Dogana e Kosovës, në bashkëpunim me Agjencinë Kosovare për Inteligjencë, ka realizuar sot, më 29 janar 2026, një operacion të përbashkët kundër kontrabandës së barnave në qytetet e Pejës dhe Gjakovës.
Sipas njoftimit, aksioni është zhvilluar pas dyshimeve të bazuara për posedim dhe tregtim të medikamenteve të kontrabanduara në disa barnatore.
Në kuadër të operacionit janë angazhuar gjithsej shtatë njësi operative, ku njëra ka kryer kontrolle në Gjakovë, ndërsa gjashtë të tjera në territorin e Pejës.
Gjatë kontrolleve në disa lokacione janë konstatuar parregullsi, përfshirë posedimin e barnave pa dokumentacion përkatës dhe pa banderolla fiskale.
Megjithatë, në disa pika të kontrolluara nuk janë evidentuar shkelje.
Si rezultat i këtij aksioni, autoritetet kanë sekuestruar gjithsej 988 pako medikamente, me një vlerë të përafërt prej rreth 10 mijë eurosh.