×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Dosja e komandantit dhe “ushtarëve” të mashtrimit për banesën në Prishtinë, Prokuroria i cilëson të dyshuarit recidivistë

    Insajderi
    27 May 2024 - 15:25
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Një grua ka rënë pre e një rrjeti të mashtrimit lidhur me blerjen e një banese. Siç përshkruhet në dosjen e Prokurorisë, viktima është mashtruar, iu janë marrë para nën pretendimin se është duke u përgjuar, iu janë falsifikuar dokumentet për blerjen e banesës dhe iu janë marrë para të tjera si formë kapareje. Të dyshuar në këtë rast janë një ish-komandant, një avokat dhe dy persona të tjerë. Driton Dobruna, avokat, si dhe Hekuran Hoda, ish-komandant i UÇK’së, po përshkruhen si recidivistë, duke aluduar se kanë pasur raste të mëhershme mashtrimi.

    Gazeta Insajderi ka parë dosjen e Prokurorisë, ku në arsyetimin për kërkesën për paraburgim ndaj të dyshuarve thuhet se Shkumbin Hoti si i dyshuari kryesor, vëllai i tij Rrustem Hoti dhe Hekuran Hoda (ish-komandant i UÇK’së) e Driton Dobruna (avokat) janë “recidivistë të veprave të ngjashme penale”.

    “Në bazë të peshës së veprës penale, motiveve, mënyrës së kryerjes, rrethanave, ambientit dhe faktit se të pandehurit kanë vepruar në bashkëkryerje karakteristikave perosnale ku të pandehurit Shkumbin Rustem,Hekuran dhe Driton janë recidivistë të veprave penale të ngjajshme”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë për caktimn e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarve.

    Përshkruhet edhe mënyra se si i kanë ndarë detyrat, për ta mashtruar viktimën për t’ia shitur një banesë në vlerë prej 90 mijë eurove.

    “…të njëjtit duke i ndarë secili rolet e tyre dhe duke i kontribuar thelbësisht kryerjes së veprës penale, fillimisht e sajojnë blerjen e një banesë duke kërkuar të holla nga e dëmtuara, ku më pas i pandehuri Driton e falsifikon dokumentin parakontartë duke u paraqitur si noter me emrin Ekrem Havolli kurs e i pandehuri Hekuran paraqitet si pronar i banesës e cila në fakt ishte huazuar nga i pandehuri Shkumbin vetë sa për ta joshur të dëmtuarën që të paguaj shumën e të hollave në vlerë prej 90,000 euro.Për më tepër, pasi që i merr të hollat nga e dëmtuara, i pandehuri Shkumbin fillon ta shantazhoj të dëmtuarën duke i thënë se nëse e paraqet rastin në polici do të publikoj video me përmbajtje intime”, thuhet në dosje.

    Çdoherë sipas Prokurorisë, të dyshuarit Fatmire Zeneli dhe Shkumbin Hoti në vazhdën e skemës mashtruese kishin kërkuar nga një person që t’ua huazojnë zyrën për dy tre-ditë “kinse për të xhiruar një video senzibilizuese për të kërkuar ndihma për operimin e këmbës”.

    Në dosjen e Prokurorisë të cilën e ka parë Insajderi, e dyshuara Fatime Zeneli ishte paraqitur si ndihmëse e viktimës, duke tentuar t’ia zgjidhë një problem me Shkumbim Hotin, i cili është po ashtu i dyshuar për rastin e mashtrimit të banesës në vlerë prej 90 mijë eurosh dhe se i njëjti gjendet në arrati. Siç përshkruhet në dosje, Zeneli dyshohet t’ia ketë marrë viktimës 1000 frangë, teksa e ka gënjyer se “është duke u përgjuar”.

    “E dyshuara Fatime Zeneli gjatë muajit shkurt 2024 duke vepruar në bashkëkryerje me të pandehurn Shkumbin Hoti i cili gjendet në arrati, me qëllim të vënies në lajthim,përmes fshehjes së fakteve dhe paraqitjes së rreme të fakteve, me qëllim që ta detyrojë të dëmtuarën … të veprojë në dëm të pasurisë së saj – i kishte dërguar një sms viktimës G.H. ne rrjetin social Viber nga numri… në te cilin sms i kishte thënë se… ishte ne përgjim qe një vit dhe ishte ne dijeni për qëllimin e saj për te blere banese. I njëjti person kishte kërkuar qe te takoheshin me viktimën ne “Kastrati Bowling” i cili gjendet ne qytetin e Pejës dhe meqenëse ankuesja ishte ndier e kërcënuar kishte pranuar qe ta takonte gruan e tij me qe rast ishte takuar me një person te gjinisë femërore e cila i kishte thënë… për te i ndihmuar lidhur me problemi qe viktima kishte me personin Shkumbim Hoti ne kundërvlerë kishte kërkuar shumën e parave në vlerë prej 1000 frangave të cilat ankuesja ja kishte dhënë”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

    Zeneli dyshohet të ketë kryer veprën penale ‘Mashtrimi’.

    Në dosjen e Prokurorisë përmendet si i arrestuar edhe emri i avokatit Driton Dobruna.

    Ai dyshohet të ketë kryer veprën penale ‘Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve’. Në dosje thuhet se në bashkëkryerje me të dyshuarin Shkumbin Hoti, ka falsifikuar dokumenta dhe iu është prezantuar si noter viktimës.

    “I dyshuari Driton Dobruna me datë 21.02.2024 në zyrën e cila gjendet ne rrugën e UÇK-së në Prishtinë kati II, numër 7,duke vepruar në bashkëkryerje me të pandehurin Shkumbin Hoti i cili gjendet në arrati, pa autorizim plotëson ndonjë letër, formular të zbrazët ose ndonjë formë tjetër në të cilën është vënë nënshkrimi i personit tjetër dhe plotëson deklaratën përmes së cilës krijon marrëdhënie juridike në atë mënryë që: ka përpiluar dhe përdorur dhe shfyrtëzuar dokumentin e falsifikuar, duke u prezantuar si noter me ç’rast viktimës G.H. ja kishte prezantuar dokumentin e falsifikuar para kontratën me numër LRP.nr.0128/2024 në të cilën figuron se është noterizuar nga noter Ekrem Havolli”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

    Në anën tjetër, ish-komandanti Hekuran Hoda në këtë skemë dyshohet t’i jetë prezantuar viktimës si pronar i një banese në Prishtinë, duke ia mundësuar Shkumbim Hotit marrjen e 10 mijë eurove si kapar nga ajo.

    “I dyshuari Hekuran Hoda në periudhën kohore përafërsisht ndërmjet muajve janar 2023 deri më janar 2024 duke vepruar në bashkëkryerje me të pandehurin Shkumbin Hoti ishte prezantuar si pronar i banesës e cila gjendej ne Prishtinë dhe te cilën ankuesja se bashku me personin Shkumbim Hoti kishin qenë për ta shikuar dy tre here ku dhe i dyshuari e kishte pohuar se nga Shkumbim Hoti kishte marr shumën e parave ne vlere prej 10,000.00 euro si kapar ndërsa pjesën tjetër do te ja jepnin pas nënshkrimit te kontratës për banese tek noteri”, thekson Prokuroria në dosje.

    Me këto veprime i lartcekuri Hekuran Hoda dyshohet se ka kryer veprën penale ‘Mashtrimi’.

    Prokuroria ka bërë të ditur se Shkumbim Hoti si i dyshuari kryesor gjendet në arrati.

    Në dosje zbardhen edhe detaje të tjera tronditëse lidhur me rastin. Hoti, i cili është në arrati, thuhet t’i ketë thënë viktimës se në rast se do ta paraqiste rastin në polici, do t’i publikonte video intime të saj.

    “…i pandehuri Shkumbin fillon ta shantazhoj të dëmtuarën duke i thënë se nëse e paraqet rastin në polici do të publikoj video me përmbajtje intime të të dëmtuarës”.

    Më pas, siç thotë Prokuroria, me të kuptuar se në shtëpinë e Hotit ka filluar kontrolli nga Policia e Kosovës, i njëjti e ka kanosur viktimën duke i thënë se “ma ke dërgu policinë në shtëpi”. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark