×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    DOKUMENT- FFK-së i kushtonte mirëmbajtja e “stadiumit me lloç” më lirë sesa shpenzimet e telefonit dhe internetit

    Insajderi
    22 November 2023 - 14:07
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kombëtarja e Kosovës dështoi të kualifikohej për europianin “Berlin 2024”. Stadiumi nacional në të cilën i zhvilloi ndeshjet e grupeve u bë hit, për shkak të infrastrukturës së keqe të fushës. Fusha e baltosur ishte temë edhe e futbollistëve të huaj që luanin në Prishtinë. Për shkak të kushteve atmosferike dhe mirëmbajtjes së dobët, edhe loja e fundit që u zhvillua mbrëmë u përcoll me sasi lloçi. Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) është përgjegjëse për mirëmbajtjen e stadiumit. Si ndodhte që FFK-së i kushtonte më shtrenjtë shpenzimet e telefonisë dhe të internetit të administratës së saj sesa mirëmbajtja e stadiumit “Fadil Vokrri”?

    Zyra Kombëtare e Auditimit në pasqyrimin financiar të FFK-së për vitin 2021 njoftonte se buxhetit të federatës i kishte kushtuar për një vit 35,278 euro mirëmbajtja e stadiumit “Fadil Vokrri”. Kjo shifër është më e ulët sesa vetëm shpenzimet e internetit (29,863 euro) dhe telefonit (25,943 euro) bashkë përbrenda kësaj periudhe – 55,806 euro, raporton Gazeta Insajderi.

    Përgjatë kësaj periudhe, Kosova kishte kalendar të ngjeshur, meqë zhvillonte lojërat në kuadër të grupeve për botërorin “Katar 2022”.

    Edhe në vitin paraprak, FFK-ja ndante një shumë të përafërt për menaxhimin e fushës së “Fadil Vokrri” – 35,337 euro.

    Ndërkaq, vetëm investimet për ndërtesë të FFK-së gjatë 2021-ës kushtonin 282,756 euro.

    Në anën tjetër, stafi i FFK-së gjatë vitit 2021 sipas ZKA-së shpenzonte 45,520 euro për viza.

    Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Agim Ademi, kur ishte kontaktuar nga Gazeta Insajderi, ia kishte hedhur fajin kompanisë që mirëmban stadiumin lidhur me gjendjen e fushës së stadiumit.

    “Për këta është mirë me i thirrë ata që merren me këtë punën e barit, është ekipa atje, ata janë duke punu dhe mundet me folë dikush prej tyre. Tash na te shohim për çka ka ardhë deri tek ajo, duhet me e pritë raportin, tani e shohim çka thonë raportet”, pati thënë ai.

    FFK-ja në një reagim pas ndeshjes me Izraelin pati thënë se nuk ka marrë asnjë subvencion për mirëmbajtjen e fushës.

    “FFK asnjëherë nuk ka marrë asnjë subvencion për mirëmbajtjen e kësaj fushe nga institucionet, e që brenda një viti menaxhimi i saj i kushton mbi 100 mijë euro. Madje, askush nuk përkujdeset për asnjë dëmtim apo avari që bëhet në stadium gjatë zhvillimit të ndeshjeve, përveç FFK-së. Pagesa e vetme që kryhet nga klubet që i zhvillojnë ndeshjet aty është fatura e reflektorëve, kur ndeshjet zhvillohen në orët e mbrëmjes”, pati thënë në reagim federata.

    Lojtari më i njohur i Izraelit, Eran Zahavi pas ndeshjes e kishte krahasuar fushën në stadiumin “Fadil Vokrri” me stallë derrash.

    “Ishte më shumë stallë derrash se fushë futbolli. E kemi ditur se nuk do të jetë lehtë në secilën situatë dhe nuk morëm pikë sonte. Do të japim çdso gjë në ndeshjet me Zvicrën dhe Rumaninë”, deklaroi ai.

    Në anën tjetër, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Haxhi Avdyli, tha se fusha e stadiumit “Fadil Vokrri” është imazhi më i keq që i servohet botës për shtetin e Kosovës.

    “…Shi bie edhe më shumë në Evropë, po kësi fushë moqali nuk sheh as në stadiumet e ligave të katërta. Kjo fushë është imazhi më i keq që servohet botës për shtetin të Kosovës”, deklaroi ai në ‘Facebook’.

    Izraelitët shfaqën pakënaqësi disa ditë më herët përpara ndeshjes me Kosovën. Mediumi izraelit ‘Sport5’ ka publikuar foto nga stadiumi, duke e vlerësuar si të tmerrshme gjendjen e fushës.

    “Gjendja e barit në stadium është e turpshme, plot vrima dhe e papërshtatshme për lojëra në këto nivele”, deklaronte gazetari i mediumit.

    Gjendja e fushës i kishte rënë në sy edhe yllit kosovar që luan në kombëtaren e Zvicrës, Xherdan Shaqiri. Ai e kishte quajtur fushën “turpi i botës”.

    “Shpresoj që një ditë Kosova të kualifikohet. Duhet të ketë ambient të mirë mes lojtarëve. Të rregullohet stadiumi, sepse është turp të shikojë bota atë fushë. Dhe kur të rregullohen këto gjëra të vogla, Kosova do të kualifikohet, sepse ka shumë futbollistë të talentuar”, deklaronte ai pas ballafaqimit të Zvicrës me Kosovën në Basel.

    Federata e Futbollit e Kosovës dhe Komuna e Prishtinës në fund të vitit të kaluar nënshkruan kontratë për stadiumin “Fadil Vokrri”. Kontrata u nënshkrua në afat prej pesë vitesh, ku kreu i FFK-së u zotua për investime kapitale në këtë stadium. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark