësaj mua më është ndërpre kontrata e punës me arsyen se nuk kam pasur… nuk kam tregu rezultat”, ka thënë ai për InDoks.

    Ai e prezanton veten si sinjalizues i keqpërdorimeve bash në institucionin që për vite e drejton Fatmir Plakiqi.

    Në këtë intervistë të gjatë për InDoks, Pozhegu, dikur shef i tenderëve në Fondin për Sigurimet Shëndetësore, ka shpalosur qindra faqe dokumentesh, për siç thotë ai, keqpërdorime nga vet mënyra se si në krye të Fondit erdhi Plakiqi, punësimet, tenderë e deri të dyshimet serioze për keqpërdorime me paratë e shtetit për shërim jashtë vendit.

    Keqpërdorimet në emër të shërimeve jashtë vendit

    Kohët e fundit në lidhje me Fondin e Sigurimeve Shëndetësor i cili prej vitesh udhëhiqet nga Fatmir Plakiqi, janë ngritur dyshime që keqpërdorime të mëdha financiare kanë ndodhur me shërbimet për shërim jashtë vendit.

    Në vitin 2021 mbi 1100 kosovarë janë dërguar për shërim jashtë vendit. Vlera e shpenzimeve ka shkuar në mbi 10 milionë euro. Vetëm deri në prill të vitit 2022 ishin shpenzuar, po për shërim jashtë vendit mbi 1.7 milionë euro të tjera.

    Çka ka gjetur prej dokumenteve sinjalizuesi Pozhegu për dyshimet për keqpërdorime në emër të shërimit jashtë vendit? Dokumentet e njëjta ai i ka ndarë me InDoks, por për shkak që në to ka të dhëna të pacientëve të njëjtat nuk do të shfaqen në publik.

    “Shërime jashtë vendit, unë nuk kam qenë zyrtar i cili jam kanë përgjegjës ose kam punu në departamentin ose zyrin për trajtimin jashtë vendit. Mirëpo, më ka ra në dorë por faktikisht kjo ja ka nis 2019-ën kur u ktheva herën e parë, një prind erdh me u anku dhe u anku, në faturë, në faturë tha se është e madhe edhe nuk kam kry unë këtë shërbim për me kanë fatura kaq e madhe, është shumë e vogël fatura për vajzën e saj, se për fëmijë deri 18 vjet fatura paguhet 100% edhe unë qëllova në korridor e dëgjova ata e morën pak si më të mirë, zyrtarët të cilët ishin personat, drejtori Fatmir Plakiqi ai iu kërcënu tha unë jam punonjës në Polici edhe ka më ju bë kallëzim penal, e ka me ju shkru e çka po di unë edhe Fatmiri e thirri në zyre dhe çka ka ndodhë tutje nuk e di”, deklaroi Pozhegu.

    “Ai me këtë punë nuk e ka bë të madhe, por dokumentet si dokumente janë dhe më doket që atij fëmijës prej 160 mijëve dikun 310-320 mijë ju ka bë fatura, i ka ardhë. Unë pastaj i kam pa edhe disa modele tjera të vendimeve p.sh nënshkruma që janë dyfishume, të faturave të cilat vijnë dhe rritet numri enorm i pacientëve për trajtim për leukemi. Aty, prej një numri shumë të vogël që unë jam në Ministri të Shëndetësisë prej 2001, numër enorm ka erdhën për menjëherë u rritën numrat, veç për këto që paguhen qind për qind”.

    “Këto tregojnë qysh janë çmimet, vendimet janë shembull 160 mijë për një pacientë vendimi bëhet bazë të pro faturës, të cilën e lëshon spitali pasi ti sheh simptomat dhe çka ka me kry tek pacienti se nuk është që tash vendimi po bëhet pa ndonjë bazë”.

    “160 mijë ero e fatura është ardhë për 310 mijë e 574 euro shembull. Ka, shembull është vendimi një vendim tjetër për 50 mijë euro tash edhe nashta sdi bash taman taman me i gjetë por vjen fatura 110 mijë euro, këto janë krejt të dyfishume, pastaj është një tjetër 147 mijë euro edhe…

