×
Analiza

Dita e 11-të e barrikadave – “Largimi i tyre nuk mund të përjashtojë viktimat”, “Organet e rendit ta kryejnë punën pa u shqetësuar për politikë”

Insajderi
20 December 2022 - 14:09
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Njëri nga ambasadorët e vendeve të QUINT-it në Kosovë kërkon durim, ndërkohë që porositë Policinë e Kosovës, KFOR-in dhe EULEX-in që të kryejnë punën e tyre pa u shqetësuar për prioritet politike. Ndërsa kryeministri Albin Kurti në një intervistë për “The Guardina” ka deklaruar se barrikadat në veri nuk mund të tolerohen edhe shumë gjatë. Por, Kurti ka shtuar se shqetësimi i tyre është “se heqja e këtyre barrikadave nuk mund të përjashtojë viktimat”, andaj ka shtuar ai, kjo është arsyeja pse po veprojnë me shumë kujdes

Sot veriu u zgjua në ditën e 11-të me barrikadat që u vendosën nga banorët serbë në atë pjesë, nga e shtunja e 10 dhjetorit menjëherë pas arrestimit të ish-policit Dejan Pantiq, i dyshuar për organizimin e sulmeve ndaj zyreve të Komisionit Qendrorë të Zgjedhjeve në këtë pjesë.  

Grupet ilegale në veri i kanë ngritur barrikadat në Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok, rrjedhimisht si pasoje e tyre janë mbyllur pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak.

Vërehet prezencë më e shtuar e pjesëtarëve të KFOR-it dhe EULEX-it në të dy drejtimet e kufijve me Serbinë. Ndërsa, pjesëtarët e Policisë së Kosovës vazhdojnë patrullimin e tyre nëpër zonat me popullatë të përzier në veri të Mitrovicës, duke ofruar rend dhe siguri për të gjithë qytetarët, shkruan Gazeta Insajderi.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se barrikadat në veri nuk mund të tolerohen edhe shumë gjatë. Por, Kurti ka shtuar se shqetësimi i tyre është “se heqja e këtyre barrikadave nuk mund të përjashtojë viktimat”, andaj ka shtuar ai, kjo është arsyeja pse po veprojnë me shumë kujdes.

“Shqetësimi ynë [është] se heqja e këtyre barrikadave nuk mund të përjashtojë viktimat. Dhe kjo është arsyeja pse ne duam të jemi sa më të kujdesshëm për t’u siguruar që nuk do të ketë destabilizim dhe do të ketë paqe dhe siguri relative”, citohet të ketë thënë Kurti nga mediumi britanik “The Guardian”.

“Megjithatë, këtë shkelje të ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë nuk mund ta lejojmë përjetë. Pra, po, kjo duhet të përfundojë, sa më shpejt aq më mirë”, ka thënë tutje Kurti.

Ai ka shtuar se edhe SHBA-ja dhe BE-ja pajtohen që barrikadat duhet të hiqen. Por ata janë gjithashtu të shqetësuar se si kjo mund të përdoret dhe abuzohet nga Beogradi.

“Mendoj se shqetësimi i partnerëve dhe miqve tanë perëndimorë janë lidhjet mes Beogradit dhe Moskës. Nuk e dimë se si mund të vihen në funksion në rast të rritjes së tensioneve, drejt përshkallëzimit në veri”, citohet të ketë thënë Kurti.

Por thirrje për maturi ka bëtë Ambasadori i Britanisë së Madhe në Prishtinë, Nicholas Abbott, i cili ka deklaruar se zgjidhja e situatës së vështirë dhe të rrezikshme në veri të Kosovës kërkon durim dhe mendim të qetë.

Ai në një postim në Facebook ka shkruar se është e rëndësishme që t’i jepet kohë dhe hapësirë për të gjetur zgjidhje afatgjata për të mirën e të gjithë qytetarëve. Për më tepër porosity Policinë, KFOR-in dhe EULEX-in që të kryejnë punën e tyre pa u shqetësuar për politikën.

“Policia e Kosovës, KFOR-i dhe EULEX-i duhet të lejohen të bëjnë punën e tyre në mënyrë profesionale dhe pa u shqetësuar për prioritetet politike”, ka thënë Abbott. /Gazeta Insajderi

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark