Insajderi
Lajme

Dy anëtarët që s’e deshtën bashkimin e LDK’së me Osmanin nuk u panë sot në mbledhjen e Abdixhikut

Insajderi
05 May 2026 - 20:53
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
Dy anëtarët që s’e deshtën bashkimin e LDK’së me Osmanin nuk u panë sot në mbledhjen e Abdixhikut
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

As Hykmete Bajrami e as Avdullah Hoti nuk u panë në mesin e anëtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), ku u diskutua rreth bashkimit me Vjosa Osmanin.

Në bazë të fotografive të publikuar nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, nga të gjithë anëtarët e Kryesisë, në foto nuk shihen Bajrami dhe Hoti, shkruan Insajderi.

Hykmete Bajrami në një prononcim të fundit në debatin televiziv ‘Pressing’ në T7 ishte deklaruar rreth qëndrimeve të saja për bashkimin e LDK’së me Vjosa Osmanin.

Ajo kishte thënë se rikthimi potencial i saj nuk do të duhej të ishte aq i lehtë. Sipas saj, më 2021-ën Osmani ia shkaktoi një humbje të thellë LDK’së dhe ia shtoi në mënyrë eksponenciale votat LVV’së.

“Unë nuk jam njëra prej atyre që kthimin e znj. Osmani e shoh krejt të natyrshëm dhe shumë të lehtë, për shkak të krejt gjanave që i shpjegum deri më tani. Më lejoni t’ju them që zonja Osmani nuk ka qenë në studime gjashtë shtetit që gjashtë vite, që me u kthy qaq lehtë, ka qenë në studime po kthehet dhe po e gjen pozitën ku ka qenë”, kishte deklaruar Bajrami.

“Në vitin 2021 zonja Osmani ka dalë prej LDK-së, ia ka shkaktu një humbje të thellë LDK-së, e ka rritur eksponencialisht z. Kurti prej një rezultati 25 për qind në rezultat 50 për qind. Në atë kohë, elektorati jonë, besimtarët tanë, janë hidhëru shumë me zonjën Osmani. Atyre hidhërimi s’ju ka kalu edhe sot. Unë besoj që z. Abdixhiku edhe strukturat vendimmarrëse të LDK-së duhet me e bë një analizë. Me e pa se si do të jetë pritja e znj. Osmani. Të pyesin, të bëjnë matje, të dalin në terren dhe të shohin se çfarë net-efekti ka me pas sjellja e saj në LDK. Edhe pse po e them se jemi tu folë hipotetikisht”, kishte thënë më tej.

Ndërkaq Hoti në vazhdimësi kishte pasur përplasje në distancë me ish-presidenten Osmani. Ky i fundit ka bërë një postim para disa minutash.

“LDK mbi të gjitha!”, ka shkruar Hoti.

Hoti kishte thënë se s’do ta votonte Vjosa Osmanin për presidente në janar të këtij viti, para shpërbërjes së Kuvendit.

Vjosa Osmani po prezantohet si “kandidate për presidente” në listën zgjedhore të LDK’së. Një gjë të tillë e konfirmoi edhe kryetari i LDK’së, Lumir Abdixhiku, sot pas vendimit për bashkim me Osmanin. /Insajderi.org/


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark