Insajderi
Lajme

Dosja nafta/ Çfarë u sekuestrua në shtëpinë e Skender Kelmendit të “Eurokos Petrol”, i arrestuar në aksionin kundër naftëtarëve?

Insajderi
06 July 2026 - 18:04
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Dosja nafta/ Çfarë u sekuestrua në shtëpinë e Skender Kelmendit të “Eurokos Petrol”, i arrestuar në aksionin kundër naftëtarëve?
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Vetura luksoze, qindra mijëra euro kesh, armë me dylbi e qese të tëra me dokumente financiare janë sekuestruar gjatë aksionit të madh të Prokurorisë Speciale të Kosovës, ku u prangosën nëntë persona të dyshuar për kontrabandë me derivate e shpëlarje parash.

Dyshimet e Gjykatës mbështeten mbi përgjime që zbuluan se si të dyshuarit modifikonin cisternat të cilat disa mbusheshin me naftë e të tjerat me ujë natyral, me qëllim që t’u shmangeshin detyrimeve doganore.

Pjesë e këtij aksioni të madh ku u bastisen dhjetar ishte edhe biznesi dhe shtëpia e Skender Kelmendit. Nga aty u sekuestruan armë me dylbi, pistoletë, para dhe dokumente të “Eurokos SH.P.K”.

Sipas dokumentit që ka siguruar Gazeta Insajderi thuhet se një nga bastisjet më të mëdha është realizuar te Skender Kelmendi në shtëpinë e tij në Lipjan dhe në biznesin “Eurokos” SH.P.K në Shtime.

Tek ai janë sekuestruar:

Armë dhe municion: Një pushkë e gjatë me dylbi ZIMERMAN, një pushkë gjuetie (me leje të skaduara), një pistoletë HS, karikatorë dhe dhjetëra fishekë të kalibrave të ndryshëm.

Para kesh: Qindra euro të ndara në kartëmonedha dhe monedha metalike, si dhe 500 Kruna.

Vetura: Një Audi Q5 (i zi) i cili është tërhequr dhe është dërguar në kampin Vrella.

Pajisje elektronike: Telefon iPhone 14 Pro Max, telefon Samsung, dy laptopë HP dhe një shtëpizë kompjuteri Cooler Master.

Dokumentacion gjigant: Dosje të plota të importit (2024-2026), dokumente të tenderëve të HIB Petrol (2025-2026), libreza të shoferëve të autoboteve MAN dhe SCANIA, si dhe mbi 25 foldera me dokumente financiare të viteve 2021-2026.

Kelmendi është në mesin e nëntë personave të arrestuar, që dyshohen se funksiononin si grup i strukturuar kriminal, pasi që prokuroria thotë se janë të dyshuar për veprat penale të shpëlarjes së parave, kontrabandimit të mallrave në bashkëkryerje, pjesëmarrjes ose organizimit të grupit kriminal të organizuar, përdorimit të dokumenteve të rreme lidhur me tatimin dhe shmangies nga tatimi.

Çfarë dihet deri me tani?

Gjykata e Prishtinës më 03.07.2026 iu caktoi nga një muaj paraburgim nëntë të dyshuarve për kontrabandë më naftë, të cilët u arrestuan gjatë aksionit të Prokurorisë Speciale të Kosovës më 01.07.2026.

Të dyshuarit në këtë rast janë: Faruk Mazrek, Fariz Mazrek, Skender Kelmendi, Nisret Bajraktari, Dashnim Miftari, Adem Morina, Muhamet Mazrek, Naser Morina dhe Gazmend Quni i njohur me nofkën “Haxhi” dhe “Haxhi baba”.

Në vendimin  e gjykatës, thuhet se ekziston dyshimi i arsyeshëm se të pandehurit kanë vepruar si grup kriminal dhe kanë kryer veprat penale si: “Shperlarja e parave”, “Kontrabandimi i mallrave në bashkëkryerje”, “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Falsifikim i parasë”.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark