Pas negociatave që kanë zgjatur gjithë natën midis liderëve të Bashkimit Evropian, presidenti i Këshillit të BE-së ka thënë se duhet ende shumë punë, për të arritur një marrëveshje që do ta mbante Britaninë brenda bllokut.
“Tani për tani mund të them se kemi përparim, por duhet ende shumë për t’u bërë”, ka thënë Tusk për gazetarët në Bruksel.
Kryeministri britanik, David Cameron, ka kërkuar një sërë reformash në BE si kusht për të vazhduar anëtarësinë.
Presidenti i Francës, Francois Hollande, ka thënë se ka rezerva për kërkesën e Cameronit për masa mbrojtëse për vendet që nuk e përdorin euron.
Kryeministri çek, Bohuslav Sobotka, udhëheq grupin e vendeve të Evropës lindore që kundërshtojnë kërkesën e Cameronit për të kufizuar përfitimet e migrantëve të BE-së që punojnë brenda Britanisë.
Takimet dhe bisedimet në Bruksel do të vazhdojnë edhe gjatë ditës së sotme.
Publiku britanik, sipas të gjitha gjasave, do të votojë në muajin qershor, nëse Britania e Madhe duhet të qëndrojë ose të largohet nga BE-ja.