    Por është edhe një e fundit që këtu mundet me u pa se tash unë edhe s’po mundem me i gjete p.sh 13 mijë euro është një vendim edhe kur vjen fatura, vjen që veç te gjete këtu vjen 120 mijë euro, dmth prej 13 mijë euro vendimi vjen fatura 120 mijë euro. Këto janë krejt janë qeshtu, asnjë nuk është siç duhet, fund e kry unë për qeto edhe për krejt shkeljet tjera e kam korrespodencën të cilën e kam bë gjatë gjithë kohës e kam njoftu stafin edhe e kam njoftu Bordin e Fondit edhe në miellin e fundit që kurrë s’më ka shkru imell Plakiqi, por unë këto shkrime që i kam bë në miellin e fundit që ma shkruan të vetëm, thotë mos e shqetëso stafin me këto rrena, jo vec faturat se tash ka shumë sene tjera por edhe për këto tjerat e kam njfotu e kam shkru por thotë mos e shqetëso stafin me parregullsi”, potencoi ai gjatë intervistës për InDoks.

    Po për shërim jashtë institucioneve publike kosovare, ai jep edhe shifra se sa janë ato e në cilin shtet kanë përfunduar këto para. Ngre dyshime edhe për një spital që Fondi i kishte shumë borxhe, dhe pas një takimi me Drejtorin Fatmir Plakiqi, çuditërisht borxhi u pagua.

    “Fondin më duket e ka 6-7 milion për me rishikim të buxhetit gjithë shtohet se ka nevojë, por vitin 2020 e kam një raport ku, ka qenë Borxhi dikun afër 20 milionë për spitalet private kryesisht nëpër Turqi. Edhe kjo është bë pa kurrfarë, për çka është një gjë me cekë se vitin 2019 ka kërku, nuk emrin nuk e mbajë mend as nuk e di, herën e parë e kam pa më ka kërku me më ndihmu për me ia kry pagesat e qetyre spitaleve, medical e qeto të Turqisë me i kry pagesat për Fond të Sigurimeve Shëndetësore se jam blloku. Unë i kam thënë s’jam në punë, më kanë largu prej punës por i vetmi njeri që mundet me kry punë është drejtori, Fatmir Plakiqi për rastësi unë pas 1 muaji u ktheva më erdh vendimi prej përmbarimores me u kthy në punë dhe i pyeta kolgët a i është kry pagesa qesaj, po bre tha ju ka kry menihere dmth ka qenë në pyetje 2 milionë e diçka euro, ju kanë kry meniherë”.

    “Ironia më e madhe e kësaj është që në Bord të Fondit për Sigurime Shëndetësore është edhe personi përgjegjës për të drejtat e pacientëve kur ai i ka ditur qeto gjëra që i kam njoftu unë, qeto parregullsi qysh nuk ka vepru. Kurgjo tjetër”, tha Alban Pozhegu

    Auditori i Përgjithshëm ka tri vite që publikon raporte për Fondin për Sigurimet Shëndetësore. Në këto raporte në një far forme më shumë lihen fajtore palët që për shërim jashtë institucioneve publike kosovare nuk kanë sjellë faturat, se sa që ngritën dyshime për drejtuesit e Fondit.

    “Nga 88 mostrat e testuara në vlerë prej 4.8 milionë eurosh tek rastet e rregullta ose jo urgjente, vetëm 55 pacientë i kishin dorëzuar faturat e trajtimeve, përderisa pjesa tjetër e pacientëve nuk i kishin dorëzuar dëshmitë e trajtimit të subvencionuar nga FSSH. Vlera financiare për rastet të cilat nuk i kishin dorëzuar dëshmitë e trajtimit është 446 mijë e 429 euro”, thuhet në raportin e fundit dhe shton Auditori që “Kjo kishte ndodhur për shkak të neglizhencës nga palët përfituese”.

    Alban Pozhegu që ka denoncuar raste të shumta në lidhje me këtë institucion, thotë që drejtori aktual i Fondit, Fatmir Plakiqi ka një lidhje me Zyrën Kombëtare të Auditimit.

    “Çka është një gjë që duhet me cek që Fondi i Sigurimeve Shëndetësore asnjëherë nuk del keq në auditime, as auditim të brendshëm as të jashtëm arsyeja është që Auditori i brendshëm është shoku i ngushtë i drejtorit, Fatmir Plakiqit – Jeton Qorri, është auditor kudo që ka punu Fatmir Plakiqi, Jeton Qorri ka qenë me të edhe është në rrjetet sociale me të gjitha anët dhe shihet me të. Ndërsa auditori i Jashtëm, Valbon Bytyqi  është në pozitë të lartë në auditorin e përgjithshëm dhe është i paguar nga Banka Botërore në Fondin për Sigurime Shëndetësorë ai i menaxhon auditorët e jashtëm kur vijnë edhe e qesin raportin e mirë, por brenda rregullon Jeton Qorri”, tha ai.

    Derisa në Fond, në përgjigjen për InDoks, e shpërfillin e nuk e konsiderojnë as si sinjalizues, i pari i shëndetësisë tash në vend, Rifat Latifi haptazi po e ngre zërin për Fondin. Kur e vizitoi së fundi këtë institucion, ai përdori përshkrimin: Jam tmerruar.

    “Nëse dikush e ka keqpërdorur pozitën, atëherë do të ketë pasoja. Për llogarinë time, unë jam tmerruar, kur kam shkuar në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore e në oborr të Fondit janë dy dyqane që merren me rekrutimin e pacientëve për t’i dërguar jashtë vendit”, tha Rifat Latifi, ministër i Shëndetësisë.

    Raportimi i Fatmir Plakiqit në Komisionin për Shëndetësi, dhe konfrontimi me Armend Zemajn

    Para dy ditësh, tash Drejtori i pezulluar i Fondit për Sigurime Shëndetësore, Fatmir Plakiqi, i ka quajtur tendencioze raportimet për keqpërdorimet në këtë fond.

    Ai gjatë raportimit para Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, ka thënë se të gjitha këto, siç i ka quajtur ai, spekulime, të premten do t’i dërgojë në Polici e Prokurori.

    Sipas tij, prej vitit 2018 kanë nisur sulmet, e që siç tha ai, përkojnë me kohën prej kur ka propozuar ndryshimin e udhëzimit administrativ e tutje.

    “Të gjitha këto spekulime të premten do t’i dërgoj në Polici e Prokurori. Kjo është arsyeja pse nuk kam dalë në publik. Krejt informatat janë tendencioze. Ka pasur lloj-lloj informata që janë plasuar. Por, janë organet e hetuesisë që të premten kam me ua dorëzua dosjen”, ka deklaruar Plakiqi, shkruan Gazeta Insajderi.

    Sipas tij, deri më tani kanë barazuar 44 institucione shëndetësore dhe shuma e fondeve të pashfrytëzuara është 1.4 milionë.

    Ai tha se tani janë në fazën e barazimit me 48 institucionet jashtë vendit në Maqedoni të Veriut dhe Turqi.

    Derisa deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, që pjesë e Komisionit, hodhi dyshimet se janë lëshuar fletëzotime për patologji të cilat nuk janë në listën për trajtim jashtë vendit. Derisa kërkoi të di më shumë rreth agjencive që po veprojnë në oborrin e objektit të Fondit për Sigurime Shëndetësore.

    “A keni referuar ju pacientë nëpër spitale personale tek ndonjë linje ashtu siç është gjithmonë ashtu siç është raportuar qoftë nga mediat apo familjarët besoj që keni ndonjë sqarim… Është hedhur dyshime se ka ndërmjetësues dhe ka organizata çka janë aty rreth e rreth Fondit që ata e bëjnë punën e vetë por cila mund të jetë ndërlidhja mes palëve që me të drejtë kërkojnë trajtim, listën e patologjike e keni reviduar ShSKUK si kërkesë ndër vite”, pyeti Zemaj.

    Plakiqi iu përgjigj, duke thënë se kanë kërkuar që këto agjenci që janë përreth Fondit që t’i kontrolloj Inspektorati Shëndetësor, por nga ky institucion kanë thënë se nuk mund ta bëjnë këtë pasi janë të regjistruara në ARBK.

    Tentimi i dështuar i Zemajt për shkarkimin e Plakiqit

    Në janar të vitit të kaluar ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, kishte bërë përpjekje ta shkarkojë tash drejtorin e pezulluar të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, Fatmir Plakiqi.

    Kjo pasi për muaj me radh Bordi i Fondit të Sigurimeve Shëndetësore nuk ka mbajtur asnjë mbledhje, por kur Zemaj bëri përpjekje që të mbledh anëtarët e Bordit, me pikën e vetme për shkarkimin e drejtorit Plakiqi, dështoi, pasi ishte kundërshtuar nga disa anëtarët të Bordit.

    Ky veprim i Zemajt kishte ardhur pasi ia kishte kërkuar dorëheqjen Plakiqit, por ky nuk ia kishte pranuar.

    Zemaj atë kohë nuk kishte folur për arsyet e përpjekjes për shkarkimin e Plakiqit, por kishte informacione se një nga arsyet ishte borxhi milionësh i Fondit ndaj institucioneve private shëndetësore.

    © Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark