Donika Kadaj ndërron qëndrimin për “njeriun e duhur për udhëheqjen e vendit” – Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Donika Kadaj ndërron qëndrimin për “njeriun e duhur për udhëheqjen e vendit”

    Insajderi
    03 May 2017 - 19:22
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Dikur thoshte se njeriu i duhur për kryeministër është Ramush Haradinaj, e tash, pasi ndërroi partinë, thotë se njeriu ideal për këtë post është, Albin Kurti.

    “Proud with R.Haradinaj”, solidarizohej asokohe me shefin e saj partiak deputetja dhe anëtarja e kryesisë, Donika Kadaj-Bujupi.

    “Kam dhënë për vendin tim, jam i gatshëm më dhënë prapë, por nuk lejoj që të marrin nga Kosova”, citonte ajo Haradinajn.

    Ajo e shihte Haradinajn si njeriun e duhur për postin e kryeministrit të vendit.

    “z. Haradinaj është nominuar nga koalicioni, i cili përfaqëson 500 mijë qytetarë të Republikës së Kosovës. Respektivisht, 500 mijë votues të Republikës së Kosovës”, kishte thënë ndër tjera Kadaj-Bujupi gjatë kohës së ngërçit politik.

    Në kohën sa ishte në Hagë Ramush Haradinaj në vitin 2011, në vend diskutohej mundësia e lidhjes së koalicionit PDK-AAK.

    Ishte vetë deputetja dhe anëtarja e kryesisë së AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, e cila kishte thënë se në koalicion me PDK-në mund të hyhet vetëm nëse kryeministër bëhet Ramush Haradinaj.

    Largimi i nga AAK-ja

    Deputetja e AAK-së vendosi të largohej nga kjo parti. Ndonëse thoshte t’i ketë shërbyer aq shumë AAK-së, sipas saj, luhatjet e fundit dhe vendimet e njëanshme kishin qenë arsyet që ajo vendosi të largohej.

    “Luhatja aktuale e sidomos marrja e vendimeve të njëanshme, të cilat vazhdimisht po e pengojnë krijimin e një alternative të fuqishme, e cila do të inicionte ndryshimin, është një prej arsyeve që ka zbehur dhe dobësuar ëndrrën për ndryshim në këtë vend, vend i cili nuk e meriton gjendjen në të cilën është, ëndërr për të cilën përherë kam sakrifikuar dhe kam qenë e gatshme të ballafaqohem edhe me burg edhe me çfarëdo sfide tjetër”, kishte shkruar ajo në llogarinë e saj në facebook.

    “Situata e krijuar po më imponon që sot me keqardhje t’ju njoftoj se më nuk do të jam pjesë e AAK-së, pjesë e partisë për të cilën kam punuar ditë e natë që 13 vite më parë kur fillova aktivitetin tim”, kishte shtuar ajo.

    Por nuk mungoi as urimi i tashmë ish-partisë së saj, duke i uruar suksese më tutje.

    “Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, shpreh keqardhje për këtë vendim të zonjës Kadaj-Bujupi dhe asaj i shpreh mirënjohje për kontributin e deritashëm në AAK dhe në Kuvendin e Kosovës, si deputete e AAK-së, duke i dëshiruar suksese në rrugëtimin dhe në zgjedhjen e saj”, thuhej në komunikatën e AAK-së.

    Kalimi i saj në Vetëvendosje

    Nuk kaloi shumë kohë pas largimit nga AAK-ja, ajo iu bashkua një partie tjetër. Rreth një muaj më vonë, ajo u paraqit në zyrat e Lëvizjes Vetëvendosje gjatë një konference për media. Aty njoftoi publikisht për kalimin e saj në këtë parti.

    “Ky vendim imi është një vazhdim në lëvizjen që u qëndroi parimeve të veta, pavarësisht nuk u tundua asnjëherë për pushtet. Lëvizja më priti ngrohtë për të arritur bashkërisht zhvillimin e qëndrueshëm”, ka thënë Kadaj-Bujupi në deklaratën e saj.

    Për largimin e saj, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, kishte thënë se nuk ka qenë në dijeni.

    Pas anëtarësimit, ajo nisi ta thumbonte ish-partinë e saj dhe ta lavdëronte partinë e re.

    Anëtarja më e re e Lëvizjes Vetëvendosje, Donika Kadaj-Bujupi, ka thënë se largimi i saj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka qenë për arsye krejtësisht personale.

    “Në momentin kur filluan hamendjet unë vendosa ta vazhdojë rrugën time politike aty ku kishte më shumë konsistim dhe këmbëngulje për të kundërshtuar dy marrëveshjet e dëmshme për vendin”, kishte thënë ajo.

    Kadaj-Bujupi ka shtuar se edhe në kohën e koalicionit LVAN, Vetëvendosje nuk ka folur për ndarje postesh e pozitash.

    “Vetëvendosje edhe asokohe ka qenë për të qëndruar bashkë dhe ta dërgojnë PDK-në në opozitë në mënyrë që të sjellim ndryshimin”, kishte deklaruar Kadaj-Bujupi.

    Kadaj-Bujupi: Njeriu i duhur për kryeministër është Albin Kurti

    “Kurti, njeriu i duhur që mund të bëjë kthesa të madh në këtë vend”, ka thënë deputetja Donika Kadaj-Bujupi.

    Ajo ka folur edhe për pozitën e kryeministrit të ardhshëm. Sipas saj, hulumtimet me qytetarë tregojnë se preferojnë Albin Kurtin për kryeministër.

    “Besoj që Albin Kurti është njeriu i duhur që mund të bëjë kthesa të madh në këtë vend sepse gjatë gjithë këtyre viteve ka treguar konsistencë në veprimet e tij”, ka thënë ajo në emisionin Info Box në TV Dukagjini.

    Ajo ka thënë se shembulli më i mirë që tregon se deputetët e Vetëvendosjes nuk tërhiqen nga kauza, është çështja e demarkacionit.

    “Ju e përmendet një rast, demarkacionin, ku deputetët e VV-së nuk janë tërhequr nga veprimet. Ky është shembulli më i mirë që pavarësisht sfidave që kalon Lëvizja, vazhdojmë me konsistencë të ruajmë interesat e qytetarëve”, ka shtuar ajo.

    Gjithashtu, ajo tha se vendi ka nevojë për ndryshim sistemi e jo ndryshim figurash.

    “Këta kanë dështuar, janë jo-funksional, janë përgjegjës si PDK si LDK, tani janë në garën se kush do të marrë ndoshta më pak faj, për dështimet dhe dëmet e mëdha të shkaktuara në dy vitet e fundit”, ka deklaruar ajo./Insajderi.com


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark