×
  • Lajme
  • Lajme

    Bashkë me komandant Hodën u arrestua edhe avokati Dobruna- për çka po dyshohet ai

    Insajderi
    26 May 2024 - 13:39
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Komandant Hekuran Hoda, i cili u arrestua dje nga policia nën dyshimet për mashtrim, i është caktuar masa e paraburgimit.

    Ai dyshohet se ka kryer veprën penale mashtrim në bashkëkryerje përmes falsifikimit të dokumenteve, krijimit të kontratave të falsifikuara, mashtrimit dhe prezantimeve të rreme.

    Gazeta Insajderi ka siguruar dosjen e Prokurorisë, në të cilën përmendet si i arrestuar edhe emri i avokatit Driton Dobruna.

    Ai dyshohet të ketë kryer veprën penale ‘Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve’. Në dosje thuhet se në bashkëkryerje me të dyshuarin Shkumbin Hoti, ka falsifikuar dokumenta dhe iu është prezantuar si noter viktimës.

    Policia të enjten ka bastisur dy lokacione, një në Prishtinë dhe një në Gjakovë, pasi dyshohet se katër persona në bashkëkryerje, përmes falsifikimit të dokumenteve, krijimit të kontratave të falsifikuara, mashtrimit dhe prezantimeve të rreme si persona zyrtarë, kanë mashtruar një person të cilës në emër të shitjes së një banese ia kanë marrë 90 mijë euro.

    “I dyshuari Driton Dobruna me datë 21.02.2024 në zyrën e cila gjendet ne rrugën e UÇK-së në Prishtinë kati II, numër 7,duke vepruar në bashkëkryerje me të pandehurin Shkumbin Hoti i cili gjendet në arrati, pa autorizim plotëson ndonjë letër, formular të zbrazët ose ndonjë formë tjetër në të cilën është vënë nënshkrimi i personit tjetër dhe plotëson deklaratën përmes së cilës krijon marrëdhënie juridike në atë mënryë që: ka përpiluar dhe përdorur dhe shfyrtëzuar dokumentin e falsifikuar, duke u prezantuar si noter me ç’rast viktimës Ganimet Halilaj ja kishte prezantuar dokumentin e falsifikuar para kontratën me numër LRP.nr.0128/2024 në të cilën figuron se është noterizuar nga noter Ekrem Havolli”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.

    Insajderi ka kontaktuar me kryetarin e Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK), Besnik Berisha, i cili ka konfirmuar arrestimin e avokatit Dobruna.

    “Me të marrë lajmin me Policia e Kosovës menjëherë kam njoftuar Këshillin Drejtues dhe kam dërguar kryetarin e degës regjionale të Gjakovës për të kontaktuar me avokatin e ndaluar. Është realizuar takimi mes kryetarit të degës regjionale dhe avokatit dhe po ashtu është caktuar një avokat sipas detyrës zyrtare për t’i mbrojtur të drejtat dhe interesat e anëtarit të OAK-ut deri në një vendim tjetër”, ka deklaruar Berisha për Insajderin.

    Insajderi ka përcjellë edhe aktivitetin e avokatit Dobruna në rrjetet sociale, i cili në njërën nga postimet e tij të fundit moralizon për punën e kolegëve të tij.

    “99% e avokatëve iu jep tjerëve reputacionin e keq”, ka shkruar ai në ‘Facebook’. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark