×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Dy data të dyshimta- megjithatë Specialja mbyll rastin ku Kryegjykatësi i Ferizajt u hetua për falsifikim të provimeve

    Insajderi
    26 June 2024 - 14:20
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Prokuroria Speciale ka mbyllur rastin ku Kryetari i Gjykatës në Ferizaj ishte nën hetime pas denoncimit se duke punuar në Afganistan ka arritur edhe që t’i përfundoi studimet në Kosovë duke marrë pjesë pothuajse në çdo afat provimi. Ata kanë identifikuar së paku dy raste të dyshimta të datave për hyrje-daljet e tij në kufi, por nuk iu ka mjaftuar kjo. Në raport nuk është përmendur askund që PSRK e ka kontaktuar firmën amerikane në Afganistan ku ka qenë i punësuar Mustaf Tahiri për të marrë dosjen e tij të punëve që ka bërë dhe datave kur ai ka marrë pushime.
    Insajderi sjell detaje nga mënyra se si Prokuroria Merita Bina-Rugova e mbylli këtë rast

    Visar Duriqi

    Në janar të këtij viti Gazeta Insajderi kishte raportuar ekskluzivisht që në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) ishte deponuar një kallëzim penal kundër të parti të Gjykatës Themelore në Ferizaj, Mustaf Tahiri.

    Denoncuesi pretendonte se përfundimi i studimeve në Fakultetin Juridik nga ana e Tahirit ishte i dyshimtë. Kjo për faktin që ai një pjesë të studimeve e përfundoi sa ishte edhe me punë në Afganistan, dhe mori pjesë në pothuajse secilin afat.

    Mustaf Tahiri, tash Kryegjykatësi në Ferizaj kishte bërë gati një dekadë për ta përfunduar Fakultetin Juridik. E regjistroi në vitin 1997 dhe e përfundoi në vitin 2007.

    Prokuroria Speciale kishte nisur një hetim. Pas afro gjysmë viti, Prokurorja e angazhuar në këtë rast, Merita Bina-Rugova i ka dhënë fund hetimit duke vendosur që ta mbyll atë.

    Gazeta Insajderi kishte kërkuar këtë dokument, vendimin për mbyllje të hetimit, që ditën që mori përgjigjen për këtë rast, por u deshtë që të hapej një rast në Agjencinë për Informim e Privatësi (AIP) që PSRK-ja të ia jepte Insajderit një kopje të këtij vendimi.

    “Dy data të dyshimta”- kjo nuk i mjaftoi Prokurores, e mbyll hetimin

    Pasi që Insajderi hapi rast në AIP, PSRK-ja vendosi që të ia jepte gazetës vendimin mbi mbylljen e hetimeve kundër Kryegjykatësit të Ferizajt, Mustaf Tahiri.

    Në këtë dokument, është përshkruar se si ka nisur rasti dhe pse Prokurorja Speciale e angazhuar në këtë hetim, Merita Bina-Rugova vendosi që ta mbyllte atë.

    Më 11 janar 2024 në PSRK kishte pranuar një raport njoftues nga paraqitësi privat Bedri Elezi, sipas të cilit “ekziston dyshimi se Mustaf Tahiri, Kryetar i Gjykatës Themelore ne Ferizaj, gjatë periudhës 2003-2007, derisa ka qenë duke punuar në Afganistan, ka angazhuar me pagesë njerëz të tjerë për ti kryer provimet në Fakultetin Juridik. Dyshohet se në këtë mënyrë ka kryer veprën penale Legalizimi i përmbajtjes së rreme nga neni 395 të KPRK dhe Mashtrimi nga neni 323 të KPRK”, thuhet në raportin mbylljes së rastit.

    Tetë ditë më vonë PSRK kishte kërkuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda në Polici që të ndërmerren veprimet e caktuara hetimore dhe të verifikohen pretendimet e lartcekura.

    “Më 25.01.2024 është marrë deklarata e paraqitësit të rastit, dëshmitarit Bedri Elezi. Me atë rast, i njëjti ka përsëritur dyshimet se i paraqituri Mustaf Tahiri nuk i ka dhënë provimet personalisht. Këtë pretendim paraqitësi e arsyeton me pohimin se Fakulteti Juridik në Prishtinë nuk ka funksionuar gjatë vitit 1999 për shkak të luftës në Kosovë, ndërsa gjatë viteve në vijim i paraqituri Mustaf Tahiri ka punuar në Afganistan. Sipas dëshmitarit, provimet për të paraqiturin i ka dhënë G.B, zyrtar i Gjykatës Themelore në Ferizaj”, thuhet në raportin për mbyllje të rastit.

    Sa i përket pohimit se fakulteti nuk ka punuar gjatë vitit 1999, Prokuroria thotë se se kjo rrethanë nuk qëndron pasi që sipas tyre “ky fakt është verifikuar nga ana e UP, me rastin e dhënies së diplomës të paraqiturit”.

    Prokuroria tutje ka intervistuar personin që denoncuesi Elezi pretendoi se i ka kryer provimet për Kryegjykatësin Tahiri.

    “Më dt. 21.03.2024 është dëgjuar edhe G.B. në cilësi të dëshmitarit. Ky person kategorikisht ka mohuar pretendimet se i është nënshtruar provimeve të Fakultetit Juridik për Mustaf Tahirin. Thekson se madje te njëjtin as nuk e ka njohur deri në vitin 2011 kur të dytë janë pranuar në një projekt të USAID-it në Gjykatën Komunale të Ferizajit.

    Prokuroria thotë që për hetimin ka kërkuar të dhëna tek Drejtoria e Analizës dhe Inteligjencës e Policisë.

    E, këtu i dalin që së paku dy data janë të dyshimta, por ky fakt nuk i kishte mjaftuar dhe megjithatë Prokurorja e rastit vendosi që ta mbyllte rastin.

    “Nga Drejtoria e Analizës dhe Inteligjencës janë siguruar informata për kalimet kufitare për të paraqiturin Mustaf Tahiri. Sipas të dhënave të tyre, i njëjti ka qenë në Kosovë në kohën e dhënies së të gjitha provimeve. Kontestuese janë vetëm 2 provime-me dt. 10.Janar 2005 dhe 26 Mars 2006, sepse sipas raportit me dt. 19.11.2004 ka dalje nga Kosova dhe me dt. 09.03.2005 ka hyrje. Gjithashtu, me dt. 24.03.2006 ka dalje dhe 17.04.2006 ka hyrje”, thuhet në raportin e PSRK-së, dhënë Gazetës Insajderi.

    “Shpifje e hakmarrje”- Çka deklaroi Kryegjykatësi i Ferizajt në Prokurori?

    Kryegjykatësi i Ferizajt, Mustaf Tahiri derisa ishte duke u hetuar nga Prokuroria Speciale ishte thirrur për një intervistë. Ai u intervistua më 21 mars 2024.

    “I njëjti ka theksuar se në asnjë mënyrë nuk ka angazhuar ndonjë person tjetër që të kryej ndonjë provim për të. G.B e njeh nga viti 2010 apo 2011 kur kanë filluar të punojnë në Gjykatë. Deklaron se udhëton shpesh, posaçërisht në Maqedoni ku e ka një pjesë të madhe të familjes dhe ku ka jetuar edhe vet, si dhe në Shqipëri. 20 vjet më parë, si tani, shpesh ka ndodhë që mos kërkohen dokumente në pikë kalimet kufitare”, kishte thënë para hetuesve Mustaf Tahiri.

    Sipas raportit të siguruar nga Insajderi, Mustaf Tahiri ka thënë në Prokurori se “kur ka punuar në Afganistan, udhëtimet i ka bërë përmes aeroporteve të tërë rajonit – Prishtinës, Shkupit dhe Tiranës”.

    Ai ka dhënë një mendim edhe për ekspertin e sigurisë, denoncuesin e këtij rasti, Bedri Elezi dhe se pse ai e denoncoi.

    “Sipas mendimit të tij, denoncimi kundër tij është shpifje në shenjë hakmarrje për shkak se ai si gjyqtar i procedurës paraprake ka caktuar paraburgim kundër Xhabir Zharkut me të cilin paraqitësi ka lidhje farefisnore, dajë e nip”, thuhet në raport.

    Kryegjykatësi Mustaf Tahiri kishte thënë që në disa raste në vitin 2005-2006, kur janë së paku dy data të dyshimta, nuk i ishin kërkuar dokumentet nga kufitarët në hyrje-dalje.

    Prokuroria nuk ma mundur ta verifikoi këtë pohim në mënyrë të pavarura, dhe del që i ka besuar fjalës së Tahirit.

    “Përkundër tentimit që të verifikohet pohimi se në periudhën 2005/2006 ka pasur raste që nuk janë regjistruar kalimet kufitare, kjo nuk ka qenë e mundur sepse nga Departamenti i Policisë Kufitare kemi pranuar përgjigjen që nuk posedojnë informata të tilla”, thuhet në raport.

    Prokurorja Speciale Merita Bina-Rugova  në fund të raportit për mbylljen e këtij rasti thotë se deri te ky vendim ka ardhur për arsyet e cekura më lartë dhe sipas saj po për këtë arsye “nuk ka bazë për vazhdimin e procedurës ashtu që është vendos që rasti të mbyllet me këtë raport”.

    “Në rast të paraqitjes së informatave apo provave të reja, kjo prokurori do të filloj hetimin në çdo kohë”, thuhet në fund të vendimit.

    Në raport nuk është përmendur askund që PSRK e ka kontaktuar firmën amerikane në Afganistan ku ka qenë i punësuar Mustaf Tahiri për të marrë dosjen e tij të punëve që ka bërë dhe datave kur ai ka marrë pushime.

    Lexo raportimet e Insajderit për këtë rast:

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark