×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Akan Ismaili fshehi 4 milionë euro në Zvicër, Prokuroria Speciale e Kosovës nis të merret me rastin

    Insajderi
    13 January 2023 - 19:37
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Vetëm pak javë pasi një hulumtim gazetaresk zbuloi se ish-ambasadori i Kosovës në SHBA, Akan Ismaili, në vitin 2014 i kishte rreth 4 milionë franga zvicerane të fshehura në një llogari sekrete në “Credit Suisse”, në Zvicër, të cilën ai nuk e deklaroi siç kërkohet me ligj, rastin tashmë po e trajton Prokuroria Speciale e Kosovës.

    Kjo i është konfirmuar zyrtarisht gazetës online Reporteri.net nga zëdhënësi i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

    “Ju njoftojmë se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka iniciuar rast sipas detyrës zyrtare, si dhe është në fazën e analizimit të përmbajtjes së lajmit, me qëllim të grumbullimit të informatave të nevojshme për dyshimet të cilat ndërlidhen me kryerjen e veprës penale”, thuhet ne përgjigjen e Ekrem Lutfiut për gazetën online Reporteri.net.

    Ish manjati i telekomunikimeve në Kosovë, Akan Ismaili, u emërua ambasador në SHBA në vitin 2012.

    Duke qenë ambasador deri në vitin 2015, Ismaili ishte i detyruar ligjërisht të deklaronte pasurinë e tij në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit. Ai raportoi posedime duke përfshirë prona, kursime në para dhe kompani, por Ismaili nuk i njoftoi autoritetet për llogarinë e tij në “Credit Suisse”, e cila kishte vlerë pothuajse 3.9 milionë franga zvicerane në qershor të 2014-ës.

    Parat e fshehura dolën në pah më 22 dhjetor 2022 nga hulumtimi “Suisse Secrets”, i “Preportr” dhe “OCCRP”, një projekt gazetaresk bashkëpunues i bazuar në të dhënat e rrjedhura të llogarisë bankare nga gjiganti bankar zviceran “Credit Suisse”.

    Sipas legjislacionit të Kosovës, zyrtarët e lartë publikë që fshehin pasuritë e tyre ose bëjnë deklarata të rreme mund të gjobiten dhe të burgosen deri në pesë vjet.

    “Zyrtarët që kualifikohen për deklarim të pasurisë janë të obliguar që të raportojnë pasuritë e tyre monetare, te luajtshme dhe të paluajtshme që i posedojnë brenda dhe jashtë vendit. Mos deklarimi në kohe dhe deklarimi i pasaktë konsiderohen vepra penale të dënueshme me gjobë dhe me burg deri 5 vite”, thotë neni 430 i Kodit Penal të Kosovës.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark