×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Analiza

    Dosja | Si funksiononte grupi me anëtarë nga Kosova dhe Shqipëria që mbolli kanabis në Klinë?

    Insajderi
    12 August 2024 - 10:09
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Gjykata Themelore në Pejë përgjatë ditës së djeshme ka caktuar masën e paraburgimit ndaj Silver Qibinit, të dyshuarit të përfshirë në zonën e mbjellë me 960 bimë kanabisi të identifikuar nga Policia e Kosovës të shtunën në Klinë.

    Gazeta Insajderi ka arritur të sigurojë dosjen e Prokurorisë për të dyshuarit e përfshirë në këtë rast. Deri më tani, policia ka arritur të arrestojë Qibinin, teksa pesë të dyshuar tjerë janë në arrati dhe janë shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës.

    Në dosjen e Prokurorisë thuhet se sipas raportit të inteligjencës, më 1 gusht të këtij viti të pandehurit bisedojnë mes vete për maska, për vizita në vendin e ngjarjes, për kultivimin e marihuanës dhe çështje të tjera.

    Prokuroria Themelore në Pejë në kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Qibinit thuhet se ekziston rreziku real që ai të arratiset dhe të pengojë rrjedhen normale të procedurës penale.

    “…Kësaj duhet shtuar edhe faktin se i pandehuri Silver nuk është shtetas i Republikës së Kosovës por shtetas i Republikës së Shqipërisë, në Kosovë nuk ka ndonjë vendbanim dhe i njëjti është arrestuar nga Policia e Kosovës gjatë zbatimit të planit operativ. Andaj me lënien e tij në liri ekziston rreziku reali që ai të arratiset dhe të pengoj rrjedhën normale të procedurës penale”, thuhet në dosjen e Prokurorisë, të cilën e ka parë Insajderi.

    Gjykata ka vlerësuar se të dyshuarit kanë përsëritur në vazhdimësi veprën penale “dhe numrin e bimëve të mbjella që është 960 sosh të cilit kishin për t’u nxjerr për t’u tharë e më pas do të ishin për shitje”.

    Gazeta Insajderi ka raportuar ekskluzivisht të shtunën për një operacion të Policisë së Kosovës në fshatin Perqevë të Klinës, ku është zbuluar një zonë me 965 bimë kanabisi.

    Policia e Kosovës gjatë së dielës i shpalli në kërkim pesë persona: Gzim Gashin, Faik Gashin, Selim Gashin, Marglen Çomanin dhe Albion Kalemin.

    Siç u tha në njoftimin e PK’së, ata dyshohet të kenë kryer veprën penale “Kultivim i bimës se hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit”.

    “Personat e dyshuar me autorizim të organeve të drejtësisë shpallen në KËRKIM nga Policia e Kosovës nën dyshimin e bazuar se të njëjtit duke bashkëpunuar dhe bashkëvepruar kanë kryer veprën penale “Kultivim i bimës se hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” vepër kjo e sanksionuar sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, u tha në njoftimin e PK’së.

    Këtë operacion po e udhëheq prokurori Ersan Qavolli.

    Cila është e kaluara kriminale e tre Gashëve?

    Insajderi merr vesh nga burime të saja se Gzim Gashi është recidivist dhe ka dosje të trashë kriminale. Atij iu janë regjistruar 61 incidente, ku në shumicën e tyre ka qenë i përfshirë si i dyshuar.

    Ai ka shënuar incidentet e para penale që nga 2004-a  e deri në fund të 2023-ës. Gashi dyshohet për posedim ilegal të armëve, ngacmim, sulm, prerje ilegale e drunjve, lëndim trupor, falsim dokumentesh, prishje e rendit dhe qetësisë, vjedhje, mashtrim, kanosje, sulm ndaj personit zyrtar, grabitje, e shumë e shumë vepra penale.

    Ndaj tij janë realizuar 12 urdhër-arreste, ku ndër të tjera është arrestuar edhe për furnizim, transportim dhe prodhim ilegal të armëve.

    Në anën tjetër, i dyshuari tjetër Faik Gashi ka regjistruar gjithsej dy incidente: Njërën për falsifikim të dokumentit zyrtar dhe tjetër për falsifikim dokumentesh.

    Ndërkaq, Selim Gashi është hetuar si i dyshuar për nëntë vepra penale në pesë vitet e fundit: shmangie nga tatimi, kanosje, vjedhje, lëndim i rëndë trupor, lëndim i lehtë trupor, sulmi dhe mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve. Ai është edhe përsëritës i disa veprave penale, sikurse është kanosja dhe lëndimi trupor.

    Atij iu kishte sekuestruar këtë vit një pistoletë. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark