×
  • Lajme
  • Analiza

    Djali i ish-kryeshefit ‘KRU Gjakova’ në arrati për sulmin me armë zjarri- Babë e bir të dënuar për keqpërdorim të funksioneve publike

    Insajderi
    10 March 2024 - 11:40
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Shkelzen Ahmeti është i dyshuari kryesor për sulmin me armë zjarri, që la të plagosur pronarët e lokalit ‘Republika’ Driton dhe Jon Stublla, si dhe një klient. Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të së dielës, teksa Ahmeti ndodhet ende në arrati. Ai është i biri i ish-kryeshefit të ‘KRU Gjakova’, Ismet Ahmeti.

    Shkelzen Ahmeti përgjatë viteve 2016-2017 ishte vënë në pranga nga Policia e Kosovës. Kjo, pasi që në cilësinë e zyrtarit të Gjendjes Civile në Gjakovë bashkë me një ish-zyrtar tjetër kishte tjetërsuar identitetin e një personi, raporton Gazeta Insajderi.

    Për falsifikim të dokumenteve, Gjykata Themelore në Gjakovë e dënoi Ahmetin më 2020-ën me 6 muaj burgim, i cili dënim me pëlqimin e të akuzuarit u zëvendësua me gjobë në shumë prej 4 mijë euro.

    Edhe babai i Shkelzenit, Ismet Ahmeti kishte pasur probleme me ligjin. Sa ishte ish-kryeshef i ‘KRU Gjakova’, e kishte deklaruar pasurinë rrejshëm. Për këtë, Gjykata Themelore në Gjakovë e dënoi me 6 muaj burg, i cili dënim iu zëvendësua më dënim me gjobë në shumë prej 2 mijë euro..

    Në aktakuzën kundër tij thuhej se ai nuk e kishte shënuar shumën e saktë të të hyrave të përgjithshme, duke paraqitur pagën mujore 1 mijë e 290 euro, (1.290×12=15.480), ndërsa sipas të dhënave të siguruara nga kompania e ujësjellësit shuma totale e të hyrave rezulton të jetë shuma neto prej 18 mijë e 933 euro.

    Shkelzen Ahmeti në arrati për sulmin me armë zjarri

    Tre persona mbetën plagosur në orët e para të mëngjesit të së dielës si pasojë e shkrepjes së armës së zjarrit në një lokal në rrugën “Fan Stilian Noli” në Gjakovë.

    Gazeta Insajderi raportoi se nga sulmi me armë zjarri në lokalin ‘Republika’ kanë mbetur të plagosur dy vëllezërit pronarë Driton dhe Jon Stublla, si dhe një klient.

    I dyshuari, i cili gjendet në arrati, sipas këtij burimi është Shkelzen Ahmeti.

    Lajmin për incidentin në orët e para të mëngjesit të së dielës ka konfirmuar më herët për Insajderin zëdhënësi i Policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj, teksa ka thënë se tre të dyshuarit gjenden jashtë rrezikut për jetë.

    “Sot rreth orës  00:10 kemi pranuar informatë për të shtëna me armë zjarri në një lokal në rrugën “Fan Stilian Noli” në Gjakovë, ku për pasojë tre persona (meshkuj të moshës madhore) kanë marrë plagë,  të cilat dyshohet të jenë shkaktuar nga armë zjarri.  Policia menjëherë ju ka përgjigjur rastit dhe viktimave ju është ofruar trajtim mjekësor, nga informatat e para të pranuara, gjendja e tyre shëndetësore është stabile”, ka deklaruar ai.

    Sipas Elezajt, rasti është iniciuar si “Vrasje në tentativë” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

    “Aktualisht jemi duke kryer procedurat e nevojshme hetimore në drejtim të zbardhjes së rastit dhe kapjen e të dyshuarit. Në konsultim me prokurorin e shtetit është iniciuar rast “vrasje në tentativë” dhe “mbajtje në pronësi , kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, shton tutje ai.

    Insajderi publikoi edhe pamje nga vendi i ngjarjes pas sulmit, të cilat mund t’i ndiqni në artikujt e mëposhtëm:

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    22 November 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark