Zyrtarët e Aeroportit Ndërkombëtar të Kajros kanë thënë se Omar bin Ladenit, djali i ish udhëheqësit të Al Kaidës, Osama bin Laden, i është ndaluar hyrja në Egjipt dhe më pas ai është deportuar për në Turqi.
Omar, 34 vjeçar, dhe bashkëshortja e tij britanike, Zaina al Sabah, kanë arritur në Katar më 17 dhjetor, njoftojnë zyrtarët duke shtuar se ata janë lejuar të largohen nga Turqia sipas dëshirës së vet çiftit.
Zyrtarët, që kanë folur në kushte anonimiteti, nuk kanë dhënë ndonjë arsye pse emri i djalit të Bin Ladenit është në mesin e personave që nuk duhet lejuar të futen në Egjipt.
Omari, djali i katërt i Bin Ladenit, është ndarë nga i ati në vitin 2001, pasi kishte jetuar në Afganistan nga viti 1996.
Në një intervistë dhënë Reutersit në vitin 2010, Omar ka thënë se fëmijët e Bin Ladenit po bëjnë përpjekje që të jenë “qytetarë të mirë të botës”, porse ata po stigmatizohen pasi janë fëmijët e liderit të Al Kaidës. Në atëkohë, ai ka thënë se asnjë nga fëmijët e Bin Ladenit nuk janë pjesë e Al Kaidës.
Osama bin Laden është vrarë gjatë një operacioni amerikan në vitin 2011, në një sulm që është konsideruar si goditje e madhe për rrjetin terrorist i cili ndër të tjera e ka kryer sulmin terrorist të 11 shtatorit të vitit 2001 në SHBA.