Dy anëtarë të Kryesisë së Bosnjës dhe Hercegovinës nuk kanë marrë pjesë në takimin me ministrin e jashtëm të Federatës Ruse, Sergei Lavrov, transmetojnë mediet sarajevase.
Siç lajmëron Klix.ba, së pari anëtari kroat i Kryesisë së BeH Zhelko Komshiq ka refuzuar të takohet me shefin e diplomacisë ruse, e më pas të njëjtën gjë e ka publikuar edhe anëtari boshnjak i Kryesisë Shefik Xhaferoviq.
Në fund, Lavrovin e ka pranuar vetëm anëtari serb i Kryesisë Millorad Dodik.
Sipas kumtesës së përbashkët të Komshiqit dhe Xhaferoviqit, ata këtë veprim e kanë ndërmarrë për shkak se diplomati rus nuk i ka respektuar institucionet dhe Kushtetutën e Bosnjës dhe Hercegovinës.
Si arsye e mos respektimit të institucioneve të BeH kanë përmendur se gjatë takimit të mbrëmshëm të Lavrovit me Dodikun në Pale, nuk ka pasur simbole të BeH, por edhe për shkak të disa deklaratave të Lavrovit, sidomos të asaj me të cilën e përshëndet rezolutën e Kuvendit Popullor të Republikës Serbe mbi neutralitetin ushtarak në rast se BeH anëtarësohet në NATO.
Lavrov është informuar shumë mirë, prandaj duhet të dinë se këtë vendim mund të marrin vetëm organet shtetërore të Bosnjës dhe Hercegovinës, ka thënë Komshiq, duke përkujtuar se BeH tashmë ka marrë vendimin për hyrje në BE dhe NATO./Insajderi.org.