Djali i heroit Xhevat, Bear Berisha përmes një njoftimi në Facebook ka treguar se sot ka vizituar krerët e UÇK-së në Hagë. “Sot në Hagë, i vizitova bartësit e lirisë dhe firmëtarët e shpalljes së Kosovës së pavarur. Burrat e ndershëm e luftëtarët trima që po mbahen padrejtësisht në Hagë”.
Ai shton se takimi me shokët e babait dhe heronjët e Kosovës të cilët e frymëzuan me qetësi dhe njëkohësisht e bindën se qëndrimi i tyre larg vendit që e çliruan, është beteja që po e bëjnë për ta mbrojtur luftën e drejtë të UÇK-së.
“Jam krenar, që jam bir i heroit dhe biri i këtyre luftëtarëve të lirisë, që kanë dhënë e po vazhdojnë të japin edhe sot për Kosovën! Ata po vijnë – ne do t’i presim! Sepse asgjë në Kosovën e lirë dhe të pavarur nuk ka kuptim pa ta, pa historinë e tyre që është edhe historia e vetë Kosovës!”.
Postimi i plotë:
VIZITË HERONJVE NË HAGË, SHOKËVE TË BABIT TIM
Sot në Hagë, i vizitova bartësit e lirisë dhe firmëtarët e shpalljes së Kosovës së pavarur. Burrat e ndershëm e luftëtarët trima që po mbahen padrejtësisht në Hagë.
Nga Vjena u nisa për Hagë, i palëkundur në bindjet e mia se do t’i takoj shokët e babit Hero i Kosovës (Xhevat Berisha), të cilët si dje kur i kam takuar në Prishtinë, si sot në Hagë – më frymëzuan me qetësinë, qëndrimin burrëror dhe më bindën tejmase se qëndrimi i tyre larg vendit që e çliruan, është beteja që po e bëjnë për ta mbrojtur luftën e drejtë të UÇK-së, e cila ishte e pastër dhe e përkrahur fuqimisht nga populli.
U binda gjithashtu se çlirimtarët, ishin më të vendosur se kurrë më parë për ta vazhduar luftën për pastërtinë e luftës së UÇK-së dhe se nuk është e vërtetë se ata po mbahen në Hagë për krime, sepse krimi ka bërë Serbia e regjimi i saj dhe jo UÇK-ja.
Jam bindur gjithashtu se ata edhe nga Haga po angazhohen që Kosova ta vazhdojë rrugën e shtetndërtimit, sepse në themelet e saj është gjaku i dëshmorëve, i martirëve dhe sakrifica e mijëra luftëtarëve. I bindur se pavarësisht furtunave e pengesave politike, drejtësia do të triumfojë dhe shumë shpejtë me çlirimtarët do t’i vazhdojmë punët e mira në Prishtinë e Prizren, në Mitrovicë e Preshevë!
Jam krenar, që jam bir i heroit dhe biri i këtyre luftëtarëve të lirisë, që kanë dhënë e po vazhdojnë të japin edhe sot për Kosovën! Ata po vijnë – ne do t’i presim! Sepse asgjë në Kosovën e lirë dhe të pavarur nuk ka kuptim pa ta, pa historinë e tyre që është edhe historia e vetë Kosovës!