Insajderi
Lajme

Dita e 31-të e tubimit në Tiranë me tensione e përplasje, qytetarët mbi 12 orë protestë

Insajderi
30 June 2026 - 23:35
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Dita e 31-të e tubimit në Tiranë me tensione e  përplasje, qytetarët mbi 12 orë protestë
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Tensione, përplasje dhe kërcënime. Protesta e 31 në Tiranë ishte më e gjatë, e nisur prej orës 10 para Parlamentit, e deri rreth mesnatës.

Një prej nismëtarëve, Arben Kola, u bëri thirrje qytetarëve të pranishëm duke thënë: “Për ata që nuk ishin te parlamenti, e patë që ata kërkojnë dhunë. Tani e mbrapa të reagojnë në mënyrë të pavarur dhe ne nuk mbajmë përgjegjësi. Ju me dhunë, dhe qytetarët me dhunë”.

Vetëm pak pas kësaj deklarate, para Kryeministrisë pati tensione. Qytetarët përzunë nga protesta një grua, e cila u prezantua si gazetare shqiptare në Greqi.

Pas përplasjeve të paradites me policinë para godinës së Parlamentit, tubimi i mbrëmjes para Kryeministrisë kishte në fokus kryesor Policinë e Shtetit.

Një mesazh i fortë iu dërgua Presidentit Bajram Begaj, teksa protestuesit patën një thirrje të prerë edhe për partitë e vogla.

“Mos u mundoni të merrni frenat e protestës. Luftën me Edi Ramën bëjeni në Kuvend. Mos postoni video nga protesta. Nëse doni, krah për krah me ne. Mund ta bëjmë këtë luftë edhe pa ju”, u shpreh një protestues.

Ndërkohë, në orët e paradites, protesta u shoqërua me tensione dhe përplasje para Parlamentit. Protestuesit goditën me vezë e shishe uji makinat e deputetëve dhe ministrave, si dhe tentuan të bllokojnë rrugën, gjë që solli ndërhyrjen e policisë.

Në terren zbritën edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, ku pas përplasjes me protestuesit, shoqëruan disa prej tyre, mes të cilëve edhe Dritan Goxhaj, një prej anëtarëve të grupit koordinator të tubimit. Kjo bëri që protesta të vazhdonte edhe para Policisë së Tiranës, deri në orët e pasdites, kur policia njoftoi lirimin e tyre.

Marshimi sot u bë nga Bashkia e Tiranës, Kuvendi, selia e PD dhe në fund u kthyen në Kryeministri./TCH


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark