Dollarë, doza dhe vdekje: Heroina rikthen pushtetin në SHBA - Insajderi
×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    Dollarë, doza dhe vdekje: Heroina rikthen pushtetin në SHBA

    Insajderi
    20 August 2016 - 20:14
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Legalizimi i marijuanës në Shtetet e Bashkuara ka boshatisur arkat e biznesit tradicional të trafikantëve meksikanë, por ka patur edhe një efekt “bumerang”.

    Trafikantët e kanë konvertuar me shpejtësi biznesin e tyre, duke nisur të dërgojnë drejt veriut lumenj heroine, këtë herë me çmim të leverdisshëm, cilësi të lartë por edhe me efekte shkatërrimtare.

    Qytete të rëndësishme si Nju Jorku, St. Luis, Filadelfia, Çikago, por edhe të tjerë përbëjnë një treg të përmasave të mëdha për trafikantët.

    Kryesisht dominojnë ata të Sinaloas, që kanë referentët e tyre në këto qytete, të cilët kanë depërtuar në shtresën urbane duke krijuar struktura të thella kriminale.

    Pasi e sjellin heroinën nga Meksika, në bashkëpunim me banda të tjera, vendase apo të huaja, e ndajnë dhe e shesin në zonat e shpërndarjes.

    Në maj të një viti më parë, në zonën e Bronksit, agjentët e DEA-s zbuluan një depozitë që përmbante një sasi heroine me vlerë 50 milionë dollarë.

    Sasia e madhe menaxhohej nga Jose Mercedes, i njohur ndryshe si Hippie, përfaqësues i kartelit në metropolin kryesor të Shteteve të Bashkuara.

    Ndërsa në prill të këtij viti, Departamenti amerikan i Thesarit futi në listën e zezë vëllezërit Job dhe Ismael Donjuan Laredo, dy trafikantë të nivelit të lartë të vështirë për t’u vënë në pranga.

    Dy ngjarje këto që konfirmojnë tendencën e fundit: në zonat meksikane Gerrero, Çihuahua dhe Durango trafikantët kanë vendosur të privilegjojnë heroinën dhe jo marijuanën.

    Dhe shifrat e tregojnë fare mirë përse: 1 gram i së parës kushton deri në 270 dollarë, ndërsa 1 gram i së dytës me zor arrin në 20.

    Në të njëjtën kohë, trafikantët kanë rritur edhe cilësinë e mallit. Në pak kohë, në zona të vështira si St. Luis cilësia është ngritur nga 5 në 50 për qind pastërti. Ndërsa në Filadelfia ka arritur në 90 për qind.

    Kur ekspertët deklaruan pak vite më parë se, legalizimi i marijuanës do të boshatiste arkat e ekspertëve nuk kishin marrë parasysh një ligj: ligjin kërkesë-ofertë. Me pak fjalë, amerikanët kërkojnë dhe paguajnë, meksikanët ofrojnë.

    Nga ana tjetër, menaxhimi i këtij biznesi, përveç fitimeve marramendëse, sjell edhe një “lum” me viktima. Rastet e larjes së hesapeve në qytetet amerikane janë të shumta dhe po aq të shumta janë dhe jetët e humbura të përdoruesve.

    Rastet e mbidozës në Shtetet e Bashkuara janë dyfishuar në periudhën 2004-2014, kur humbën jetën 47.005 persona, një shifër rekord në historinë e Amerikës./TCH

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark