×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Durmishi me “demant” të rrejshëm, keqkupton qëlllimshëm raportimin e Insajderit

    Insajderi
    21 March 2024 - 14:01
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka tentuar ta bëjë një demantim të rrejshëm lidhur me ndërprerjen e punimeve në një pjesë të magjistrales Prishtinë-Mitrovicë. Në reagimin e tij thuhet se s’ka asnjë ndërprerje, ndonëse punët janë ndaluar që nga e shtuna në një pjesë të fshatit Studime të Vushtrrisë për shkak të mos-kompensimit financiar të pronave të shpronësuara.

    Durmishi me anë të një postimi në ‘Facebook’ ka publikuar pamje nga droni në pjesën kryesore të magjistrales, për të cilën Insajderi asnjëherë s’ka raportuar se ka pasur ndërprerje në atë pjesë.

    “Puna në terren, demanton portalet. Zhvillimi i punimeve në rrugën PRISHTINË-MITROVICË, po vazhdon me intensitet të shtuar, dinamikën e paraparë, e pa asnjë ndërprerje”, ka shkruar Durmishi, duke e keqkuptuar qëllimshëm raportimin e Insajderit.

    Insajderi ka realizuar një hulumtim që tregon se katër prona të shpronësuara që nga 2019’a nuk janë kompensuar financiarisht nga ana e ministrisë së Infrastrukturës. Për këtë, ata ua kanë ndërprerë gërmimet kompanive fituese të tenderit për zgjerim të magjistrales. Saktësisht, në fshatin Studime të Vushtrrisë.

    Përfaqësuesi i familjes së katër pronave, Nurhan Rashica, ka thënë për Insajderin se s’iu është dhënë ndonjë afat kohor nga Ministria e Infrastrukturës për ekzekutimin e parave. Ai ka bërë të ditur se ka lëshuar pronën e tij për gërmim, mirëpo pronarët e tjerë të tokave në mënyrë demonstrative kanë kundërshtuar një gjë të tillë.

    Përfaqësues të kompanisë punuese në atë pjesë kanë thënë prapa kamerave për Insajderin se kjo mund të çojë në zhagitjeve të punimeve.

    Insajderi ka kontaktuar me zëvendësministrin e Infrastrukturës, Hysen Durmishi, i cili ka thënë se s’është në dijeni për një gjë të tillë. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark