Numri një në listë, numri një në qeveri. Gruevski, një ekonomist i ri, i është futur politikës herët. Në vitin 1999 ai ka qenë ministër i Financave në fillim të dekadës së tretë.
46-vjeçari ka një histori të gjatë në këtë fushë. Karizmatik për shumë njerëz, në fillim ai u bë lider në një mosh të re. Në vitin 2003 fitoi si kryetar i partisë nacionaliste VMRO. Është marrë me teatër dhe boks. Shumë maqedonas i besojnë atij dhe duan vazhdimin e kësaj politike. Sa i takon situatës aktuale në Maqedoni, Gruevski thotë se faji është i opozitës.
“Kjo fushatë e opozitës është e atyre që janë përgjegjës për këtë krizë politike, për ngecjen e integrimit euroatlantik dhe arsyeja se përse ne ngecim”, ka thënë Gruevski.
Në vitin 2006 ai fitoi duke u bërë kryeministër në moshën 36-vjeçare. Maqedonia një vit para tij kishte marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian.
Shkupi zyrtar ka një problem pasi Greqia nuk ia njeh emrin, gjë që e bllokoi në shumë procese dhe që bëri të mos njihet me emrin e saj kushtetues nga Kombet e Bashkuara, pasi pranimi në organizata të tilla dhe në aleanca varet nga anëtarët ekzistues. Ndaj, vendi njihet me dy emra.
Delegacione të shumta negociuan mes Shkupit dhe Athinës. Por në vitin 2008 vendi nuk aderoi në NATO për shkak të vetos greke. Kundërpërgjigjja e Gruevskit ishte Shkupi 2014, kthimi i qendrës në fortesë antike.
Ndërkohë, afera politike dhe incidente të dyshimta ndëretnike në Maqedoni kanë ndodhur e jo vetëm një. Por, përveç fërkimeve shqiptaro-maqedonase, Maqedonia ka jetuar gjatë në një gjendje “elektroshoku”.
Majtisti Zoran Zaev, i LSDM-së, është pak më i ri se Gruevski, por të dy janë ekonomistë. Përballja e tyre është më e rëndësishmja. Zaev ka mbajtur ndaj shtetit protesta, bojë dhe bomba përgjimesh, që sollën deri tek zgjedhjet e jashtëzakonshme.
Në vazhdimësi flitet edhe për dy “bomba” të fundit në xhep, për incidentet e Kumanovës dhe rastin “Monstra”, dy nga më të ndjeshmit. Pikëçuditëse ka shumë, por a do të triumfojë Maqedonia qytetare e ish-kryebashkiakut të Strumicës, kjo nuk dihet.
Me Zaev janë edhe disa shqiptarë, gjë kjo që nuk lumturon disa parti shqiptare. Por mbi të gjitha, kreu i LSDM-së ka një përgjigje për Gruevskin.
“Ata që nuk kanë çfarë t’u ofrojnë qytetarëve përveç gënjeshtrave dhe trillimeve duan të shpëtojnë nga përgjegjësia që i pret”, ka thënë Zaev.
E sigurt është se tensionet e viteve të fundit kanë ndarë thellësisht qytetarët.