Shpërlarje parash, shmangie tatimi, kontrabandim me mallra e organizim i bixhozit të paligjshëm janë disa prej veprave penale të cilat rëndojnë mbi supet e vëllezërve të njohur nga Peja. Astrit e Arben Krasniqi janë të njohur për organet e drejtësisë për disa raste ndër vite. Seanca e 7 tetorit për bixhoz të ligjshëm dështoi të mbahet për shkak se munguan. Dëmet e tyre ndaj shtetit, nuk janë të pakta, kapin miliona. Insajderi sjell dosjen ekskluzive të djemve të “Apexave”.
Astrit Krasniqi akuzohet se përmes biznesit “Play 4 Win”, ka ndërhyrë në numëratorët mekanik dhe elektronik të automatëve, i ka dizajnuar dhe adaptuar në atë mënyrë që me numrin total të kombinimeve të mos ua paguajë lojtarëve 80% nga vlera e pagesave të realizuara përmes shënimeve të hyrje-daljeve nëpërmjet treguesit mekanik.
Ai se ka kryer shmangie tatimore në vlerë mbi gjysmë milioni euro e pastaj ato para i ka investuar në biznese dhe prona, duke kryer shpëlarje të parave në shumën prej mbi një milion euro.
Me biznesin “Play 4 Win”, i cili është regjistruar qysh 2005, Astriti i figurojnë se ka të regjistruara 59 njësi ndërkohë me “Play 4 Cash”, ka 5 njësi.
Edhe vëllai i tij, Arben Krasniqi po akuzohet përmes biznesit “Apex Gaming Kosova”, ka ndërhyrë në 14 numëratorë dhe i është shmangur tatimit në vlerën mbi afro 300 mijë euro dhe ka kryer po ashtu shpërlarje parash.
Sipas regjistrit të bizneseve kishte hiç më pak se 26 njësi, të shtrira në tërë territorin e vendit.
Sa rëndë e dëmtuan buxhetin e Kosovës vëllezërit Krasniqi me të bëmat e tyre ilegale?
Në një pikë të dosjes së Prokurorisë Speciale të cilën e ka siguruar Gazeta Insajderi, tregohet në detaje se si Astrit Krasniqi mashtronte klientët e tij, përkatësisht organizonte bixhoz të paligjshëm.
“Gjatë periudhës kohore 01.01.2013 deri në me datën 21.03.2019, përmes biznesit “Play 4 Win” me seli në mugën “Mbretëresha Teuta” në Pejë dhe biznesit “Play 4 Cash” në rrugën “Luan Haradinaj” në Prishtinë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për vete, ka vepruar në kundërshtim me Ligjin Nr. 04/L-80 për lojërat e fatit duke organizuar lojëra të fatit pa lejen e organit kompetentë shtetëror, në atë mënyrë që duke ndërhyrë në numëratoret mekanik dhe elektronik të automateve i ka dizajnuar dhe adaptuar në atë mënyrë, që me numrin total të kombinimeve, të mos ua paguaj lojtarëve tetëdhjetë për qind (80) % nga vlera e pagesave të realizuara përmes shënimeve të hyrjeve-daljeve nëpërmjet treguesit mekanik, për të cilin nuk posedonte leje përkatëse nga organ kompetent, si dhe duke vënë në përdorim edhe nëntë (9) aparate të cilat ishin të duplifikuara..”, thuhet në dosjen e siguruara nga Gazeta Insajderi.
Sipas prokurorisë, Krasniqi ka kryer edhe veprën penale kontrabandim i mallrave duke importuar automate ose programe kompjuterike, nga vende të ndryshme në Kosovë e që për dërgesën nuk ishte e njoftuar Administrata Tatimore e Kosovës.
Krejt kjo pasi për këto automate nuk kishte poseduar licenca.
Përmes dy bizneseve të bixhozit, “Play 4 Win” dhe “Play 4 Cash”, Astrit Krasniqi duke iu shmangur tatimit ka dëmtuar buxhetin e shtetit në vlerë prej mbi gjysmë milioni euro.
“…I pandehuri i lartcekur, me qëllim të fshehjes apo shmangies pjesërisht apo tërësisht të pagesës së tatimit dhe duke mos i mbajtur regjistrat sipas dispozitave ligjore që parashihen sipas Ligjit per Administratën Tatimore dhe Procedurat (Ligji Nr.03/L-222), të sanksionuar sipas nenit 63 par.1, ka dhënë shënime të pavërteta lidhur me të ardhurat e bizneseve të tij “Play 4 Win ” dhe.” Play 4 Cash “, me qëllim të shmangies nga pasojat juridike ose pasojat e mundshme ligjore, e ka dëmtuar Buxhetin e Republikës së Kosovës me shumën e përgjithshme 593,680.40 euro, në emër të dy bizneseve të lartcekura”, theksohet në dosje përcjell Insajderi.
Përveç shmangies së tatimit dëmi më i madh shteti iu shkaktua nga shpërlarja e parave që u bë nga biznesmeni Krasniqi.
“…I pandehuri ka kryer shpëlarje të parave shumën prej mbi 1 milion euro dhe me këtë ka fshehin ose maskuar natyrën e vërtetë, burimin, vendndodhjen, sistemimin, lëvizjen, dhe të drejtat në lidhje me pronësinë e kësaj pasurie, apo në çfarëdo rrethanash, me qëllim që të shkaktoj shmangien nga pasojat juridike ose pasojat e mundshme ligjore, duke e fshehur shumën e përgjithshme 593,680.40 euro në emër të dy bizneseve të lartcekura”, potencohet në dosje.
Hiç më lehtë me akuza nuk qëndron as vëllai i tij i Astrit, Arben Krasniqi. Për vite radhazi ai ka organizuar kundërligjshëm lojëra të fatit. Madje në dosje të prokurorisë ceket se si kryente edhe mashtrime ndaj klientëve.
“Gjatë periudhës kohore 01.01.2013 deri në me datën 21.03.2019, përmes biznesit “Apex Gaming Kosova” me seli në rrugën “Mbretëresha Teute” në Pejë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për vete, ka vepruar në kundërshtim me Ligjin Nr. 04/L-80 për lojërat e fatit duke organizuar lojëra të fatit pa lejen e organit kompetente shtetëror, në atë mënyrë që duke ndërhyrë në numëratoret mekanik dhe elektronik të automatëve i ka dizajnuar dhe adaptuar në atë mënyrë, që me numrin total të kombinimeve, të mos ua paguaj lojtarëve tetëdhjetë për qind (80) % nga vlera e pagesave të bëra përmes shënimeve të hyrjeve daljeve nëpërmjet treguesit mekanik, për të cilin nuk posedonte leje përkatëse nga organi kompetent, si dhe duke vënë në përdorim 14 aparate të cilat ishin të duplifikuara”, ceket në dosjen e siguruar nga Insajderi.
Edhe Arbeni akuzohet për kontrabandim të mallrave, më konkretisht importim të aparateve pa licenca nëpër Kosovë nga vendet e ndryshme, pa qenë në dijeni ATK.
Përmes “Apex Gaming Kosova” , biznesmeni Krasniqi ka shmangur tatim në vlerë prej 298,547 duke e dëmtuar kështu rëndë buxhetin e shtetit.
Përveç “Shmangies nga tatimi”, Arbeni dyshohet se ka shpërlarë para në vlerë prej 75 mijë euro.
Në mungesë të akuzuarve Astrit Krasniqi, Arben Krasniqi dhe Armend Danqeli, ka dështuar të mbahet me 7 tetor gjykimi për shmangie nga tatimi dhe shpëlarje të parave në vlerë rreth 10 milionë euro.
Dëshmia ekskluzive e Faton Dalladakut – për çka i akuzon vëllezërit Krasniqi
Djemtë e ‘Apexave’, vëllezërit, Astrit e Arben Krasniqi po akuzohen edhe nga biznesmeni, Faton Dalladaku për mashtrim. Për mashtrim me një pronë të madhe. Derisa një pronë tjetër ua kishte shitur.
Krejt këtë rrëfim Dalladaku e dha në intervistë për InDoks prodhim i Gazetës Insajderi.
“…mirëpo ata (Arben e Astrit Krasniqi) e kanë bë një mashtrim, një falsifikim të tipit të vet dhe në krye me Destan Rukiqin, po e ceki Destan Rukiqin – ai ishte avokat i çështjes, i marrëveshjes dhe ishte edhe një familjar i njërit prej Krasniqëve, edhe punëtor i tij i ri, Ilir Ramaj i cili me urdhrin e Destan Rukiqi pas disa ditëve kishte shkuar në gjykatë në Komunën e Prishtinës dhe kanë bërë transferin e një pronës tjetër time që nuk ka qenë, objekt i shitjes, prej 14 hektarë e kanë përkthy në emrin të tyre pa dijeninë time, katër hektarë që i kam shit unë, ka qenë në hipotekën ka pas afat që ta lirojë nga hipoteka ata nuk e kanë prit afatin dhe unë se kam ditë që i kanë përkthy”, thotë ai.
“… ata e kanë falsifikuar një kontratë për shit-blerje, ska të bëjë me mua hiç edhe shkojnë e vërtetojnë në komunë të Prishtinës në zyrën për vërtetimin e kontratave kinse Ilir Ramaj një mashtrues, avokat unë e them me plotë fjalën mashtrues ai e vërteton kontratën kinse me autorizimin tim ka të drejtë me pranu parën jo pak 250 mijë euro. I marrin 14 hektarë, prapë pa dijeninë time, pa pasje të informatave unë i përmbahem marrëveshjes e lirojë nga hipoteka që ka qenë objekt i shitjes 4 hektari dhe nënshkruaj 4 hektar pa e ditë që mi kanë marrë 14 më herët”, vijon rrëfimi i biznesmenit.
Dalladaku në InDoks sqaroi se si vendosi të ngris padi civile ndaj vëllezërve Kransiqi. Teksa hedh akuza për ndërhyrje në rast.
“Kur dulen prej burgu, bajagi mos ti padisë unë, mos ti denoncojë në Polici pasi që ishte me EULEX atëherë dhe kur dolën atëherë nisën me i ndrru fjalët njëri thojke po e tjetri jo dhe unë mendova se me ia u bë një padi civile, më të butë njëherë…., eprorët e Policisë rastin e degradojnë e qojnë në Ferizaj 4-5 hetueseve të mirë të Prishtinës e qojnë atje, një hetues njëfarë Kemajl Qakolli qaj nuk është hetues, një inxhinier nuk ka lidhje me hetime – dhe krejt rastet e mija janë degradu aty”, tha Dalladaku.
Biznesmeni Dalladaku thotë se kishte tentuar që rastin me vëllezërit Arben e Astrit Krasniqi, ta zgjidhte me mirëkuptim, por dështoi.
“Edhe për rastin e Krasniqëve, pas një kohë unë jam interesu se çka është bë me rastin kur shkuam në Prokurori Speciale një-dy-tri herë kur shkuam në Prokurori të Shtetit dhe u barte lënda poshtë-lartë, ping-pong. Dhe më në fund më thirr në telefon një prokurore e rasti më thotë unë jam prokurori Haki Geci, thotë a mundesh me ardhë, unë shkojë i lumtur – po shkon procesi përpara dhe më la përshtypje, bile më tha mos fol me askënd për këtë rast, as me avokat për shkak të mos rrjedhin informacione kur shkova u ndërpre për shkak se ishte intervistë e gjatë”, ka thënë Dalladaku i cili ndihej i mashtruar.
Prokurori Haki Gecaj sipas biznesmenit Dalladaku do ta mbyllte atë rast.
“…pas disa ditëve kishin ndryshu gjërat, ai më thotë spo mundem kurrqysh me tregu që ka krim të organizuar dhe unë i mllefosur them po a e keni lexu deklaratën qa ka thanë qeky Rama e tri katër deklarata vet e ka pranu, ai thotë tekstualisht “Ilir Ramaj është mashtrues, rrenc” e ka pranu rastin kinse ka hy në kompjuter ka bë kontrata mirëpo pasi rasti ka kalu kohë të gjatë ka mrri paranënshkrimin edhe thotë më spo mundem. Kransiqëve dhe këta bëjnë hajgare thonë kam vjedh unë tokën, kam bërë falsifikim thotë qe ku jam njëfarë mënyrë unë smundem as me arrestu as ta detyrojë ta kthejë atë”, shton ai.
Ndërkohë, InDoks e kishte pyetur Prokurorinë Speciale, dhe vetë Haki Gecajn se si e ka mbyllur këtë rast, kur toka që Dalladaku thotë se ia kanë marrë me letra të falsifikuar ende është aty, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje. Ata nuk janë përgjigjur as nëse Prokurori Gecaj ka përfituar diçka nga vëllezërit Krasniqi për mbylljen e rastit.
InDoks e kishte kontaktuar edhe me Astrit Krasniqin, por as ai nuk foli për rastin.
Për çka akuzoheshin në të kaluarën vëllezërit Arben e Astrit Kransiqi?
Katër vite më parë, njëri prej rasteve më të mëdha të krimit të organizuar ishte mbyllur nga Gjykata e Apelit. Për t’u rikthyer vetëm pastaj në rigjykim.
Kjo gjykatë e shkallës së dytë e kishte vërtetuar vendimin e shkallës se parë, të datës 30 dhjetor 2015, marrë nga gjyqtarja Kateien Gabriel Wittenem, duke hedhur poshtë hedhur poshtë aktakuzën kundër 11 personave të ngarkuar mes tjerash për krim të organizuar.
Rasti kishte të bënte me pronarët e lojërave të fatit “Apex”, Arben Krasniqi e Astrit Krasniqi.
Përveç tyre të akuzuar ishin edhe Armend Neziri, Mujë Berisha, Gani Zeqiri, Kushtrim Hakaj, Arsim Mulliqi, Luan Halili, Agron Hoxha, Ilir Morina dhe Avni Morina për krim të organizuar, detyrim, shtrëngim dhe posedimi të paligjshëm të armëve dhe narkotikëve.
Në vendim thuhej se “Gjykata e Apelit pas shqyrtimit të lëndës dhe vlerësimit të pretendimeve ankimore në ankesë gjeti se: Ankesa e Prokurorisë speciale të republikës së Kosovës është e pabazuar”.
Ndërsa në arsyetimin e saj thuhet se gjykata e shkallës së parë në vendimin e muajit nëntor të vitit të kaluar “e pati hedhur poshtë si të palejueshme dhe të parregullt aktakuzën e prokurorisë speciale të Kosovës dhe ka pushuar procedurën penale kundër të pandehurve”.
“Qëllimi i këtij grupi ishte përftimi material duke shfrytëzuar forcën dhe kërcënimet serioze për t’i detyruar bizneset apo individët tjerë që t’i mbyllin kazinotë e tyre, të largojnë makina të caktuara të lojërave të fatit, apo të veprojnë sipas kushteve të pafavorshme për ta”, pretendon prokuroria në aktakuzë.
Veprat penale të pretenduara përfshijnë periudhën nga viti 2008 – 2013 dhe ndërlidhen me lojërat e fatit dhe të industrisë së kazinosë në Kosovë.
Prokuroria pretendon se që nga viti 2008, deri në kohën e arrestimit, Arben Krasniqi dhe Astrit Krasniqi si pronar të Kompanisë së Kazinove, Apex “Play4Win” kishin themeluar organizuar, mbikëqyrur, menaxhuar dhe drejtuar aktivitetet e një grupi të organizuar kriminal.
/GazetaInsajderi