×
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    Dy drejtuesit e lartë të kompanisë në pronësi të ish-ambasadorit Akan Ismaili vihen në para-përjashtim nga BQK-ja

    Insajderi
    17 July 2024 - 14:43
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kompania e sigurimeve “Scardian” ku 50 % të aksioneve i mban ish-ambasadori Akan Ismaili është goditur me një vendim nga Banka Qendrore. Rrjedhimisht, dy drejtuesit e saj të lartë, Artan Lahaj e Hekuran Neziri janë përmendur në vendimin me të cilin ish-drejtori i Byrosë së Sigurimeve, Sami Mazreku u përjashtua nga industria për pesë vite. Lahaj e Neziri kanë marrë vërejtjen e fundit me shkrim, pas së cilës mund ta kenë fatin e Mazrekut

    Visar Duriqi

    Vërejtje më shkrim, pas së cilës mund të pasoj vendimi për përjashtim nga industria milionëshe  e sigurimeve. Ky është veprimi që Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka ndërmarr kundër Artan Lahaj e Hekuran Neziri, të dy drejtues të lartë të kompanisë së sigurimeve “Scardian”, që është themeluar nga ish-ambasadori Akan Ismaili.

    Këtë vendim, një kopje të të cilit e ka siguruar Gazeta Insajderi, e ka marrë BQK-ja në maj të këtij viti, dhe sipas ligjeve në fuqi që rregullojnë veprimtarinë e institucioneve nën mbikëqyrje të BQK-së, bëhet me dije se BQK-ja ka të drejtën e lëshimit të “vërejtjeve më shkrim” kur gjen shkelje dhe “angazhim në praktika të pasigurt”, të  drejtorëve dhe menaxherëve të lartë, punonjësve, aksionarëve kryesorë dhe atyre që kanë interes të konsiderueshëm në këtë industri. 

    Në këtë vendim, siç ka raportuar më herët Gazeta Insajderi, vendim për largim për pesë vite nga industria i është dhënë direkt ish-drejtorit të Byrosë së Sigurimeve të Kosovës (BKS), Sami Mazreku, derisa janë prekur me vërejtje edhe organet tjera drejtuese të Byrosë që janë të deleguar të kompanive të sigurimeve.

    Gazeta Insajderi tash e disa javë ka dërguar pyetje tek “Scardian” për të marr fillimisht një koment nga ta se si e shohin vendimin e BQK-së, se a kanë marrë ndonjë masë ndaj dy zyrtarëve të tyre të përmendur në vendimin e BQK-së dhe se a janë ftuar, eventualisht, këta dy zyrtarë nga Prokuroria, por të njëjti deri tash nuk janë përgjigjur.

    Në Regjistrin e Bizneseve “Scardian” figuron të jetë 100% në pronësi të kompanisë “Fundway” L.L.C, derisa dy personat e atakuar me “vërejtje me shkrim” nga BQK-ja, Artan Lahaj e Hekuran Neziri janë raportuar si agjent i regjistruar, respektivisht Neziri si Drejtor Menaxhues.

    “Fundway” L.L.C që mban 100% të aksioneve në “Scardian” është në pronësi të ish-ambasadorit të Kosovës në ShBA Akan Ismaili, që mban 50 % të aksioneve dhe gjysmën tjetër e ka biznesmeni Bujar Musa.

    Sipas regjistrit publik të Ministrisë së Tregtisë të dy në këtë firmë kanë investur nga 7.2 milionë euro.

    Një hulumtim gazetaresk i vitit 2015 kishte zbuluar se biznesmenët Akan Ismaili dhe Bujar Musa kishin pasur lidhje biznesore edhe me Zvonko Veselinoviq – i sanksionuar tashmë e i shpallur non-grata nga SHBA-ja dhe Britania e Madhe.

    Vitin e kaluar u raportua se ish-Ambasadori Ismaili është nën hetime nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), pasi që dyshohet në vitin 2014 kishte rreth 4 milionë franga zvicerane të fshehura në një llogari sekrete në “Credit Suisse”, në Zvicër, të cilën ai nuk e deklaroi siç kërkohet me ligj.

    BQK në  këtë vendim që e mban datën 13 maj 2024, bëhet me dije se  “…iu shqiptohen masat “vërejtje me shkrim” përfaqësuesve të siguruesve në Asamblenë e Përgjithshme të Anëtarëve të Byrosë Kosovare të Sigurimit. të cilët kanë qenë në detyrë për periudhën e ekzaminuar, që përfshihej viti i kaluar, dhe jo vetëm.

    Në këtë vendim, si bazë është përmendur që është përdorur një raport i ekzaminimit, por i cili nuk është i qasshëm nga publiku.

    Megjithatë, Gazeta Insajderi e ka siguruar një kopje të këtij raporti, përmbajtjen e së cilit e ka publikuar në një seri shkrimesh të botuara deri tani.

    Që para publikimit të artikujve të parë, Gazeta Insajderi ka kontaktuar disa herë BKS-në, duke i dërguar pyetje, por të njëjtit deri tash nuk janë përgjigjur.

    Insajderi e ka pyetur edhe BQK-në për këtë raport, dhe eventualisht se a janë marrë masa për të mbikëqyrur se a janë zbatuar rekomandimet e dhëna për Byronë, por as ky institucion deri tash nuk është përgjigjur.

    Lexo raportimet e Insajderit:

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark