×
  • Lajme
  • Analiza

    Dokument | Për çka dyshohen doganierët e arrestuar që dolën sot para gjykatës

    Insajderi
    19 November 2023 - 14:20
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Gazeta Insajderi ka raportuar dje ekskluzivisht për arrestimin e tetë zyrtarëve të Doganës së Kosovës dhe një pjesëtari të Policisë Kufitare, në një aksion në veri të Kosovës nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe marrje të ryshfetit.

    Insajderi ka mësuar se nëntë zyrtarët e arrestuar janë: Verograd Miletic, Admir Sejdiu, Andrija Çavic, Mirko Jevtic,Tomislav Dimic, Mensur Stagova, Nenad Mitic, Granit Zymberi dhe Arben Aliu.

    Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar për caktimin e masës së paraburgimit për të nëntë zyrtarët.

    Çka thotë dosja e Prokurorisë për tetë zyrtarët doganorë?

    Sipas dosjes së Prokurorisë që ka siguruar Insajderi, Verograd Miletic, si person zyrtar në cilësinë e Zyrtarit Doganor, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar ka tejkaluar kompetencat e tij, në atë mënyrë që me qëllim të përfitimit të dobisë për vete dhe për personat e tjerë, e informon të dyshuarin Mirko Jevtic se kur ka kontroll në pjesën veriore nga zyrtarët doganor dhe se me çfarë automjete do jenë zyrtarët doganor, kohën kur do të fillon kontrolli në pjesën veriore, për kohën kur i pandehuri është në ndërrim me qëllim që i dyshuari mund të kontrabandoj mallra pa pengesë.

    Ndërkaq, të pandehurit Admir Sejdiu dhe Andrija Çavic, zyrtarë në cilësinë e Zyrtareve Doganor, kanë tejkaluar kompetencat e tyre në atë menyrë që me qëllim të përfitimit të dobisë për veti dhe për personat e tjerë kanë bërë marrëveshje me personat e caktuar të cilët marrin mito nga kontrabanduesit e pjesës së veriut në baza mujore për personat e lartcekur, me qellim që grupet e caktuara që merren me kontrabandim të mallit të mos pengohen nga zyrtarët doganor gjatë kontrabandimit.

    Siç vijon dosja, gjatë periudhës shkurt – korrik 2022, i pandehuri Mirko Jevtic, në cilësi të zyrtarit doganor – zyrtarit përgjegjës për depo doganore në Mitrovicë të Jugut, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar ka tejkaluar kompetencat e tij dhe nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare të tij, në atë mënyrë që me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete dhe për personat e tjerë, ka lejuar që të dalin në qarkullim të lirë mallra të sekuestruara nga Dogana si dhe nuk i ka asgjësuar mallrat të cilat është dashur të asgjësohen sipas procedurave, por i ka përvetësuar ato duke i dërguar në shtëpi të tij, e që pastaj t’i shes apo t’i përdorë për vete.

    Në dosje tutje thuhet se gjatë muajit tetor të vitit 2021, të pandehurit Tomislav Dimič, Mensur Stagova dhe Vladan Ljubič, në vendin e quajtur Hani Elezit, përkatësisht në vendin ku bëhet pranimi i dokumenteve të maunave tek Evidenca Paraprake (EP) në zyrat (afër kalimit të automjeteve), aty ku bëhet zhdoganimi i mallrave me pakicë, duke vepruar në bashkëveprim dhe koordinim, varësisht prej pozitave të tyre zyrtare, si persona Zyrtarë Doganor, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, në atë mënyrë të drejtpërdrejtë, kanë pranuar mjetet monetare nga vozitësit e kompanive të ndryshme të cilët iu kanë shmangur kontrollit të rregullt doganor, mbi 57 (pesëdhjetë e shtatë) raste të veçanta, duke i numëruar dhe ndarë në mes vete.

    Po ashtu, gjatë muajit tetor të vitit 2021, të pandehurit Nenad Mitič dhe Granit Zymberi, në vendin e quajtur Hani Elezit, përkatësisht në vendin ku bëhet pranimi i dokumenteve të maunave tek Evidenca Paraprake (EP) në zyrat (afër kalimit të automjeteve), aty ku bëhet zhdoganimi i mallrave me pakicë, duke vepruar në bashkëveprim dhe koordinim me njëri tjetrin, varësisht prej pozitave të tyre zyrtare, si persona Zyrtarë Doganor, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore, në atë mënyrë të drejtpërdrejtë, kanë pranuar mjete monetare nga vozitësit e kompanive të ndryshme, ku këto mjete i kanë vendosur në një dollap, po ashtu kanë vërejtur kamerat e vendosura nën monitorimin dhe kanë bërë çmontimin e tyre duke i bërë jo aktive. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Lajme
    22 November 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark