×
  • Kulturë
  • Show / Kulturë

    Diku rreth Bjork dhe PJ Harvey është Mimoza H

    Insajderi
    27 June 2016 - 20:28
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Tek seksioni i influencave në faqen e saj në Facebook, Mimoza H shkruan se Bjork është një prej shumë artisteve që ndikon në muzikën e saj, por në videon dhe këngën e saj të parë, mund të vërehet edhe pak shije e PJ Harvey e cila gjithashtu së fundmi është ndikuar nga Kosova.

    Nga Kosova është edhe Mimoza H e cila jeton në Montreal e që së fundmi ka sjellë këngën “The Wild Women” që në dëgjim të parë duket sikur një tentim për të dalë nga vetja por që pas dy-tri dëgjimeve të tjera e kupton thellësinë që në fakt ka të bëjë me gjetjen e vetvetes.

    E nga kjo këngë dhe video duket sikur Mimoza H e ka gjetur vetën në muzikën që mund të quhet pak “kaotike” pasi është një përzierje e tingujve elektronik me alt-pop e art-rock pa harruar neo-tradicionalen dhe ndikimin e “erës së errët” qysh edhe njihet në muzikë si “ethereal wave”.

    Fakti që Mimoza është një hulumtuese autodidakte e muzikës e shton edhe më shumë kuriozitetin për personalitetin e saj si artiste pasi vetëm nga artistët autodidakt mund të presësh frymëzime personale dhe sociale që ndikohen siç thuhet në përshkrimin për Mimozën, “nga lëvizjet e vazhdueshme në rrugë”.

    “Ndjehem sikur kam jetuar rreth tri herë jetën time”, shkruan vetë artistja.

    Por edhe në historitë personale, artistja ka imagjinatë dhe emocion të papërpunuar që ndryshon në vazhdimësi varësisht nga përvojat e saja.

    Albumi i saj debutues “Uproot” që në shqip ka kuptimin e heqjes dorë nga “rrënjet…” thuhet se është një eksplorim i gjerë i tingujve organik me një sfond të “ëmbël”.

    Kësisoj, diapazoni i saj artistik nuk është i lehtë për tu kategorizuar pasi është përzierje e shumë zhanreve. E tentimi për t’u ç’rrënjëzuar nuk ka pasur “sukses” në aspektin kulturor e muzikal, pasi muzika e saj, siç pranohet nga vet këngëtarja është gjithashtu një ndikim i muzikës shqiptare dhe kosovare.

    Megjithatë, si të gjithë artistët që janë në kërkim të asaj që nuk është e qëndrueshme edhe Mimoza H duket sikur i ka hyrë një kërkimi që do ta lidhë atë me shumë artiste të tjera të këtij kalibri, por kjo në fakt e bënë atë të mos jetë as Bjork as PJ Harvey.

    E kjo është bukuria e një artisteje autodidakte./Insajderi.com

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark