Dorëzohet kërkesa për lirim me kusht të Ramush Haradinajt - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Dorëzohet kërkesa për lirim me kusht të Ramush Haradinajt

    Insajderi
    06 January 2017 - 16:54
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Përfaqësuesit ligjorë të Ramush Haradinajt kanë deponuar në Gjykatën Franceze kërkesën për lirimin e tij. Por, edhe në rast se aprovohet i bie që Haradinaj të qëndrojë në Francë deri në vendimin përfundimtar të Gjykatës franceze e cila do ta shqyrtojë edhe kërkesën për ekstradim të Haradinajt në Serbi.

    Zyrtarë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës i kanë konfirmuar Radios Evropa e Lirë se “përfaqësuesit ligjorë të zotit Haradinaj kanë deponuar tek autoritetet franceze kërkesën për lirimin e tij me kusht”.

    Një zëdhënës i AAK-së, Muharrem Nitaj, tha të premten se “kërkesa është deponuar dhe pritet lirimi me kusht i zotit Haradinaj”.

    Një gjykatë franceze mori vendimin për ta mbajtur në paraburgim ish-kryeministrin e Kosovës, “deri sa Serbia ta bëjë kërkesën zyrtare për ekstradimin e tij”.

    Autoritetet franceze ndaluan, të mërkurën, në aeroportin e Bazelit Ramush Haradinajn, mbi bazën e një urdhërarresti ndërkombëtar të lëshuar që më 2004 nga autoritetet e Serbisë, me pretendimet për krime lufte të kryera në periudhën e luftës në Kosovë.

    Vendimi i Gjykatës franceze për mbajtjen e zotit Haradinaj në paraburgim i jep një afat, siç thuhet në dokument, deri në “40 ditë autoriteteve të Serbisë për të kompletuar dokumentacionin me kërkesën për ekstradimin e tij”.

    Zyrtarët e partisë së Haradinajt thanë se presin që brenda ditësh Gjykata të vendos për lirimin me kusht të tij, që do të nënkuptonte “qëndrimin brenda shtetit francez deri në zgjidhjen e rastit nga gjykata franceze”.

    Ndërkohë ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, i tha Radios Evropa e Lirë, se “i është drejtuar sërish të premten homologut të saj francez me kërkesën për lirimin e Haradinajt” dhe tha se “po përcillen të gjithë hapat ligjor që do të mundësojnë lirimin e tij”. Hoxha iu drejtua dy herë me kërkesë ministrit francez të drejtësisë brenda vetëm dy ditëve.

    Ndërkohë, Ministria e Drejtësisë e Serbisë tha të premten se “në një afat sa më të shkurtër kohor” do të kërkojë nga Franca ekstradimin e Haradinajt

    “Ministria e Drejtësisë e Republikës së Serbisë do të drejtojë në një afat sa më të shkurtër një kërkesë zyrtare për ekstradimin e Ramush Haradinajt”, tha për Radion Evropa e Lirë shërbimi për media I Ministrisë.

    Ramush Haradinaj qe arrestuar edhe në vitin 2015 në Slloveni në bazë të urdhërarrestit të policisë së Serbisë të vitit 2004 dhe qe mbajtur për disa ditë në arrest në Lubjanë.  /Insajderi.com


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark