Mbi 53 mijë euro nga llogaria e BKS-së për zyrën e Venhar Hanës brenda 22 muajve: Dokumentet bankare zbardhin detajet e transfertave, ndërsa avokati i dyshuar për skema mashtrimi me prona nuk ka kthyer përgjigje
Gazeta Insajderi
Byroja Kosovare e Sigurimit (BKS) ka transferuar një shumë totale prej 53,284.20 eurosh drejt avokatit Venhar Hana dhe zyrës ligjore “HANA LAW L.L.C.” gjatë periudhës shkurt 2021 – dhjetor 2022. Të dhënat e siguruara nga pasqyrat bankare të xhirollogarisë së BKS-sëshpërfaqin ecurinë e këtyre pagesave për shërbime ligjore dhe marrëveshje të veçanta.
Gjatë vitit 2021, BKS-ja ka ekzekutuar pagesa të përsëritura në vlerë prej 2,200.00 eurosh për faturat e lëshuara nga “HANA LAW L.L.C.”, përfshirë shërbime si përpilimi i parashtresave në procedurë civile.
Veç kësaj, në pasqyrën financiare figuron edhe një transaksion specifik i ekzekutuar më 31 dhjetor 2021, në vlerë prej 4,000.00 eurosh. Në përshkrimin zyrtar të këtij transaksioni bankar citohet: “TRANSFER I MJETEVE SIPAS MARRVESHJES ME PRIORITET VENHAR HANA”.
Në vitin 2022, shifra e faturave mujore pësoi rritje, duke arritur në 3,190.00 euro për faturë gjatë muajve prill, maj dhe korrik. Ndërsa drejt fundit të vitit 2022, faturat e regjistruara shënuan vlera akoma më të larta, ku vetëm më 9 dhjetor 2022 janë ekzekutuar dy transferta të ndara prej 5,900.00 eurosh dhe 4,130.00 eurosh.
Marrëdhënia financiare mes BKS-së dhe avokatit Hana ka qenë më parë pjesë e hulumtimeve të Gazetës Insajderi, e cila kishte siguruar raportin e Njësisë së Inteligjencës Financiare të Kosovës (NJIF) me titullin “Dy shokë nga BKS-ja, biznesi i tokave dhe qarkullimet e dyshimta”.
Sipas gjetjeve të NJIF-K, ish-drejtori i BKS-së, Sami Mazreku, dhe ish-udhëheqësi i zyrës ligjore/avokati Venhar Hana, lidheshin me qarkullime të dyshimta financiare, tërheqje të parave të gatshme (cash) si dhe transaksione që lidheshin me blerje e tjetërsim tokash me vlerë milionëshe. Raporti i inteligjencës financiare ngrinte dyshime të bazuara se struktura e BKS-së po përdorej për përfitime personale e financiare përmes dokumenteve të dyshimta dhe marrëveshjeve të brendshme.
Përfitimet financiare nga BKS-ja lidhen gjithashtu me periudhën kur emri i avokatit Venhar Hana u bë subjekt i hetimeve të organeve të drejtësisë.
Në raportimet e mëhershme të Gazetës Insajderi, është mbuluar arrestimi i avokatit Venhar Hana lidhur me dyshimet për vepra penale të falsifikimit të dokumenteve, legalizimit të përmbajtjes së rremë dhe mashtrimit. Sipas dosjeve hetimore, Hana dyshohet se ka qenë i përfshirë në skema të tjetërsimit të pronave me vlerë miliona eurosh në zonën e Veternikut (përfshirë ish-pronat e RTP-së), në bashkëpunim me zyrtarë publikë.
Gjykata më vonë bllokoi e sekuestroi sipërfaqe të tëra tokash si për Hanën, ashtu edhe për ish-drejtorin e BKS-së, Sami Mazreku.
Këto transaksione financiare marrin peshë edhe për shkak të stuhisë hetimore që ka kapluar vetë Byronë Kosovare të Sigurimit.
Më 1 shtator, Gazeta Insajderi raportoi ekskluzivisht për zgjerimin e hetimeve nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në bashkëpunim me Prokurorinë në Prizren.
Në kuadër të këtij operacioni hetimor, policia intervistoi 21 persona të dyshuar — mes të cilëve zyrtarë të lartë dhe punonjës të BKS-së — lidhur me keqpërdorime të detyrës zyrtare, autorizimeve ekonomike dhe ekzekutim pagesash e dëmshpërblimesh pa dokumentacion përkatës mbështetës.
Lidhur me natyrën e shërbimeve ligjore të faturuara, bazën e rritjes së tarifave dhe specifikat e “marrëveshjes me prioritet”, Redaksia e Insajderit i ka dërguar pyetje zyrtare avokatit Venhar Hana dhe zyrës “HANA LAW L.L.C.”.
Deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, Hana nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e dërguara. Insajderi mbetet i hapur për të publikuar qëndrimin dhe sqarimet e tij sapo ato të jenë të disponueshme./Gazeta Insajderi