Kandidatja e LDK-së për kryetare të Ferizajit, Sibel Halimi, ka thënë se politika vazhdon të jetë ende sfidë për gratë.
Ndonëse u radhit e treta në zgjedhjet e djeshme, Halimi thotë se do të vazhdojë të jap kontributin e saj kudo në të mirë të vlerave njerëzore dhe fuqizimit të grave.
“Jashtëzakonisht e lumtur që e gjithë fushata dhe dita e zgjedhjeve shkoi ashtu siç e meriton Ferizaj! Unë do të vazhdojë të jap kontributin tim kudo që jam gjithmonë në të mirë të vlerave njerëzore e fuqizimit të grave, pavarësisht epilogut përfundimtar. Kemi shumë për të bërë së bashku! Politika ende vazhdon të jetë sfidë për gratë, por vetëm duke u sfiduar, ia dalim, sepse Ferizaj e Kosova meriton të jetë një vend modern dhe i emancipuar”, ka shkruar Halimi.
Ajo ka falënderuar të gjithë aktivistët e veprimtarët qe i qëndruan pranë përgjatë gjithë këtyre muajve. Ndërsa, fituesit i ka kërkuar përkushtim më të madh tek nevojat elementare të qytetarëve të Ferizajt.
Ndryshe, sipas rezultatit komuna e Ferizajt do të udhëhiqet edhe për një mandat nga Agim Veliu i PDK-së i cili ka fituar 62.52% të votave.