×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    “Dikur na quajtën heronj e sot na injorojnë” – paralajmërohen greva tjera nga Sindikata e Infermierëve të Kosovës

    Insajderi
    26 April 2022 - 14:41
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Nënkryetari i Sindikatës së Infermierëve të Kosovës, Enlirat Duraku ka thënë se pas grevës së mbajtur me 5 prill, do të vendoset edhe për një tjetër pas datës 5 maj, shkruan Insajderi.

    Duraku për Insjaderin tha se kërkesat e tyre janë bazike, në mesin e tyre edhe ajo për rritjen e pagesës për kujdestari nga 18 euro sa paguhet në 36 euro.

    “Dikur na quajtën heronj, ndërsa sot na injorojnë”, tha nënkryetari i Sindikatës.

    Nënkryetari i Sindikatës së Infermierëve në Kosovë, Enlirat Duraku

    “Sindikata e Infermierëve të Kosovës kërkon: a ) Pagë dinjitoze, koeficientin e pagës 7.1 ose 70% të pagës së një mjeku, b ) Rritje të pagesës së punës gjatë natës nga 18€ në 36€, c ) Pagesën e punës gjatë festave dhe fundjavave ashtu siç u paguhet mjekëve, ku për një fundjavë një mjek paguhet afër 100% më tepër se infermierët ( infermieri = 18€, mjeku = 160€ ) d ) Pagesën e orëve shtesë dhe rrezikshmërisë në punë, e ) Kthimin e Departmentit të Infermierisë në QKUK, f ) Përfshirjen e një anëtari nga komunitetet tona në Bordin e SHSKUK-së, pasi konsiderojmë që jemi të diskriminuar duke pasur parasysh që përbëjmë afër 75% të fuqisë punëtore në sistemin shëndetësor të vendit, g ) Vazhdimin e kontratave për infermierët, mamitë dhe profesionistët tjerë shëndetësor të pranuar nga MSH si mbështetje në luftimin e pandemisë COVID – 19”, ka thënë ai për Insadjerin.

    Ai shtoi se janë duke u injoruar nga Ministria e Shëndetësisë, gjegjësist ministri,  Rifat Latifi me të cilin ende nuk kanë pasur një takim përkundër që 1 muaj më parë ishte lajmëruar.

    “Në anën tjetër nga Ministria e Shëndetësisë ende nuk kemi marrë përgjigje lidhur me kërkesat e komuniteteve tona, qoftë edhe për takim. Ndërsa ky institucion vetëm se është i njoftuar lidhur me kërkesat tona qysh nga viti 2019, ndërsa edhe ministri z. Latifi është në njoftuar për këto kërkesa gjatë një takimi muaj më parë, para vendimit për veprime sindikale, e të cilat janë rezultat i injorimit të kërkesave tona”, tha ai për Insajderin.

    Sipas tij përgjegjësi duhet të japin ata që gjatë pandemisë infermierët i quajtën heronj e sot i injorojnë.

    “…sinqerisht kërkojmë ndjesë nga qytetarët me rastin e organizimit të grevave, respektivisht pamundësinë e shfrytëzimit të shërbimeve infermierore gjatë aktiviteteve, mirëpo shpresojmë edhe në mirëkuptimin e tyre dhe respektimin e së drejtës sonë që të kërkojmë kushte më të mira pune, status social meritor dhe mirëqenie më të mirë sociale dhe ekonomike, mundësinë për kujdes dhe mbështetje të familjeve tona, ndërsa përgjegjësia për pasojat do bie pikërisht mbi ata që dikur na quajtën heronj, ndërsa sot na injorojnë”, u shpreh Duraku.

    Ndërkohë, Sindikata e Infermierëve të Kosovës ka mbajtur një grevë 1 orësh me datën 5 prill. Pas kësaj kanë zhvilluar takim me drejtorin e Përgjithshëm të SHSKUK-së dhe anëtarin e Bordit të SHSKUK-së, me ç’rast kanë parashtruar kërkesat të cilat sipas tyre bien në domenin e SHSKUK-së.  

    Përveç kësaj, Duraku bëri me dije se kanë zhvilluar edhe një takim tjetër me anëtar të Bordit të SHSKUK-së për të gjetur një zgjidhje për kërkesat e tyre. Këta të fundit ende nuk ju kanë kthyr ndonjë përgjigje konkrete.

    “Realizimi i këtyre kërkesave padyshim që do kishte impakt edhe në ndalimin e ikjes së infermierëve për në vendet e BE-së, do siguronte rritje të përgjegjësisë në punë, llogaridhënies dhe rritje të cilësisë së shërbimeve dhe ndërhyrjeve infermierore”, potencoi ai.

    Sindikata e Infermierëve të Kosovës sipas Durakut nga viti 2019-të është duke u neglizhuar si nga SHSKUK ashtu edhe nga Ministria e Shëndetësisë.

    /GazetaInsajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark