×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Disa orë bisedime ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit me BE-në, dhe pastaj ndërhynë Amerika

    Insajderi
    22 November 2022 - 10:39
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Gazeta Insajderi

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë të hënën se propozimi i Bashkimit Evropian për çështjen e targave ilegale serbe ka qenë i papranueshëm dhe se ndërmjetësuesit e Bashkimit Evropian “kanë hequr dorë” nga propozimi i tyre për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

    Sipas tij, propozimi i BE-së, që Kosova të mos fillojë me shqiptimin e gjobave, dhe që Serbia të mos lëshojë targa të reja për serbët e Kosovës, është i papranueshëm “nëse nuk shoqërohet me dakordimin që me urgjencë të angazhohemi për marrëveshje finale për normalizim të marrëdhënieve”.

    Ai ka thënë se palët kanë diskutuar “edhe për marrëveshjen finale edhe për çështjet aktuale”.

    “Në propozimin që na e kanë sjellë [më herët] zotërinjtë [kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep] Borrell dhe [i dërguari i BE-së për dialogun, Mirosllav] Lajçak për deklaratën e përbashkët, madje ka qenë edhe afati i marsit të vitit 2023. Pra, që ne po vijmë këtu në Bruksel për t’u marrë vesh drejt një ecjeje të re, për marrëveshje që arrihet para marsit të vitit 2023”, tha Kurti dje pas takimit, shkruan Gazeta Insajderi.

    Kurti ka thënë se Borrell “ka hequr dorë nga ky afat” dhe nga “propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

    “Unë jam i gatshëm të zhvilloj takime gjithmonë me strukturën dhe rendin e njëjtë: marrëveshja finale me normalizim të plotë të marrëdhënieve, që ka njohjen reciproke në qendër, dhe çështjet aktuale të natyrave të ndryshme, si puna e këtyre targave. Mirëpo, nuk bën njëra pa tjetrën”, ka thënë Kurti, shkruan Gazeta Insajderi.

    Ai i ka bërë këto pas takimit që ka zhvilluar të hënën në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe ndërmjetësuesit e Bashkimit Evropian.

    “Unë shpresoj që Bashkimi Evropian do të gjejë forcën që t’i rrijë mbrapa propozimit të vet për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Për pasojë, pas tetë orë bisedimesh, në gjashtë takime gjithsej, tri bilaterale dhe tri trelaterale, nuk kemi marrëveshje”, ka thënë mes tjerash Kurti.

    Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë pas takimit se pala serbe do t’i respektojë “këshillat dhe kërkesat” e kryediplomatit evropian, Borrell, i cili ndërmjetësoi bisedimet.

    Ky i fundit tha se Kosova dhe Serbia nuk arritën ndonjë marrëveshje për çështjen e targave dhe për këtë hodhi përgjegjësinë sidomos te pala kosovare.

    Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borrell e ka hedhur përgjegjësinë sidomos te pala kosovare për mosarritje të marrëveshjes.

    “Pas shumë orë diskutimesh, dy palët nuk u pajtuan për zgjidhjen sot”, ka thënë Borrell, duke shtuar se një gjë e tillë lë “vakum shumë të rrezikshëm sigurie në një situatë tashmë të brishtë”.

    “Për hir të transparencës, ne parashtruam një propozim që mund ta shmangte këtë situatë të rrezikshme. Presidenti Vuçiq e pranoi, por për fat të keq kryeministri Kurti nuk e pranoi”, ka thënë Borrell për gazetarët, shkruan Gazeta Insajderi.

    Edhe pse nuk ka marrëveshje, ai tha se kërkon nga Kosova që menjëherë “t’i pezullojë fazat e mëtejshme” të planit për riregjistrimin e makinave në veri të Kosovës, ndërsa nga Serbia “të pezullojë lëshimin e targave” të reja, të tilla si KM, që në Kosovë konsiderohen të paligjshme.

    “Unë u kërkoj të dyja palëve t’i zbatojnë këto dy kërkesa. Kjo do të ofrojë hapësirë dhe kohë për to që të kërkojnë zgjidhje të qëndrueshme për çështjen e targave”, tha Borrell, shkruan Gazeta Insajderi.

    Ai, po ashtu, tha se “do t’i informojë shtetet anëtare [të BE-së], partnerët, për sjelljen e palëve dhe mosrespektimin e detyrimit ligjor ndërkombëtar”.

    “Kjo vlen veçanërisht për Kosovën”, tha kryediplomati evropian, shkruan Gazeta Insajderi.

    Pas këtij momenti Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka bërë të ditur se i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës ta shtyjë vendosjen e gjobave për 48 orë.

    Hovenier tha se këtë kërkesë ia ka bërë qeverisë për t’i lejuar ShBA-të dhe BE-në që t’i angazhojnë palët për të gjetur një zgjidhje.

    “Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara se liderët e Kosovës dhe Serbisë nuk arritën sot të arrijnë një marrëveshje për zgjidhjen e krizës aktuale në Kosovë. Kemi kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të shtyjë për 48 orë vendosjen e gjobave për t’i lejuar BE-së dhe Shteteve të Bashkuara të angazhojnë më tej palët për të gjetur një zgjidhje”, është shprehur Hovenier, shkruan Gazeta Insajderi.

    Kryeministri Albin Kurti e ka pranuar kërkesën e SHBA, për shtyrjen e vendosjes së gjobave.

    “Falenderoj ambasadorin Hovenier për angazhimin dhe angazhimin e tij. E pranoj kërkesën e tij për shtyrje prej 48 orësh për vendosjen e gjobave për targat e paligjshme “KM” (dhe të tjera)”.

    “Jam i lumtur që do të punoj me SHBA-në dhe BE-në për të gjetur një zgjidhje gjatë dy ditëve të ardhshme”, ka shkruar Kurti në Twitter, transmeton Gazeta Insajderi.

    Qeveria e Kosovës ka nisur më 1 nëntor zbatimin e planit të saj për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe në targa RKS, apo Republika e Kosovës.

    Serbia – e cila lëshon targa për serbët e Kosovës që nga paslufta më 1999 – e kundërshton këtë plan, duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.

    Si pasojë e tensioneve të ngritura, serbët e veriut të Kosovës – ku qarkullojnë kryesisht makinat me targa të paligjshme – kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës.

    Ata, po ashtu, kanë paralajmëruar se do të kundërshtojnë shqiptimin e gjobave nga autoritetet e Kosovës.

    Sipas planit të Qeverisë së Kosovës, shqiptimi i gjobave prej 150 eurosh për shoferë që vozisin makina me targa të paligjshme, parashihet të nisë më 22 nëntor.

    Nga 1 nëntori deri mesnatën e 21 nëntorit është në fuqi faza e qortimit të shoferëve.

    Pas fazës së gjobave, fazë kjo që u shty për dy ditë, sipas planit, do të nisë shpërndarja e targave provuese, ndërsa nga 21 prilli i vitit të ardhshëm, në komunikacion do të lejohen vetëm makina me targa RKS./Gazeta Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark