×
  • Lajme
  • Insajderi

    Dosja “Fajdexhinjtë e Pejës” – këta janë 21 personat e dyshuar qe po hetohen nga Prokuroria

    Insajderi
    06 March 2022 - 20:15
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kismet Krasniqi, i njohur më herët si Isë Alimusja, Isa Camaj, Sokol Dembogaj, Enver Dreshaj, rreshter në Policinë e Kosovës, Besnik Mehmetaj, Besnik Lajqi, Driton Podrimqaku, Fadil Zhabollaj, Tafil Alikusaj, Astrit Grabovci, Petrit Kastrati, Valon Kastrati, Alush Bajraktaraj, Rexhep Elshani, Labinot Elshani, Shaip Mehmetaj, Orhan Lukaj, Sylë Jusaj, Gëzim Imeri , Astrit Kastrati e Asian Regjaj, janë duke u hetuar nga Prokuroria Themelore në Pejë, ata po dyshohen për veprat penale ‘fajde’ e ‘detyrim’.

    Disa prej tyreve iu është caktuar masa e paraburgimit prej një muaj.

    Ndërkohë, me 2 mars Prokuroria Themelore në Pejë mbajti seancën për ngrirjen e aseteve. Në ditën e aksionit Prokuroria bëri me dije se gjatë aksionit për fajde janë arrestuar 17 persona si dhe janë ngrirë pasuri që tejkalojnë shumën prej 5 milionë euro, shkruan Insajderi.

    Vendimi për zgjerim të hetimeve që e ka siguruar InDoks i përshkruan veprimet për të cilat dyshon Prokuroria që i kryen këta persona. Në këtë dosje përmenden edhe veprimet për të cilat dyshohet polici Enver Dreshaj.

    Ai dyshohet se gjatë vitit të kaluar në bashkëkryerje me Valon Kastratin, kontraktojnë shumë jo proporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit për një person tjetër duke shfrytëzuar gjendjen financiare të tyre dhe papërvojën.

    Në redaksinë e Insajderit pas raportimit të përfshirjes së këtij polici në rastin e Fajdeve në Pejë, kishte telefonuar i njëjti duke mohuar akuzat. Ai tashmë është arrestuar.

    Dosja e Prokurorisë që e ka siguruar InDoks për të dyshuarin tjetër, Kismet Krasniqi zbulon se ai më herët njihej si Isë Alimusaj, por nuk sqaron se si dhe pse e ndryshoi emrin.

    Dyshohej se që nga gushti i vitit 2020 e tutje në Pejë në vazhdimësi ka kontraktuar shuma jo proporcionale me pasurinë e tij në këmbim të shërbimit për personin tjetër duke e shfrytëzuar gjendjen e tyre financiare. Kismet Krasniqi dyshohet se të dëmtuarit M. I nga Peja ia shet një veturë të tipit Audi A6 në shumën prej 12 mijë euro të cilën duhet ta paguaj brenda pesë muajsh.

    Meqë viktima nuk kishte qenë i rregullt në pagesë “ai në emër të vonesës e detyron t`ia paguaj 1200 euro në muaj fajde. Në këtë mënyrë nga 12 mijë euro sa kishte blerë veturën, Krasniqi ia kërkon shumën prej 28 mijë eurosh”, thuhet në këtë dosje.

    Krasniqi sipas prokurorisë i vendosë një kamatë prej 10%. Duke e detyruar viktimën të paguaj mbi 1000 euro kamatë për vonesat.

    Prokuroria e përshkruan Kismet Krasniqin edhe si brutal.

    “Kur viktima përveç shumës prej 3 mijë euro  të cilat ia jep në periudha të ndryshme nuk mund t`ia kthejë Krasniqi e sulmon duke ia thyer krahun e majtë, të cilin rast nuk guxon ta paraqes në polici dhe vazhdon t`ia kërkoj edhe më tej shumën prej 28 mijë euro në emër të kamatave dhe borxhit kryesor”, thuhet në dokumentet e Prokurorisë.

    Në këtë rast përmendet edhe një i dyshuar tjetër që u arrestua këtë javë nga policia në aksionin e madh për fajde, Valon Kastrati. Të njëjtën veturë që e kishte blerë viktima M.I sipas prokurorisë, ai detyrohet t`ia shes një pale tjetër në shumën prej 10 mijë euro.

    Nga shumë prej 10 mijë euro, 4000 mijë euro i merr, në këtë rast ishte Valon Kastrati sipas prokurorisë. Ndërsa 6000 euro të veturës i merr viktima.

    Dosja e përshkruan që Kastrati, që kishte qenë në burg për dhe me të dalë nga burgu e kishte detyruar viktimën M.I. që t’ia jepte hiç më pak se 20 mijë euro dhe atë në emër të kinse një borxhi që viktima ia paska pasur një personi krejt tjetër.

    Në një pjesë të dosjes prokuroria e përmend Valon Kastratin që për një kinse borxh e kanë detyruar viktimën e njëjtë bashkë me Petrit Kastratin.

    “Petrit Kastrati gjatë vitit 2018 e në vazhdimësi në Pejë, kontrakton një shumë dukshëm joproporcionale të pasurisë në këmbim të shërbimit për personin tjetër, duke shfrytëzuar gjendjen financiare dhe përvojën e duke përfituar kështu shumë të mëdha parash nga i dëmtuari M.I. në atë mënyrë që kur i dëmtuari ishte shtrënguar nga Driton Podrimqaku që t’ia paguaj shuma të mëdha parash në emër të fajdes”, thuhet në dosjen e Prokurorisë,

    “Nga i pandehuri Petrit merr 15 e për 15 prej 5000 euro borxh me kamatë mujore prej 4% të cilit arrin t’ia paguajë vetëm për një muaj interesi prej 500 eurove, kur më pas nuk ka mundësi të paguajë , pastaj për të njëjtat arsye nga i njëjti detyrohet të marri edhe shumën prej 10 mijë eurove gjithashtu me interes prej 4% në muaj meqë nuk e përballon këtë shumë të interesi nga rrethi që ia kishin bërë të pandehurit këtu Driton e të tjerët”.

    Dosja thotë që pastaj Petrit Kastrati i telefon viktimës dhe i thotë se tani shumë e detyrimit është rritur në 20 mijë euro e më pas shkon tek i dëmtuari dhe i thotë se “nga sot i ka 1000 euro ditën” dhe se shumë e borxhit dhe kamatave tani ka arritur vlerën prej 55 mijë erove dhe i thotë se “po ta ndali interesin”, kur nga i dëmtuari kishin arritur që të marrë shumën prej 26 mijë e 800 euro në emër të kamatës.

    Driton Podrimqaku 42 vjeçar nga fshati Novosellë i Pejës është në mesin personave që tashmë po dyshohen si grupi i fajdeve të Pejës.  Dyshohet se ai përmes shantazheve e presioneve ka përfituar shuma të mëdha nga viktimat.

    Viktima që Prokuroria kërkoi që ti mbahej i fshehur identiteti dhe as InDoks nuk do t’ia zbulojë, fillimisht është kontaktuar nga i dyshuari Driton Podrimqaku i cili i ka thënë se “nëse të duhen para, ta kontaktojë”. Viktima merr borxh 5 mijë euro me kamatë 5 % në emër të interesit për tre muaj ia paguan shumën prej 750 euro – nga 250 në muaj. Kur viktima nuk arrin t’ia paguaj me kohë borxhin i pandehuri i shkojnë në punë dhe i thotë se tani duhet ta paguaj shumën 10 mijë euro dhe në çdo ditë që do të vonohesh do ta paguash shumën prej 1 mijë euro për dënim.

    Sipas dosjes, kur viktima ia paguan shumën fillestare prej 5 mijë euro, i pandehuri i thotë se këto para janë veç për një kafe. Atij i thotë se i detyrohet shumën prej 10 mijë euro. Pas disa muajve i shkon prapë në punë dhe i kërkon 25 mije euro për vonesën

    Në dosje thuhet se pasi viktima ia ka paguar të gjithë borxhin duke përfshirë edhe 25 mijë euro Driton Podrimqaku I shkon përsëri në punë dhe i kërkon që të nënshkruan një kontratë kinse i ka blerë një veturë ne atë vlerë si mbulesë për parat që i ka transferuar në llogarinë e gruas së tij.

    Si përfundim viktima ka paguar 40 mijë euro për 5 mijë euro, borxhin bazë që kishte marr në fillim. Por nuk përfundon këtu, i pandehuri vazhdon t’i kërkoj ende para viktimës duke e kërcënuar në forma të ndryshme.

    Alush Bajraktari nga komuna e Pejës është personi tjetër që i vihet theks në dosjen e Prokurorisë.

    Dosja thotë se gjatë vitit 2019 e tutje në Pejë, duke qenë në dijeni se i viktima ndodhej në krizë financiare dhe në detyrime të fajdeve ndaj të dyshuarve të tjerë, ia ofron një veturë BMË X5 të cilën ia llogaritë në vlerë prej 45 mijë euro, ndërsa i dëmtuari e merr të njëjtën dhe ia jep të pandehurit Petrit Kastrati në emër të borxhit të fajdeve i cili ia vlerëson 35 mijë euro.

    Pasi që viktima dështon t’ia paguaj borxhin, Alush Bajraktari i shkon në orët e vona tek shtëpia duke e kanosur seriozisht të dëmtuarin se do t’ia shkaktojë një të keqe, e duke e detyruar që së bashku të shkojnë tek Labinot Elshani dhe nga i njëjti merr 10 mijë eurove me kamat mujore prej 10% të cilën shumë ia jep menjëherë Alush Bajraktarit , ndërsa me pas i dëmtuari detyrohet para me fajde tek të dyshuar të tjerë e ku të pandehurit në fjalë ia jep edhe një shumë prej 5 mijë eurove, mirëpo që më tutje në pamundësi të kthimit të parave tjera detyrohet që të njëjtit t’ia kthej veturën e marr BMË X5 të cilën i pandehuri ia vlerëson në shumë prej 35 mijë eurove, duke mos ia llogaritur fare shumën e pareve të marr në vlerë prej 15 mijë eurove që viktima ia kishte paguar.

    Rreth këtij borxhi, dhe pasi që e kishte dërguar viktimën tek Labinot Elshani, i cili po ashtu i mori para në emër të kamatës viktimës, në dosje si i dyshuar është futur edhe Labinot Elshani.

    Duke ditur gjendjen e rëndë financiare të viktimës, në lojë sipas Prokurorisë kishte hyrë edhe një punëtor i tij, Kujtim Berisha i cili i thotë se mund ti gjejë para nga tezaku i tij, në këtë rast Rexhep Elshani. Dosja thotë se Rexhep Elshani ia jep 6 mijë euro me një kamatë prej 12 përqind në muaj. Thuhet se vetëm në emër të kamatës viktima pagoi për këtë borxh 7200 euro derisa Kujtim Berisha ishte kujdesur që Rexhep Elshani të mos takohej në këtë periudhë me viktimën.

    Në dosje janë përshkruar dhe të bëmat, sipas Prokurorisë edhe të personave të tjerë, dhe përfitimet që ata kanë arritur që ti krijojnë përmes krimit të fajdeve. Për këtë, seanca në të cilën Gjykata nuk e lejoi ekipin e InDoks që ta përcillte as me prezencë e as me kamerë, ishte për të marrë vendim që t’iu bllokoheshin prona, xhirollogari e asete të të dyshuarve.

    Procesverbali i kësaj seance që u mbajt larg syve të publikut e që e ka siguruar InDoks zbulon pasuri marramendëse të të dyshuarve.

    InDoks | Dosja Fajdexhinjtë e Pejës – Dokumentari i plotë

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark