Lionel Messi vazhdon të shkëlqejë në MLS, duke qenë sërish protagonisti kryesor për Inter Miami CF.
Superylli argjentinas realizoi dy gola dhe kontribuoi me një asist në triumfin spektakolar 5-3 ndaj FC Cincinnati, në një prej ndeshjeve më emocionuese të këtij sezoni në MLS.
Inter Miami kaloi në avantazh në minutën e 24-të, kur Messi përfitoi nga një devijim i mbrojtjes kundërshtare dhe e dërgoi topin në rrjetë.
Megjithatë, vendasit reaguan menjëherë duke përmbysur rezultatin falë golave të Kevin Denkey dhe Pavel Bucha.
Skuadra nga Miami nuk hoqi dorë dhe në fillim të pjesës së dytë Messi riktheu baraspeshën, duke shënuar për 2-2 pas një aksioni të bukur sulmues.
FC Cincinnati vazhdoi të krijonte rrezik dhe Evander riktheu avantazhin për ekipin vendas, por drama në këtë sfidë ishte larg fundit.
Në minutën e 79-të, Mateo Silvetti realizoi golin për 3-3, ndërsa vetëm pesë minuta më vonë Germán Berterame shënoi golin e avantazhit për mysafirët.
Në minutat shtesë, Inter Miami vulosi fitoren me golin e pestë, në një aksion tjetër ku Messi ishte protagonist.
Me dy golat e kësaj ndeshjeje, Messi ka arritur në kuotën e 61 golave dhe 42 asistimeve në 65 paraqitje gjatë sezonit të rregullt në MLS.
Kjo fitore e vazhdon serinë pozitive të Inter Miamit në kampionat dhe e forcon pozitën e skuadrës në krye të Konferencës Lindore, ndërsa Messi po e konfirmon edhe një herë formën e jashtëzakonshme që po kalon në futbollin amerikan.