Insajderi
Botë

Dokumente të reja – Epstein kishte blerë hise në kompaninë shtetërore të naftës në Venezuelë

Insajderi
11 February 2026 - 11:08
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Dokumente të reja – Epstein kishte blerë hise në kompaninë shtetërore të naftës në Venezuelë
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Rrjeti i gazetarëve OCCRP ka analizuar dokumentet e publikuara për Jeffrey Epstein dhe ka zbuluar se ai, pas takimit me një këshilltar të Hugo Chavez-it, kishte investuar në kompaninë shtetërore të naftës në Venezuelë, shkruan Insajderi.

Sipas dokumenteve të bëra publike rishtazi, Jeffrey Epstein bleu bono të naftës venezueliane të emetuara nga kompania kombëtare e naftës e shtetit socialist. Për këto blerje, ai u këshillua nga Francisco D’Agostino, një biznesmen i cili aktualisht kërkohet në Venezuelë nën akuzat për pastrim parash dhe shoqërim kriminal.

E-mailat e përfshirë në dosjet e lëshuara nga Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së tregojnë se D’Agostino kishte vizituar ishullin privat të Epsteinit në Karaibe, i cili është në qendër të akuzave për trafikim seksual kundër tij. Në korrespondencën mes tyre, D’Agostino e udhëzon Epsteinin për blerjen e bonove të kompanisë shtetërore Petróleos de Venezuela SA (PDVSA).

Pas bisedave me D’Agostinon, Epstein bleu të paktën 4.5 milionë dollarë bono nafte duke filluar nga viti 2012. Këto bono ishin paraparë të maturoheshin në vitin 2015 – periudhë kur të ardhurat nga nafta e Venezuelës ranë kolaps, ndërsa korrupsioni në PDVSA u rrit dhe prodhimi ra ndjeshëm.

“U kënaqa shumë”

Marrëdhënia e D’Agostinos me Epsteinin duket se nuk nisi në ndonjë institucion financiar, por gjatë një vizite në ishullin privat të Epsteinit, Little Saint James.

“U kënaqa shumë në Little St Jeffery… dhe Jane, ‘gazela e ujit’ është vërtet mahnitëse… çfarë vaji e bukur dhe e zgjuar,” shkroi D’Agostino në tetor 2012. Ai shtoi se shihte fillimin e një “miqësie argëtuese dhe afatgjatë” dhe dëshironte të eksploronte mundësi për të bërë para bashkë.

D’Agostino i propozoi Epsteinit takime në Karakas me elitën politike, përfshirë Baldo Sansó, këshilltar financiar i PDVSA-së dhe kunati i presidentit të atëhershëm të kompanisë. Epstein priti rezultatin e zgjedhjeve të vitit 2012 para se të planifikonte udhëtimin. Kur mori vesh se Hugo Chavez fitoi mandatin e katërt, Epstein u përgjigj shkurt: “Shkëlqyeshëm.”

Gjatë viteve 2014-2015, derisa Epstein rriste investimet e tij në sektorin e naftës, industria pësoi rënie të madhe për shkak të korrupsionit. Në vitin 2019, SHBA vendosi sanksione mbi sektorin e naftës.

Po atë vit, Epstein u arrestua për trafikim seksual të të miturave dhe më vonë u gjet i varur në qelinë e tij në Nju Jork, vdekje e cila u cilësua si vetëvrasje. Prokurorët amerikanë po përgatiteshin ta gjykonin atë për abuzimin e dhjetëra vajzave të mitura.

Edhe vetë D’Agostino u bë objekt hetimi. Ai ishte i lidhur me kompaninë Derwick Associates, e cila mori kontrata shtetërore pa konkurs dhe thuhet se e mbingarkoi qeverinë me 2.9 miliardë dollarë.

Në vitin 2024, Gjykata Kombëtare e Spanjës hapi një hetim ndaj ish-ekzekutivëve të Derwick, përfshirë D’Agostinon. Muajin e kaluar, ai u arrestua me urdhërarrest ndërkombëtar nga Venezuela ndërsa po kalonte kufirin Itali-Francë, por u lirua nga gjykatësit italianë me arsyetimin se mund të pësonte trajtim çnjerëzor në burgjet e Venezuelës.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark