×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Dy herë shkelës të Kushtetutës- Rastet që rrezikojnë rrëzimin e Qeverisë Kurti?

    Insajderi
    27 March 2023 - 15:18
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kushtetuta si akti më i lart juridik i një shteti përcakton parimet themelore me të cilat qeveriset shteti, përshkruan institucionet kryesore të shtetit si dhe përcakton marrëdhëniet midis këtyre institucioneve (p.sh, midis ekzekutivit, legjislativit dhe gjyqësorit). Kushtetuta vendos kufizime në ushtrimin e pushtetit dhe përcakton të drejtat dhe detyrat e qytetarëve, shkruan Insajderi.

    Tashmë Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar dy ligje të Qeverisë Kurti II si anti-kushtetuese, ndërsa dorëheqje për shkeljen e aktit më të rëndësishëm juridik të shtetit nuk ka pasur. Së pari Ministrja e Arsimit, Nagavci e më pastaj Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, u zunë në shkelje flagrante.

    Partia Demokratike e Kosovës ka dërguar edhe tri çështje në Gjykatën Kushtetuese, për të cilat pret me optimizëm se vendimi do të jetë siç vlerësojnë vetë ata; Ligjin për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë së Papërligjshme, Ligjin për Zyrtarët Publikës si dhe Ligjin për Energjinë.

    Ndërkaq edhe Sindikata e Administratës Tatimore ka dërguar Ligjin për Paga në Sektorin Publik ndërsa Veton Berisha nga Partia Liberale Egjiptiane dhe Albert Kinolli nga komuniteti rom në kushtetuese kanë dërguar për opinion për rastin dyshues të manipulimit të votave që pretendojnë se u bënë përmes Listës Serbe në favor të partisë së Elbert Krasniqi, ministër ky në qeverinë Kurti II.

    Ligji për Byronë e Konfiskimit të Pasurisë së Paligjshme

    Para mëse një muaji me t’u miratuar ky Ligj me 66 vota nga shumica parlamentare, Partia Demokratike e Kosovës e dërgoi atë për opinion në Gjykatën Kushtetuese.

    “Kemi kërkuar edhe vlerësimin e kushtetutshmërisë në tërësi në përmbajtjen e tij dhe jo për nenet konkrete të tij, paçka se ne e kemi arsyetuar se pse nenet konkrete të tij janë jokushtetuese. Mirëpo, vlerësimi i jokushtetushmërisë së tyre, nëse konfirmohen si jokushtetuese e bën ligjin jofunksional”, pati thënë avokati i PDK-së, Faton Fetahu.

    I menjehershëm kishte qenë reagimi i Albulena Haxhiut e cila e kishte vlerësuar për tentim të zhagitjes së “reformave” që synonte pushteti i Vetëvendosjes.

    “Mund të luftohen e sabotohen, por reformat që kemi nisur në shumë drejtime përbrenda sistemit të drejtësisë tashmë kanë marrë drejtimin e duhur dhe nuk mund t’i ndalojë askush, aq më shumë ata që janë përgjegjës për shkatërrimin e institucioneve. Byroja do të bëhet. Drejtësia do të triumfojë”, ishte shprehur Albulena Haxhi.

    Ligjoi për Zyrtarët Publik

    Në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, Partia Demokratike e Kosovës e kishte dërguar edhe Ligjin për Zyrtarë Publik për opinion të kushtetueses për çka vlerësonin se kishin identifikuar katër shkelje.

    “Kemi ardhur në Gjykatën Kushtetuese për të paraqitur kërkesën për shqyrtimin e kushtetutshmërisë në Ligjin për zyrtarët publikë. Ne mendojmë që kanë bërë një shkelje të radhës së Kushtetutës. Kemi menduar që në katër pika të shkeljes së këtij ligji ti paraqesim kërkesën Gjykatës Kushtetuese. Mendojmë që ka bazë të mirëfilltë që Gjykata Kushtetuese të shfuqizojë Ligjin për zyrtarët publikë”, pati deklaruar Mërgim Lushtaku.

    Ndërkaq, koordinatori i Departamentit për Drejtësi në PDK, Përparim Gruda pati deklaruar se kërkesa e tyre adreson një varg shkeljesh të Kushtetutës që kanë të bëjë me të drejtat e njeriut që i takojnë zyrtarëve publikë.

    Ky ligj, sipas tij, është në kundërshtim me marrëveshjen e Stabilizim Asociimi dhe se për këtë ligj ka pasur kritika nga Zyra e Bashkimit Evropian.

    “Specifikisht kemi të bëjmë me nenin 19 të Kushtetutës i cili thotë që marrëveshjet e ratifikuara ndërkombëtare kanë epërsi ndaj ligjeve të Kosovës. Në këtë rast marrëveshja për Stabilizim Asociimi është marrëveshje e ratifikuar me 2/3 e votave në Kuvend dhe është mbi ligjet dhe mendoj që ne nuk duhet të hymë në polemikë me Zyrën e Bashkimit Evropian”, pati thënë ai.

    Sipas tij, madje edhe Zyra e BE-së e ka kundërshtuar ashpër këtë ligj, duke thënë që është shkelje e standardeve, e parimeve të administratës publike për vendet kandidate për BE.

    “Është e papranueshme dhe e pakuptimtë që në njërën anë Qeveria të aplikojë për anëtarësim në BE, ndërsa në anën tjetër të mos marrë parasysh asnjë nga kërkesat që i ka dërguar Zyra e BE-së”.

    Dërgimi në kushtetuese i vendimin e Gjykatës Supreme për faturat e energjisë

    Vendimi i Gjykatës Supreme e cila i kishte anuluar dy vendimet e gjykatave Themelore dhe asaj të Apelit, të cilat kishin konsideruar se rritja e çmimit të energjisë ishte bërë kundërligjshëm, kishte hasur në rezistencën e Partisë Demokratike të Kosovës, të cilit i ishin drejtuar për opinion Gjykatës Kushteutese.

    “Të dyja këto gjykata kanë qenë të një mendimi se kjo rritje është bërë edhe në kundërshtim me ligjin edhe në kundërshtim me përpjekjen tashmë të munguar – që qytetari i Kosovës të mbrohet nga shtrenjtimi i energjisë elektrike. Ne e kundërshtojmë ashpër këtë vendim të Gjykatës Supreme duke e konsideruar atë si vendim të ndikuar politikisht nga Qeveria aktuale. Gjykata Supreme duket se ka qenë e prirur nga interesa të tjera klanore, karieriste dhe posaçërisht politike”, deklaronte zëdhënësi i PDK-së Faton Abdullahu ndërkaq dy javë më pas ky vendim i ishte dërguar kushtetueses.

    Ligji për Pagat

    Ligjin për Paga e kishte vlerësuar si diskriminues për zyrtarët tatimorë, stafin profesial dhe më gjerë Administrata Tatimore e Kosovës.

    Ata vlerësonin se me miratimin e këtij ligji cënohet rëndë siguria juridike e sektorit publik përfshirë punëtorët e ATK-së ngase ligji, sipas tyre, nuk përmban norma të qarta ligjore për rregullimin e pagave të tyre.

    “Me LPSP nuk është vlerësuar aspak statusi i zyrtarëve tatimorë, natyra e punës, vëllimi dhe kompleksiteti i punës që ushtrojnë zyrtarët tatimorë të cilët ofrojnë shërbim në çdo vend dhe në çdo kohë në tërë territorin e vendit. Në këtë mënyrë dinjiteti i zyrtarëve tatimorë është nëpërkëmbur maksimalisht dhe institucioni i ATK-së nuk është vlerësuar aspak krahasuar me natyrën e punës, përkatësisht me detyrat dhe përgjegjësitë që ushtrojnë zyrtarët tatimorë gjatë punës së tyre, dhe mbi të gjitha shtojmë faktin se punëtorëve të ATK-së u ndalohet edhe puna sekondare”, thuhej në komunikatë.

    Rasti Berisha dhe Kinolli

    Që nga 13 prilli i vitit 2021, Gjykata Kushtetuese ende nuk ka marrë një vendim për rastin dyshues të manipulimit të votave që pretendohet se u bë përmes Listës Serbe në favor të partisë së Elbert Krasniqit. Veton Berisha nga Partia Liberale Egjiptiane dhe Albert Kinolli nga komuniteti rom janë duke pritur një përgjigje përfundimtare nga Kushtetuesja. Vota e tyre mund të paraqes rrezik për institucionet e formuara. Qeverinë e Presidencën. Kjo gjykatë në shkurt të këtij viti ka kthyer një përgjigje për Gazetën Insajderin.

    Të njëjtit pas zgjedhjeve të 14 shkurtit të vitit 2021, ngritën pretendime për orkestrim të votave. Sipas tyre ky orkestrim ishte bërë nga ana e partisë së Elbert Krasniqit, aktualisht ministër i qeverisë Kurti në MAPL.

    Në një intervistë për Indoks, Berisha pati hedhur dyshime se orkestrimi u krye me anë të votave të serbëve. I njëjti kishte pretenduar se zgjedhja e presidentes Vjosa Osmani ishte bërë nga dy vota ilegale.

    Për të njëjtën çështje, nga Gjykata Kushtetuese i kanë thënë Gazetës Insajderi se kjo lëndë është duke u shqyrtuar.

    “Si çdo kërkesë individuale, Gjykata është duke e trajtuar edhe këtë rast me seriozitetin dhe përkushtimin më të lartë, dhe për vendimmarrjen e saj do të njoftohen me kohë të gjitha palët dhe opinioni”, thuhet në përgjigjen e Kushtetueses.

    Ligji për Këshillin Prokurorial që GJK ia rrëzoi Ablulena Haxhiut

    Gjykata Kushtetuese ia rrezoi për të vlefshëm Ligjin për Këshillin Prokurorial të Kosovës Ministrisë së Drejtësisë. Ky ligj ishte dërguar në kushtetuese nga PDK dhe LDK.

    “Gjykata njëzëri ka vendosur që të (i) deklarojë kërkesat e pranueshme dhe të konstatojë që: (ii) pika 1.3.2 e paragrafit 1 të nenit 6 dhe neni 8, përkatësisht neni 10/A i Ligjit të kontestuar, nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], paragrafin 10 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] dhe nenin 132 [Roli dhe Kompetencat e Avokatit të Popullit] të Kushtetutës; (iii) paragrafi 2/a i nenit 13 të Ligjit të kontestuar nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit] dhe paragrafin 1 të nenit 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës; (iv) paragrafi 5 i nenit 16 të Ligjit të kontestuar nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 24 [Barazia para Ligjit] të Kushtetutës; (v) neni 18, përkatësisht 23/A i Ligjit të kontestuar nuk është në përputhshmëri me nenet 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës; (vi) paragrafi 3 i nenit 11 dhe neni 20 i Ligjit të kontestuar nuk janë në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike], nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] dhe paragrafin 1 të nenit 110 [Këshilli Prokurorial i Kosovës] të Kushtetutës; dhe (vii) të shpallë të pavlefshëm, në tërësinë e tij, Ligjin nr.08/L-136 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit nr. 06/L-056 për Këshillin Prokurorial të Kosovës”, thuhet në njoftim.

    Gjykata Kushtetuese kishte rrëzuar edhe nismën e Nagavcit për të zhbërë reformën në arsim në Komunën e Kamenicës

    Duke u bazuar në nenin 17 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, ku sipas saj, komunat kanë kompetenca të plota dhe ekskluzive, në ofrimin e arsimit publik parashkollor, fillor dhe të mesëm, duke përfshire këtu edhe regjistrimin dhe licencimin e institucioneve edukative, punësimin, pagesën dhe trajnimin e instruktorëve dhe administratoreve të arsimit, Gjykata Kushtetuese i kishte dhënë të drejtë ish-Kryetarit të Kamenicës, Qëndron Kastrati në raport me Nagavcin.

    Rasti kishte të bënte me riorganizimin e shkollave në komunën e Kamenicës më 2019, që ishte incizuar përmes vendimit të kryetarit të atëhershëm të komunës, Qëndron Kastrati, me arsyetimin e rënies se numrit të nxënësve në disa shkolla dhe mungesës së infrastrukturës së mirëfilltë të institucioneve arsimore./Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Kosovë
    25 April 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark