Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka publikuar parashikimin e motit për periudhën 21–25 shtator, ku pritet mot me diell e vranësira, ndërsa në disa zona mund të ketë edhe reshje të dobëta shiu.
Të hënën, më 21 shtator, moti do të jetë me diell dhe vranësira, me mundësi për reshje të dobëta shiu në disa vende. Temperaturat minimale do të lëvizin nga 9 deri në 12 gradë Celsius, ndërsa maksimalet nga 22 deri në 26 gradë.
Të martën, temperaturat do të pësojnë rënie. Minimalet pritet të jenë 6 deri në 10 gradë, ndërsa maksimalet 17 deri në 20 gradë Celsius. Moti do të jetë me diell dhe vranësira të shpërndara, me mundësi për reshje të dobëta shiu.
Rënie e mëtejshme e temperaturave parashihet të mërkurën, kur minimalet do të zbresin në 3 deri në 7 gradë, ndërsa maksimalet do të lëvizin nga 15 deri në 19 gradë Celsius. Edhe gjatë kësaj dite mund të ketë reshje të dobëta shiu në disa zona.
Të enjten pritet mot më i qëndrueshëm, me diell dhe vranësira të pjesshme. Temperaturat minimale do të jenë nga 2 deri në 6 gradë, ndërsa maksimalet nga 18 deri në 22 gradë Celsius.
Të premten, temperaturat do të shënojnë rritje, me minimale nga 3 deri në 9 gradë dhe maksimale nga 20 deri në 24 gradë Celsius. Moti do të jetë me diell dhe vranësira të shpërndara, ndërsa gjatë ditës në disa vende mund të ketë reshje të dobëta shiu.
Sipas IHMK-së, kushtet biometeorologjike gjatë javës do të jenë përgjithësisht të përshtatshme për shumicën e njerëzve. Megjithatë, të martën dhe të mërkurën, për shkak të uljes së temperaturave, veçanërisht në orët e mëngjesit, do të ndihet freski më e theksuar.
Në mëngjeset e së mërkurës, së enjtes dhe së premtes, temperaturat e ulëta mund të ndikojnë te personat më të ndjeshëm ndaj të ftohtit.
Gjatë ditës, sipas parashikimit, kushtet pritet të jenë kryesisht të këndshme dhe pa ngarkesa të theksuara biometeorologjike. /Insajderi.org/