Një hulumtim i Insajderit, pas denoncimeve të qytetarëve, nxjerr se punësimet e fundit në sektorin e shëndetësisë në komunën e Mitrovicës së drejtuar nga Bedri Hamza i PDK-së dyshohet se po bëhen me lidhje partiake dhe jo vetëm. Nga dhjetëra kandidatë, dy që u pranuan i kanë lidhjet. Njëri ka një familjar tashme të punësuar aty ku po shkon edhe vet, tjetri në publik haptazi e ka shfaqur miqësinë me nënkryetarin e komunës, Arian Tahiri.
Insajderi
Për dy pozita të lira, në këtë konkurs, aplikuan gjithsej 56 kandidatë. Nga numri total i aplikimeve, 12 nga ta munguan në testim, duke bërë kështu që në garë të jenë vetëm 44 kandidat.
Provimi me shkrim u mbajt më 12 korrik, kurse intervista me 29 korrik të këtij viti.
Bashkë me 54 kandidatë të tjerë, në këtë konkurs kishin aplikuar edhe Luan Gjinovci e Albin Murseli, njëri aktivist i Partisë Demokratike – dega në Mitrovicë – ndërsa tjetri del të jetë djali i laborantit në këtë qendër.
Të dyve “iu priu fati” pikërisht në komunën e udhëhequr nga PDK-ja, pasi të njëjtit dolën fitues të konkursit në fjalë.
I pranuari i parë, djali i Laborantit të QKMF-së
Albin Murseli, i cili u pranua si i pari në listë, sipas burimeve të Insajderit, del të jetë edhe i biri i laborantit të QKMF-së, Brahim Murselit.
I njëjti arriti t`i prijë listës me gjithësej 76 pikë, shkruan Insajderi.
Afërsinë familjare mes të pranuarit dhe laborantit të QKMF-së në Mitrovicë, e vërtetojnë postimet që Murseli ka në rrjetin social, Facebook.
Gazeta Insajderi ka kontaktuar me Murselin dhe i njëjti tha se fakti që babai i tij është laborant pikërisht në QKMF nuk ka ndikuar aspak që ai ti prijë listës.
Murseli tha se kjo është hera e katërt që ai aplikon për atë pozitë që nga viti 2019-të, në sektorin publik, kurse në sektorin privat ka aplikuar më shumë se 5 herë të tjera.
“Se a ka ndikuar babi im që të punësohem un, nuk ka pasur asnjë ndikim. Konkursi i fundit është hera e 4-të që aplikoi që nga viti 2019-të në sektorin publik ndërsa atë privat më shumë se 5 herë”, tha Murseli për Insajderin.
Sipas laborantit të ri, çka e ka dalluar atë nga kandidatët e tjerë ka qenë përvoja e punës, puna vullnetare dhe licensimi për punë.
“Përvoja ime e punës ndonjëherë edhe vullnetare në këtë drejtim zhvillimi profesional që nga licensimi për punë pa e nënvlerësuar askënd më ka dalluar nga aplikuesit e tjerë”, shtoi ai për Insajderin.
Aktivisti i Partisë Demokratike i dyti në listë
I dyti në listë i pranuar në këtë konkurs doli, Luan Gjinovci me gjithsej 68.5 pikë të grumbulluara.
Gjinovci është parë në shoqërinë e nënkryetarit të PDK-së në Mitrovicë, Arian Tahiri dhe asamblistit, Fisnik Suma.
I njëjti, menjëherë pas shpalljes së rezultateve kishte mbyllur edhe llogarinë e tij në facebook.
Por, Gazeta Insajderi ka arritur të sigurojë fotografinë që e dëshmon afërsinë e tyre madje edhe shoqërore pasi të tretë shihen duke qëndruar në një kafiteri bashkë.
Në lidhje me çështjen në fjalë, Gazeta Insajderi ka kontaktuar edhe me nënkryetarin e PDK-së në Mitrovicë, Arian Tahiri.
Tahiri tha se nuk ka as lidhje shoqërore e as lidhje familjare me Gjinovcin, vetëm e njeh nga fushatat elektorale, por, jo diçka më shumë.
“Jo unë nuk jam përfshi, as ndikim politik sepse nuk e njoh asnjë anëtar komisioni, në fushat e aktivitete takona me njerëz nuk muj me ua ndalu fotografitë. Lidhje as familjare as shoqërore, e ngjoh si djalë por jo lidhje tjetër ky është versioni origjinal rreth situatës, mbaj përgjegjësi për këtë çka e thash”, tha Tahiri për Insajderin.
Përgjigjja e Drejtoratit të Shëndetësisë
Gazeta Insajderi ka kontaktuar edhe me drejtorin e Drejtoratit për Shëndetësi në komunën e Mitrovicës, Fahri Shabani.
Shabani tha se nuk ka pasur asnjë ndikim pasi sipas tij procesi ka qenë i rregullt. Ai pohoi se Komisioni ka qenë i përbërë prej 5 antarëve dhe babai i tij nuk ka qenë pjesë e komisionit.
“Unë mendoj e procesi ka qenë i rregullt, komisioni është i përberë prej 5 antarëve, prindi i tij ska qenë në komision. Nuk ka luajtur asnjë rol tek rasti i tij, aspak”, tha Shabani për Insajderin.
Kurse, në lidhje me kandidatin e dytë në listë, Luan Gjinovcin, Shabani tha se as në rastin e tij nuk ka ndikuar aktivizmi politik me partinë në pushtet.
Ai tha se mundësia për të paraqitur ankesa është akoma për ata të cilët dyshojnë në mënyrën e vlerësimit.
“Nuk e besoj, domethënë janë kritere të tjera, ata munden me pas preferenca politike të ndryshme ska të bëjë me përzgjedhjen si laborant, lista përfundimtare ka dalë, munden të bëjnë ankesa, nuk ka lidhje preferenca politike. Ne jemi te gatshëm të japim informata për informimin e opinionit publik, por, gjithçka ka qenë transparente, procedura ka qenë e rregullt”, tha Shabani për Insajderin.
Drejtori Shabani shtoi se kandidatët kanë pas mundësinë me i pa testet e tyre sikurse edhe procesverbalin e intervistimit.
“Kanë mundur t’i shohin testet, procesverbalin e intervistimit me gojë, ligji per çasje në Dokumente Publike më pas, se mohoj faktin që munden me qenë antar të partive politike, por, nuk është kriter përcaktues e asgjë tjetër, politika nuk ka pas asnjë ndikim”, përfundoi Shabani.
Punësimet politike e familjare në Kosovë traditë prej vitesh
Që në institucionet publike të punësohen persona të afërt me politikanë e parti në pushtet nëpër komuna, tashmë ky është fenomeni i denoncuar e raportuar gjerësisht.
Ka shumë raste ku janë raportuar edhe shkelje brenda konkurseve të ndryshme, po për të punësuar njerëz të afërt me partitë në pushtet.
Djali, vajza, nipat e mbesat kanë përfituar jo rrallë herë nga politikbërësit, e sidomos ata të pushtetit në vend.
Gazeta Insajderi ka raportuar në vazhdimësi për rastet e tilla pavarësisht nga partia politike ku janë marrë veprimet e tilla.