"Dikur Ceca e Dragana" - sot, shqiptarët e Shqipërisë shumë të dhënë pas këngëve serbe - Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi

    “Dikur Ceca e Dragana” – sot, shqiptarët e Shqipërisë shumë të dhënë pas këngëve serbe

    Insajderi
    06 October 2022 - 22:03
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Nuk janë të rralla rastet kur në Shqipëri dëgjohen këngë në gjuhen serbe në televizione, plazhe e kafiteri. Përveç kësaj, edhe organizohen koncerte me këngëtarë serbë. Këto veprime nga shqiptarët e Kosovës shpesh perceptohen si afeksion i bashkëkombësve në raport me kulturën serbe. Lidhur me këtë temë, Gazeta Insajderi ka kontaktuar me studiuesin e letërsisë, shkrimtarin dhe profesorin universitar, Agron Gashi si dhe me historianin dhe përkthyesin, Col Mehmeti.

    Gazeta Insajderi

    Qindra prej shqiptarëve ishin edhe pjesë e UÇK-së në luftën e fundit në Kosovë, por sa janë të dhënë shqiptarët e Shqipërisë sot ndaj Kosovës?

    Sipas profesorit Agron Gashi, pjesa më e madhe e shqiptarëve janë të dhënë jashtëzakonisht shumë pas Kosovës, madje potencon se shumë nga ta përveç që dhanë armët edhe luftuan në vijën e parë të frontit ndaj Serbisë.

    “Pjesa më e madhe e shqiptarëve janë jashtëzakonisht të dhënë pas Kosovës. Madje, ne, luftën e fundit e kemi bërë me armët e tyre. Ata na i ofruan armët, jo vetëm mikpritjen si refugjatë. Janë qindra prej tyre që janë dëshmuar si ushtarë të UÇK-së. Disa prej tyre janë dëshmorë dhe janë shndërruar në legjenda. Kujto këtu Tahir Sinanin e shumë të tjerë”- tha Gashi.

    Kur dëgjuan kosovarët dy këngëtaret serbe, Draganën e Cecën?

    Profesori Gashi ka përmendur rastet kur në vitet ’98, ’99 ishin po refugjatët kosovarë ata që dëgjuan këngë serbe, më saktë këngëtaret Dragana Mirkoviç dhe Cecan, kjo sipas tij një paradoks i madh.

    Vitet, ’98, ’99, po të hipje në një autobus të trafikut urban, refugjatët kosovarë dëgjonin këngët e Dragana Mirkoviç, të Cecës etj. Paradoks i madh! Sipas meje, atëherë nuk e kanë pasë të qartë se çfarë kishte ndodhur vërtetë historikisht me Kosovën, sidomos një pjese e tyre që kishin lidhje tregtare me Malin e Zi, qe nuk ishte i ndarë nga Serbia. Sidoqoftë, kjo është pjesa më e pavetëdijshme e Shqipërisë kombëtare, e cila jo rralle përplaset me konceptin Shqipëri shtetërore” – shpjegon Gashi.

    Agron Gashi, doktor i letërsisë, studiues, shkrimtar dhe mësimdhënës

    A po dëgjohen këngët në gjuhën serbe nga shqiptarët e Shqipërisë qëllimisht?

    Sipas studiuesit dhe përkthyesit, Col Mehmeti, përsëritja kaq e shpeshtë e performimeve të këngëtarëve serbë në Tiranë nuk mund të kualifikohet më si incident.

    Ai thotë se kjo ose bëhet qëllimisht ose nga injoranca.

    “Përsëritja kaq e shpeshtë e performimeve të këngëtarëve kontraversë serbë në Tiranë nuk mund të kualifikohet më si incident. Këtu janë dy mundësi: ose bëhen qëllimisht, ose bëhen nga injoranca në kushtet e një kulture gjithçkangrënëse. Unë dua ta besoj këtë të dytën simbas ‘briskut të Halonit’ që kurrë të mos i atribuohet ligësisë diçka që shpjegohet fare thjesht nga marrëzia” – tha Mehmeti.

    Studiuesi i historisë, gazetari dhe përkthyesi, Col Mehmeti

    Ai tutje shtoi, se ajo që sot duket normalitet në rajon nuk ishte kështu në vitet ’90, duke nënvizuar se arti i elitës muzikore ish-jugosllave i ka shërbyer ekzigjencat e nacionalizmit serb.

    “Thuhet deri në monotoni se arti ka një jetë të shkëputur nga politika, por ajo që harrohet është konteksti. Ajo që sot duket normalitet në rajon nuk ishte kështu në vitet ’90, dhe ka qenë arti i elitës muzikore ish-jugosllave që ka shërbyer me takëm ekzigjencat e nacionalizmit serb. Kur artistë në Perëndim e gjejnë veten të rrënuar, shpesh edhe pa të drejtë, për një fjalë goje që sfidon korrektësinë politike, nuk është e hajrit që të injorohet dimensioni politik i turkofolkut jugosllav që po përjetohet me aq entuziazëm nga disa media e figura në Tiranë” – tha Mehmeti.

    Kujtojmë se, hiç më larg se ditën e djeshme, Radio Televizioni Shqiptar e nisi ditën me një këngë në gjuhën serbe, duke mos qenë ky rasti i vetëm.

    Vlen të përmendet, se shumë u kritikuan edhe performancat e vokalistit, Goran Bregoviq, ajo e vitit 2006 në Tiranë dhe ajo e vitit 2021 në Korçë

    GAZETA INSAJDERI


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark