×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Dosja e plotë kriminale e vrasësit të Erona Coklit – sa herë ishte në telashe me ligjin, por mbeti në liri

    Insajderi
    16 April 2024 - 14:01
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    E premtja e 12 prillit ishte e kobshme për Kosovën, e edhe më e rëndë për familjen Cokli nga Ferizaj. Vajza e tyre, Erona u vra me armë zjarri nga ish-bashkëshorti i saj Valon Aliu, 36 vjeçar. Ai edhe para këtij rasti ishte i njohur për organet e rendit. Ishte recidivist.

    Insajderi ka siguruar dosjen e tij kriminale. Akuzohej për një sërë veprash penale.

    Akuzohej për; lëndim të lehtë trupor, për blerje, pranim ose fshehje e sendeve, për nxitje të akteve seksuale me premtimin e rrejshëm për martesë, për kanosje e së fundmi ndaj tij rëndon edhe vepra penale vrasje e rëndë.

    Gazeta Insajderi ka kërkuar detajet e dosjes së tij kriminale në Gjykatën Themelore në Ferizaj, si rrjedhojë nga përgjigjet kuptohet se ai, jo njëherë por disa herë kishte rënë ndesh me ligjin.

    Në bazë të Sistemit Sistemit Elektronik për Menxhimin e Lëndëve SMIL dhe Evidencës së lëndëve fizike, i pandehuri V.(K.)A., ka të regjistruar këto dosje penale të cilat janë të përfunduara:

    Në 2007 – i akuzuar për shkak të veprës penale lëndim i lehtë trupor sipas nenit 153 paragrafi 2 të KPK-së, për të cilën i është shqiptuar masë edukative-mbikëqyrje e shtuar nga ana e prindit, i cili aktvendim është bërë i plotfuqishëm më datë 12.04.2008.

    Në 2012 – i akuzuar për shkak të veprës penale lëndim i rëndë trupor sipas nenit 154 paragrafi 1 lidhur me paragrafin 5 të KPK-së, për të cilën i është shqiptuar dënim me gjobë në shumë prej njëmijë e treqind e pesëdhjetë (1.350) euro, i cili aktgjykim është bërë i plotëfuqishëm më datë 05.03.2015, të cilin e ka paguar sipas EDGJ 215/15.

    Në 2016 – i akuzuar për shkak të veprës penale blerja, pranimi ose fshehja e sendeve të përfituara me kryerjen e veprës penale sipas nenit 345 paragrafi 2 të KPK-së, për të cilën i është shqiptuar denim me burg prej 2 muajve i cili denim nuk do të ekzekutohet nëse i pandehuri në afat prej 1 viti nuk kryen vepër tjetër ose të ngjashme penale, i cili aktgjykim është bërë i plotëfuqishëm më datë 13.02.2019.

    Në 2021: i akuzuar për shkak të veprës penale nxitja e akteve seksuale me premtimin e rrejshlm për martesë nga neni 233 të KPRK-së, për të cilën konform nenit 363 paragrafi 1 pika 1.1 të KPPRK-së (Kodi i Procedurës Penale me numër 04/L-123 i cili ka qenë në fuqi në kohën e mbajtjes së këtij shqyrtimi gjyqësor) është marrë aktgjykim refuzues për shkak se Prokuroria është tërhequr nga ndjekja penale.

    Në 2022- i akuzuar për shkak të veprës penale kanosja sipas nenit 181 paragrafi 2 KPRK-së për të cilën i është shqiptuar dënim me burg prej 6 muajve i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i pandehuri në afat prej 2 viteve nuk kryen vepër tjetër ose të ngjashme penale, i cili aktgjykim është bërë i plotëfuqishëm më datë 14.11.2022.

    Si dhe rasti aktual 2024: i dyshuar për veprën penale vrasje e rëndë sipas nenit 173 paragrafi 1 nënparagrafi 1.3 dhe 1.5 të KPRK-së dhe veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve sipas nenit 366 paragrafi 1 të KPRK-së, për të cilën sipas vendimit të gjyqtarit të procedurës paraprake i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaj.

    Vrasja e viktimës sipas dosjes së prokurorisë ka ndodhur brenda zyrës së punëtores sociale në Ferizaj derisa po e zhvillonin takimin e tyre.

    Vetë i dyshuari në deklarimin e tij pas arrestimit ka treguar se në zyrë ishin takuar me ish-bashkëshorten, vëllain e saj 15-vjeçar dhe punëtoren sociale.

    Sipas dëshmisë së dorasit, ata kishin pasur një fjalosje me ish-bashkëshorten e më pas ka nxjerrë armën nga brezi dhe ka shtënë në drejtim të saj dhe vëllait të saj.

    Aliu vrau ish-bashkëshorten ndërsa e plagosi vëllain e saj 15 vjeçar.

    Tashmë, Gjykata Themelore ia ka caktuar masën e paraburgimi prej 1 muaji Valon Aliu për vrasjen e ish-gruas dhe plagosjen e vëllait të saj.

    Theksojmë se ende pa marrë epilog kjo vrasje e rëndë, një tjetër grua është vrarë sot nga bashkëshorti në Pejë.

    /Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark