×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    “Do punë t’shpisë”- Konjufca e interpreton raportin me SHBA-në sikur tregim popullor

    Insajderi
    19 February 2024 - 23:21
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, e ka interpretuar deklaratën e James O’Brien, ndihmëssekretarit amerikan të Shtetit, si dhe raportin me SHBA-në, sikur të rrëfente ndonjë tregim popullor.

    Konjufca në një intervistë për mediumin ‘Demos’ ka thënë se “partneriteti është mos me u befasu”, duke aluduar se SHBA-të u befasuan me rregulloren e re të Bankës Qëndrore të Kosovës. Ishte vetë O’Brien që deklaroi se Qeveria Kurti po ndërmerrte vendime në pikë të natës, pa u koordinuar me aleatët, shkruan Gazeta Insajderi.

    “Ne dëshirojmë që të trajtohemi me partneritet nga ana e Kosovës. Tash aty munden me e interpretu sepse z. O’Brien po konsideron që me e ndalë dinarin në Kosovë është mu prishë partneriteti me SHBA-në. Tash na duhet me shtru pyetjen se pse qenka kjo. Pse pe prishka relacionin e Kosovës me SHBA-në?”, deklaroi Konjufca.

    “Unë qysh e interpretoj, është kështu: Sepse komuniteti serb ka jetu me dinarin 24 vjet. Është sikur me diçka mësohesh, ajo është përditshmëria jote, shkon çohesh në mëngjes shkon aty në vetëshërbim, paguan aty me dinar, del atje merr pagën, del pensioni këndej. Krejt jeta jote është dinari. Ai është një komunitet i Kosovës që jeton në Kosovë. Tash nëse e ndal dinarin, mënyra qysh kanë jetu ata, tash atyne iu mbrapet jeta, iu kthehet përmbys. Ata po thonë që ju përmes këtyre veprimeve kështu, ju po na befasoni. E partneriteti, është mos me u befasu”.

    “Tash, unë ty të them “mirë ish kanë me më kallëzu më herët”. Atje a di për çka flitet në veri? Ata pensionerat u çuan në protestë, ajo të shkakton tensione. Tash tensionet e rrezikojnë sigurinë e Kosovës dhe nëse cenohet siguria mundet me ardhë deri tek dalja jashtë prej kontrollit. Kur del situata jashtë prej kontrollit, përgjegjësinë më të madhe prap e merr Amerika. Jo përgjegjësinë pse ka dalë, po për me e nalë me e kthy në binarë. Gjithmonë e shohin këtë prej perspektivës së sigurisë”.

    I pari i Kuvendit tutje akuzon SHBA-në se s’ua ka bërë të qartë se çfarë vendime mund të marrin dhe çfare jo.

    “Qëllimi jonë është me e kuptu sa ma mirë që është e mundshme se cili është kufiri mes detyrave të shpisë që duhet mi bë patjetër dhe cilat janë ato që asnjo s’duhet me i bë pa vetë, pa pytë. Një shtet është i organizuar në masën që din me i ditë ato që duhet me i bë vetë edhe cilat janë ato kur duhet me pytë”, deklaroi Konjufca.

    O’Brien njëherë dhe pak ditë më vonë ambasadori amerikan në Kosovës, Jeffrey Hovenier, i prezantuan si të lënduara raportet e SHBA-së me Kosovën. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark