Policia e Kosovës ka njoftuar se një person i armatosur që po barte me vete përreth 21 kilogramë marihuanë ka rrezikuar jetën e zyrtarëve policorë në pikën kufitare Kosovë-Shqipëri.
Siç thuhet në njoftimin e PK’së, I dyshuari me të vërejtur zyrtarët policorë ka drejtuar armën e zjarrit në drejtim të tyre, ka hedhur çantën dhe është larguar në drejtim të Shqipërisë përmes zones malore.
Njoftimi i plotë:
Policia e Kosovës, respektivisht njësia hetimore nga Departamenti i Kufirit me datën 20.08.2025, rreth orës 20:30 gjatë veprimeve hetimore në zonën kufitare Kosovë-Shqipëri përgjatë vijës së gjelbër, ka hasur në një person të dyshuar i cili ishte duke e bartur një çantë dhe ishte i armatosur. I njëjti në momentin që ka vërejtur zyrtarët policorë ka drejtuar armën e zjarrit në drejtim të zyrtarëve policorë, duke paraqitur rrezik të drejtpërdrejtë ndaj tyre. Zyrtarët policorë kanë tentuar që ta ndalojnë të dyshuarin duke u prezantuar, mirëpo i njëjti ka hedhur çantën dhe ka arritur që të dalë në zonën malore në drejtim të Shqipërisë.
Lidhur me rastin është kontrolluar çanta ku është vërejtur sasi e substancës së dyshuar narkotike e llojit marihuanë, e cila pas matjes nga Njësia e Antidrogës ka rezultuar rreth 21 kilogramë (marihuanë). Për veprimet e ndërmarra lidhur me rastin është njoftuar prokurori kompetent, me udhëzim të të cilit është iniciuar rasti i cili mbetet të trajtohet nga DHTN – Prizren. /Insajderi.org/

