Ylli i njohur i muzikës pop, Dua Lipa dhe kantautorja britanike, Griff, janë paralajmëruar si dy performueset e para të ceremonisë së sivjetme “BRIT Awards”.
Këngëtarja e hitit “Levitating” dhe fituesja e çmimit “Ylli në ngritje”, që të dyja do ta hijeshojnë skenën e kësaj ceremonie shpërblyese e cila mbahet më 11 maj.
Në një prononcim për media, bukuroshja me prejardhje kosovare dhe famë botërore, Dua Lipa tha: “Jam shumë e lumtur që do të rikthehem për të performuar për të gjithë ju në edicionin e sivjetmë të ceremonisë ‘BRIT’. Do të jetë një ndjenjë vërtetë e veçantë të rikthehem në skenën e muzikës në Britani të Madhe. Prandaj u kërkojë të gjithëve të luteni për mua, sepse do të jem në një dhomë të mbushur me disa prej artistëve më të mëdhenj dhe më të mirë në botë, duke kënduar me gjithë zemër. Mezi po pres!!!”
Griff përveç se do të jetë pjesë e shout si performuese, gjatë ditës së sotme ajo i bashkohet prezantuesit të famshëm, Nick Grimshaë, për t’i bërë të ditur emrat e artistëve të nominuar në të gjitha kategoritë. Nominimet e ceremonisë “BRIT Awards” do të postohen në kanalet sociale nga ora 4 e pasdites.
Lajmi vjen pak kohë pasi u konfirmua se aktori komik, Jack Whitehall, do të prezantojë këtë ngjarje për të katërtën herë.
“Është vërtetë një nderë ta drejtojë këtë ceremoni por sivjet ndjesia është edhe më e veçantë. Sigurisht po e bëjë një punë të mirë si prezantues pasi jam ftuar sërish në këtë rol. Ngjarja ka për qëllim t’i festojë të gjithë artistët që kanë bërë muzikë e cila na ka ndihmuar t’i bëjmë ballë një viti të tmerrshëm si ky. Po ashtu tani e kam një arsye të mirë të largohem për pak kohë nga shtëpia dhe ta veshi një kostum elegant. Sinqerisht u them se do ta pranoja rolin e prezantuesit të ceremonisë edhe nëse do ta mbanin atë në një fushë, vetëm me mua dhe Craig Davidin”, ka deklaruar Whitehall.
Ceremonia “BRIT Awards” mbahet më 11 maj në arenën O2 të Londrës, dhe do të transmetohet ekskluzivisht në “ITV” dhe “ITV Hub”.