Drejtori i kompanisë ‘Sirius Wine’, Arsim Rashiti, i shpallur në kërkim nga Policia kah fundi i muajit gusht për një rast rrahjeje, ka përfunduar në mbajtje.
47-vjeçari po hetohet për përfshirje në një përleshje fizike që ndodhi më 23 korrik në diskotekën ‘Sauvage’.
Sipas informacioneve nga Sinjali, Policia ka arritur të lokalizojë Rashitin dhe ndaj tij Prokurori i Shtetit ka lëshuar një urdhër për masën e ndalimit policor.
Arsim Rashiti, së bashku me të dyshuarit e tjerë Fatlum Verbovci dhe Daut Halili, janë nën hetim për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”. Ata dyshohen se në diskotekën ‘Sauvage’ kanë sulmuar një 36-vjeçar, i cili fillimisht nuk ishte lejuar të hynte në ambientet e diskotekës nga punëtorët e sigurimit, me pretendimin se kjo ishte bërë me urdhër të shefit të diskotekës.
Viktimës i dolën përpara tre të dyshuarit dhe e sulmuan fizikisht. Më pas, Rashiti dhe Verbovci janë arratisur, ndërsa Halili është kapur po atë natë.