Gazeta Insajderi ka arritur të siguroj dosjen e plotë të lëshuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë ku është caktuar masa e paraburgimit prej një muaj për pesë personat e arrestuar si të dyshuar për terrorizëm.
Në këtë dokument thuhet se përmes masave të fshehta, kanë zbuluar se të dyshuarit, kanë kërkuar armë anti-tank RPG si dhe predha, me qëllim të përgatitjes së akteve terroriste në Kosovë.
“Me datë 7 tetor 2021, kemi siguruar urdhër për blerje të simuluar të sendeve nga Gjykata ku edhe më datë 10 tetor 2021, me rastin e bastisjes së shtëpive dhe objekteve përcjellëse të të pandehurve të lartëpërmendur si dhe të pandehurve, Mentor Bellaqa dhe Shkodran Krasniqi, janë siguruar prova të mjaftueshme se i pandehuri Mentor Bellaqa ka pasur kontakte të mëhershme me të pandehurit në fjalë, ndërkaq i pandehuri Shkodran Krasniqi, i ka siguruar armët me qëllim të shitjes”, thuhet në kërkesë.
Këto armë, sipas këtij dokumenti, janë sekuestruar nga Policia e Kosovës në Prishtinë gjatë bastisjes dhe gjatë arrestimit të këtyre pesë personave.